Dje paradite në redaksinë e shqiptarja. com, mbërriti Eda. Ishte një femër e dhunuar. Kërkonte mbrojtjen e medias nga bashkëshorti që i bënte presion edhe pse për të kishte një vendim gjykate. Vendim që do të thoshte, se bashkëshorti nuk mund të afrohej në banesën e saj në një distancë prej 300 metrash. Por edhe
pse kishte vendim të tillë, ai përditë i del përpara. Ajo përditë, duke lënë edhe punën që mezi e ka, si kamariere, shkon në dyer e komisariatit për të denoncuar.
Askush nuk mund ta ndihmojë. Eshtë disi e rastësishme që Eda mbërriti te ne, në 7 mars. Eshtë tetë marsi nesër (sot). E pyes nëse e ndjen këtë ditë. Jo se nuk e di, por më thotë: Ç’a hallesh kam unë, e ti më tregon 8 marsin....!!! E pra, sot është 8 marsi. Eshtë dita e qokave. Pak ditë më parë pamë bashkëshortën e kryeministrit tek takonte aktoret e vjetra për tetë marsin. Sot do të shohim kryetaren e kuvendit tek takon disa zonja gra për tetë marsin. Sot do të shohim edhe shoqatat e grave që kanë nxjerrë parrullën “festë apo protestë”, po për tetë marsin.Nuk ia vlen të merresh me ndonjë rast të tillë të përmendur. Tetë marsi, dita
e gruas, është dita e të gjitha femrave shqiptare. Por më shumë është dita e Megit, vajzës që u vra tre javë më parë padrejtësisht dhe rastësisht në qendër të Tiranës dhe askush nuk kujtohet për të. Eshtë dita e Megit, sepse do të donte ndoshta të festonte 8 marsë të tjerë, por nuk ia arriti dot. 8 Marsi, është dita e Edës, që ka frikë të afrohet në shtëpinë e saj prej burrit dhunues edhe pse ka një vendim gjykate. Tetë marsi, duhet të jetë dita për të gjitha gratë e dhunuara në gjithë Shqipërinë, ato që vuajnë, nuk divorcohen dot prej tarifave të larta gjyqësore, ato që nuk denoncojnë dot, për shkak të problemeve familjare, ato që nuk munden dot të vetme, të ndryshojë realitetin e varfër ku të gjithë jetojmë sot.
(sg/shqiptarja.com)

Tetë marsi, duhet të jetë homazh për gratë e dhunuara, edhe pse askush nuk shkon ti vizitojë dot ato në qendrat ku janë vendosur. Sepse ato janë gratë që kanë arritur të thyejnë tabutë. Por, kush do të kujtohet për to në 8 mars? Aroma e mimozave të sapoçelura në Tiranë dhe lokaleve të mbushura plot me gra që festojnë, do të na tregojnë shumë mirë, se tetë marsi, nuk mund të festohet te shtresat në nevojë. Sepse ato nuk kanë luksin e tetë marsit. Kanë hallin si të zgjidhin problemet, që shteti nuk ua zgjidh dot.