8 vite nga 21 janari, Rama dhe familjarët e katër viktimave homazhe në Bulevard (VIDEO)

Sot bëhen tetë vite nga vrasja e katër protestuesve të opozitës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga Garda e Republikës. Familjarë, të afërm, përfaqësues të politikës dhe vetë kryeministri Edi Rama zhvilluan sot homazhe për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn. Me lot në sy ata marshuan në heshtje nga Kryeministria në drejtim të pllakatave të vendosura në vendin ku u vranë protestuesit, ndërsa në duar mbanin lule. Homazheve iu bashkuan edhe qytetarë të shumtë. Në 21 janar të vitit 2011, grupi i zjarrit nën komandën e Ndrea Prendit, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, qëlloi protestuesit e thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër prej tyre dhe plagosur gjashtë të tjerë. 

Të afërmit e tyre vijojnë që të kërkojnë drejtësi kur kanë kaluar plot 8 vite, apel të cilin ata e përsërisin çdo vit duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët. Gjykata ka vlerësuarmë herët se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar. Edhe pse kanë kaluar plot 8 vite, sërish drejtësia nuk ka bërë punën e saj duke lënë një plagë të thellë te familjet e viktimave.

Megjithatë, shpresa e familjarëve të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt, është drejtësia e re me institucionet që priten të krijohensi SPAK dhe BKH, për të çuar përpara përpara përgjegjësisë ligjore urdhëruesit dhe ekzekutorët e katër protestuesve të pafajshëm të cilët u vranë në një kohë kur protesta po shpërndahej dhe ndodheshin disa metra larg perimetrit rrethues të Kryeministrisë. Ndërkohë qeveria rreth dy vite më parë miratoi një fond prej 2.1 mln euro për familjarët e katër viktimave. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
Zef Brozi: 8 vite nga 21 janari 2011, urdhëruesit shijojnë frytet e korrupsionit dhe krimeve të tyre

Zef Brozi, ish-kryetar i Gjykatës së Kasacionit, kujton 21 janarin e vitit 2011. Në një reagim në rrjetet sociale, Brozi thotë se në 21 janar të 2011 ajo që ndodhi ishte një akt terrorist, që sot ende nuk janë hetuar dhe dënuar fajtorët. Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, shkruan më tej se urdhëruesit po shijojnë frytet e korrupsionit dhe krimeve të tyre.

Reagimi i plotë i Zef Brozit:

Sot u mbushën 8 vjet nga dita e zezë e 21 Janarit 2011 kur akti terrorist shtetëror gjakosi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke vrarë katër protestues paqësorë e të paarmatosur: Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, duke plagosur dhjetra protestues të tjerë mes të cilëve edhe gazetarin Fatos Mahmutaj, i cili tani është azilant politik në Belgjik. Për turpin e organeve të Drejtësisë (më saktë –organeve të Padrejtësisë) urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi shtëtëror akoma nuk janë hetuar e dënuar, përkundrazi, ata janë deputetë në Parlament dhe disa edhe drejtues partish politike. Ata shijojnë qëtësisht frutet e korrupsionit dhe krimeve të tyre dhe po bëjnë gjithcka munden të pengojnë Reformën në Drejtësi dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Organet e reja të Reformës në Drejtësi duhet t’i japin fund Pandëshkueshmërisë së krimit e korrupsionit të pushtetarëve e ish pushtetarëve të lartë të cdo kohë, pra edhe të aktit terrorist shtetëror të 21 Janarit.

Familjarë, miq, të afërm dhe qytetarë të shumtë përkujtuan sot me lot në sy si çdo vit Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, katër protestuesit e vrarë nga Garda e Republikës gjatë protestës në 21 janar 2011. Me lot në sy ndërsa në duar mbanin lule, nga Kryeministria ata marshuan në drejtim të vendit ku u qëlluan për vdekje 4 protestuesit e opozitës. Familjarët apelojnë për drejtësi, ndërsa shpresa për ta mbetet drejtësia e re dhe institucionet që pritet të ngrihen si SPAK-u dhe BKH-ja. (Lexo këtu)

Ora 15:39
21 janari/ Rama përkrah familjarëve të viktimave të 21 janarit, me trëndafil të kuq (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një foto nga momentet e homazheve për 21 janarin. Kryeministri e shoqëron postimin me mbishkrimin: Insta of the day. Në foto Rama shihet përkrah familjarëve me një trëndafil të kuq, teksa i hedh dorën njërit prej familjarëve të viktimave të 21 janarit.

Postimi i Ramës në rrjetet sociale
Ora 15:05
21 Janari/ Djali i Faik Myrtaj: Hetimet duhen rihapur, çështja e ka një autor (VIDEO)

Faik Myrtaj ishte njëri nga katër protestuesit që u vra më 21 janar të 2011-ës gjatë protestës para Kryeministrisë. Djali i tij, Renato Myrtaj është shprehur për  Report Tv se hetimet duhen rihapur pasi nuk po flitet për një çështje pa autor. Ai tha se deri më tani kryeministri Edi Rama ka punuar për një drejtësi që nuk ka arritur të zbardhë asgjë. "Kur kalon çdo ditë për të vajtur në zyrën e tij dhe shikon katër pllakat e bronzit, mos mendoni se nuk e kujton çdo ditë. Për ne është e katërfisht dhimbja por edhe atij i shkon në mendje", u shpreh djali i Faik Myrtajt. Në fund, Renato shprehu bindjen se "drejtësia do vonojë por do vendoset”.

Ora 11:33
Incident në homazhet për 21 janarin/ I moshuari me zarf në dorë kërkon të takojë Ramën, e largon Garda (VIDEO)

Gjatë homazheve sot për katër protestuesit e vrarë në 21 janar të vitit 2011 në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", është shënuar edhe një incident. Në momentin kur kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarët e viktimave dolën nga Kryeministria dhe marshuan në këmbë në drejtim të pllakatave përkujtimore, një i moshuar ka tentuar të takojë kreun e qeverisë.

Momenti kur i moshuari ndalohet nga punonjësit e gardës

Teksa mbante një zarf në dorë, ai ka thënë se atë do ia jepte kryeministrit. Menjëherë kanë ndërhyrë punonjësit e Gardës së Republikës të cilët kanë larguar të moshuarin. Mësohet se ai është shoqëruar më pas nga forcat e policisë për t'u marrë në pyetje. 

Ora 11:14
21 janari/ Homazhe në Bulevard, Rama dhe familjarët e 4 protestuesve të vrarë marshim në heshtje dhe me lule në duar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama dhe familjarët e 4 protestuesve të opozitës që u vranë në 21 janar 2011 bënë homazhe sot në pllakatat e vendosura në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet. Kreu i qeverisë dhe të afërmit e viktimave si cdo vit marshuan në këmbë nga Kryeministria në drejtim të vendit ku tetë vite më parë u qëlluan për vdekje nga plumbat e Gardës së Republikës Ziver Veizi, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Homazheve sot u janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë.

Ora 10:38
21 Janari, vëllai i Ziver Veizit: Ende nuk është vendosur drejtësia. Apel edhe nga bashkëshortja (VIDEO)

Ziver Veizi ishte njëri nga katër protestuesit që u vra në 21 janar të 2011 gjatë protestës para Kryeministrisë. Pas tetë viteve, vëllai i tij, Mete Veizi shprehet se drejtësia ende nuk është vendosur në vend. Gjatë homazheve në Gjirokastër ai tha se shpresonte që organet e reja që po krijohen do të vendosin para drejtësisë autorët e vrasjeve. “Nuk është vendosur drejtësia. Kemi besim te drejtësia e re. Nuk duam të flasim më shumë në tetë vite asgjë nuk është bërë. Me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë kemi pak shpresë”, tha ai për Report Tv. Edhe bashkëshortja e Ziver Veizit kërkon drejtësi.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xXx: 21/01/2019 14:06

    Po me këta pse vazhdon tallesh?!!!

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 21/01/2019 10:24

    Prandaj opozita kerkon destabilizimin e vendit qe ti shpetoje ddrejtesise.

    Përgjigju
    • Haha: 21/01/2019 13:45

      Hahaha sa rende jeni ju qe mbeshtesni akoma kete rame ndyresiren. Ai me 21 Janarin fiton ca vota cdo zgjedhje dhe e perdor cdo proteste duke thene "te ishte ai tjetri kishit plumin ballit". Kujt i hyn ne pune drejtesia ne kete rast pervec familiareve te ketyre te shkreteve. Ku ma gjen ta fusi brenda Salen dhe Bashen etj. Po kush e do PDne e paster nga kto plerat? I do edi ne burg kto? Pastaj ta kete rradhen vete.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia