Nga presidenti Bajram Begaj, te Kryeministri Edi Rama, anëtarë të tjerë të qeverisë, drejtues të institucioneve shqiptarë, deputetë e diplomatë, u bashkuan për t’u bërë pjesë e kremtimeve të ambasadës italiane, me rastin e 80 vjetorit të Festës së saj të Republikës.
Italia nuk është vetëm një mike e Shqipërisë, por një partner që po ndërmerr veprime konkrete në vend, deklaroi në fjalën e tij, ambasadori italian në Tiranë, Marco Alberti, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve po hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi konkret.
“Ky vit na ka sjellë shumë rezultate: samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri, 16 marrëveshje të reja, bashkëpunim në mbrojtje, energji, shëndetësi dhe infrastrukturë dixhitale, krijimi i një banke zhvillimi, nëntë vizita institucionale, forcimi i bashkëpunimit të policisë gjyqësore, mbi 120 nisma promovimi kulturor dhe më shumë se 320 milionë euro në bashkëpunim zhvillimor.”, tha ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Ambasadori nënvizoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, përfshirë projekte të reja në industri, punësim dhe zhvillim, si dhe rilançimin e Korridorit 8, që synon forcimin e lidhjeve rajonale.
“Italia është dhe mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke përbërë gati 27% të totalit. Më shumë se 2,600 kompani punojnë në këtë vend dhe do të vijnë edhe të tjera. Do të përmend vetëm sipërmarrjen e përbashkët midis Fincantieri dhe Caio, e cila do të krijojë 400 vende të reja pune.”
Por siç vuri ne dukje ambasadori Alberti, partneriteti i lindur vitin e kaluar tani duhet të përkthehet në veprim.
“Veprim për të sjellë kompani më të forta italiane në Shqipëri, të gatshme për të investuar dhe për të krijuar vende pune. Veprim për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojës përmes marrëveshjeve të reja ndëruniversitare; veprim për të zhvilluar, me partnerët tanë italianë dhe shqiptarë, një program ambicioz promovimi kulturor që përbëhet nga ngjarje, si dhe projekte - domethënë, fuqi e butë në veprim.”, tha ai.
Mbrëmja u shoqërua me mesazhe për marrëdhëniet e forta mes dy vendeve, duke kujtuar dhe praninë e rreth 3 mijë shtetasve italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, duke kontribuar në thellimin e partneritetit.
Komente









