TIRANE-Në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku kanë marrë pjesë dy persona të cilët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

Burime të Report TV bëjnë me dije se përveçse po kërkohet personi që dallohej në një video që u bë publike pak ditë më parë, po hetohet edhe një person tjetër.

Një i ri i veshur me tuta sportive dhe me kapele në kokë, është larguar me biçikletë nga pallati ku banonte Artan Cuku vetëm 59 sekonda pasi është qëlluar ndaj tij. Ky person, sipas të njëjtit burim, është larguar qetësisht me biçikletë, në drejtim të kundërt me vrasësin e parë.

Një kamera sigurie e vendosur në një lavazh pranë pallatit ku banonte ish-komisari ka kapur momentin kur bashkëpuntori në vrasjen e Cukut, dyshohet se largohet në errësirë, ndërkohë që e mban kokën ulur gjatë gjithë kohës.

Personi i dytë e ka studiuar mjaft mirë vendin, pasi është larguar nga ‘Rruga e Kosovarëve’ në drejtim të Liqenit Artificial me biçikletë, ka zgjedhur për të kaluar në një pjesë ku kamera e sigurisë e ka kapur në errësirë dhe hetuesit ende nuk mund ta identifikojnë.

Kamera kap momentin kur vrasësi vrojton lëvizjet e Cukut
Vrasësi ka pritur të sigurohej qe Artan Cuku do të ishte vetëm. 
E njëjta kamera sigurie ka kapur edhe momentin kur Artan Cuku parkon makinën dhe më pas blen disa gjera në një market. Kur po ikën në banesë, Cuku takohet me një të njohur në lokalin poshtë shtëpisë dhe më pas largohet drejt hyrjes së pallatit. Gjate gjithe kesaj kohe, vrasesi ka qendruar pak metra larg dhe ka ndjekur lëvizjet e Cukut.

Në momentin që Cuku hyn në pallat, ora e kësaj kamera sigurie është 19:59:58 sekonda dhe në 20: 00:59 sekonda dallohet një i ri i veshur sportiv që largohet me biçikletë. Pikërisht gjatë kësaj kohe është vrarë Artan Cuku me 4 plumba, 2 në kokë dhe në 2 në trup.

Ky person me biçikletë dyshohet se ka marrë me vete edhe dy armët e krimit.
 
Dy bashkëpuntorët në vrasje, mendohet se janë larguar në drejtime të kundërta, në mënyrë që të mos zbulohen nga Policia, ndërkohë që gjatë gjithë kohës përpiqen ta mbajnë fytyrën të mbuluar me kapele.

Sipas hetuesve Artan Cuku është vrarë për rreth 40-50 sekonda. Hetuesit kanë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë, të cilat nuk e kanë pasur orën e saktë, por tashmë ka një identikit të personave që kanë bashkëpunuar për vrasjen e ish-komisarit.

Ato që mungojnë janë vetëm emrat e tyre.

Mungesa e identifikimit të autorëve ka bërë që Policia të rrisë shpërblimin për informacionin që mund të japin qytetarët në 10 milionë lekë të tjera.

Pavarësisht se hetimet janë përqendruar në disa pista, sot grupi hetimor nuk ende një version se përse është vrarë Artan Cuku, mbrëmjen e 8 prillit.

Policia e Tiranës ka rritur shifrën e shpërblimit për informatorin nga 30 milionë lekë të vjetra në 100 milionë të tilla.
Çdo person që do japë informacion të saktë për llogari të zbardhjes së emrit të personit që ka qëlluar për vdekje Artan Cukun, do të shpërblehet me 100 milion lekë të vjetra. Kjo është tarifa financiare që policia ka vënë në dispozicion, ndërkohë që qytetarëve u është vënë në përdorim dhe një numër telefoni ku ata të informojnë 0694110299.

Ne hetime dhe ish-drejtues miq te Cukut
Tashmë në grupin e hetuesve të policisë dhe krimeve të rënda janë bërë pjesë dhe ish-drejtuesit e policisë së shtetit të zëvëndësuar në vitin 2013. Këta ish-drejtues policie sqaruan burimet janë ftuar për të bashkëpunuar për faktin se ata njohin të shkuarën e kolegut të tyre dhe janë personat që mbanin kontakte të vazhdueshme, me të ndjerin. Ndërkohë si pasojë e telefonatave të mara nga qytetarët, gjatë ditës së djeshme në policinë e Tiranës janë shoqëruar 4 persona si të dyshuar, por pas marrjes në pyetje ata janë liruar.

Madje dy prej tyre kanë bërë paraqitje për njohje edhe me disa dëshmitarë, që e kanë parë vrasësin para ngjarjes. Artan Cuku u ekzekutua me 5 plumba në trup mbrëmjen e 8 prillit pak minuta pasi ai ishte futur në pallatin ku banonte pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Në këtë krim janë përdorur dy pistoleta por asnjëra prej tyre nuk është gjetur nga kontrollet e ushtruara.

Vrasja e Artan Cukut,publikohet video me pamjet e autorit
Pak ditë pas vrasjes së ish- zyrtari të Policisë Artan Cuku janë publikuar pamjet e autorit. Siç mund ta shikoni në video, autori është i veshur me tuta sportive, xhup blu, me dorashka dhe me një kapele në kokë.
Videoja është filmuar nga kamerat e sigurisë së pallatit ku duket mjaft qartë autori i cili largohet me një vrap të lehtë nga vendi i ngjarjes.