TIRANË – Projektbuxheti i vitit 2016 në Bashkinë  Tiranës do të jetë i ndikuar nga situata financiare me të cilën administrata e kaluar la institucionin.
 
Kështu është shprehur nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku gjatë konsultimit me banorët e njësisë administrative të Farkës të projektbuxhetit.
 
Duke bërë një pasqyrë të gjithë gjendjes së rënduar financiare në të cilën u gjet Bashkia, ku borxhi arrinte në afro 4 miliardë lekë, ndërsa janë kontraktuar investime që janë kalojnë me disa fish mundësitë që kishte bashkia për të shpenzuar për këtë zë.
 
“Në vitin 2015, Bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se buxheti vjetor i Bashkisë në investime, pra ishin planifikuar që të shpenzoheshin 70 lekë dhe në fakt kishin në dispozicion për të shpenzuar vetëm 10 lekë. Sipas këtij koncepti do të duheshin 7 vjet që Bashkia të kishte mundësi që të paguante shpenzime të cilat i kishte marrë përsipër në 2015”, tha Mazniku ndërsa evidentoi edhe një sërë zërash buxhetor që kanë krijuar një borxh të madh.
 
Mazniku, duke u përqendruar te projektbuxheti konkret i kësaj njësie ai bëri të ditur se ai i ka dhënë rëndësi projekteve me impakt direkt në zhvillimin e Bashkisë së Tiranës. Një prej tyre është projekti i rigjenerimit urban i pazarit të Ri dhe sheshit “Avni Rustemi”.
 
Një tjetër projekt i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2016 të Bashkisë, është edhe ai i Parkut Qendror të Tiranës, i cili zhvillon një zonë të qytetit që për shumë kohë është lënë pas dore. Unaza e Vogël e Tiranës, dhe Parku i Liqenit janë gjithashtu dy projekte të tjera për të cilat projektbuxheti i vitit 2016 parashikon investime konkrete.

Ndërsa Drejtoresha e Buxhetit të Bashkisë, Jonida Halili, ka prezantuar projektet konkrete që prekin Njësinë Administrative të Farkës, ku më i rëndësishmi është krijim i terminalit jug-lindor të autobusëve. Gjithashtu ajo bëri të ditur se sa i përket kësaj njësie bashkia do të ndërhyjë në vazhdimësi, në mirëmbajtjen, sistemimin, rehabilitimin e të gjitha objekteve arsimore e rrugëve.
 
Për projektet konkrete të Njësisë Administrative Farkë, Bashkia e Tiranës ka parashikuar 130 milionë lekë që do të shpenzohen për nevojat e zonës. Në fund të këtij takimi u prezantua dhe administratori i ri i Njësisë Farkë, Mateo Shaba, pasi Admir Abrija që mbajti deri tani këtë pozicion do t’i bashkohet ekipit të Bashkisë së Tiranës.