​Frenohet rritja e eksporteve
nafta shitet në vend

​Frenohet rritja e eksporteve<br />nafta shitet në vend
Eksportet si gjashtëmujor prekën vlerën e 133.5 miliardë lekëve, 13.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, njoftoi dje INSTAT. Por, janë ngadalësuar muajin e fundit ndjeshëm ritmet e rritjes, teksa për 5-mujorin zgjerimi ishte gati 17%.
 
Eksportet
Si muaj, eksportet kishin vlerën e 22.5 miliardë lekëve në qershor, në rënie me 0.3% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Grupi më i madh i eksportuar i mallrave “Made in Albania” vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët (sektori fason), që për 6-mujorin u rritën me 7.8%, në 58 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve. 

Por rritjen më të lartë të eksporteve e ka shënuar grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 6.4 miliardë lekësh me bazë vjetore për 6-mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 4.2 miliardë lekë), apo 42%.

Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve të çimentos rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi. Ndërsa prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend, tek kompania IRTC, e cila më pas e përpunon dhe e hedh në tregun e brendshëm. Burime nga Bankers Petroleum pohuan se aktualisht 50% e naftës shitet në vend dhe 50% shkon për eksport, ndërsa vitin e kaluar e gjithë sasia shkonte për eksport.

Kjo i ka vënë vulën rënies së fortë të shitjeve jashtë vendit të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që në qershor pothuajse u përgjysmuan, për të arritur në 2.7 miliardë lekë (nga 5.3 mld lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë). Kjo ka bërë që rritja e këtij grupi edhe për 6-mujorin të ngadalësohet në 11%, nga rreth 40% që ishte zgjerimi në muajt e parë të vitit.
 
Importet
Sa i përket importit, ai rezulton në rritje edhe gjatë qershorit, me 8% më shumë, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Për periudhën janar-qershor, vlera totale e importeve arriti në afro 295 miliardë lekë, afro 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importet janë rritur pothuajse për të gjitha grupmallrat, çka dëshmon se kërkesa e brendshme në ekonomi paraqitet e përmirësuar. Por rritja e importeve gjatë qershorit e ka zgjeruar deficitin tregtar, duke e zeruar përmirësimin që ishte shënuar në muajt e parë të vitit. Sipas INSTAT, për gjashtë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave ishte 162 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtën vlerë me gjysmën e parë të vitit 2016.
 
Gjeografia
Eksportet në drejtim të Spanjës shënuan rritjen më të madhe (+218,4%) krahasuar me qershorin 2016, duke e listuar këtë vend si destinacionin më të rëndësishëm për prodhimet vendase pas Italisë e Kosovës, me mbi 1.18 miliardë lekë vlerë mallrash.

Ecuri pozitive kanë shfaqur edhe eksportet drejt Kosovës, në rritje me 36.6% për qershorin dhe 6.3% krahasuar me 6-mujorin e 2016-ës. Së bashku me Spanjën, Kosova është një nga dy vendet e vetme me të cilat Shqipëria ka një bilanc pozitiv tregtar. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, ky raport ishte prej 6.1 miliardë lekësh në favor të vendit tonë dhe në rritje nga viti në vit.

Rritja e eksporteve drejt këtyre dy vendeve, duket se balancon uljen me 1 miliard lekë në vlerë mallrash të shkëmbyer drejt Italisë, vend, i cili mban peshën kryesore në tregtinë tonë të jashtme.

Në qershor deficiti tregtar me këtë vend fqinj u përkeqësua dhe në 6 muaj shënon humbje prej 14.7 miliardë lekësh. Por deficitin më të madh vendi ynë vijon ta ketë në shkëmbimet tregtare me Turqinë: në 6 muaj ky bilanc rezulton të jetë 2.3 miliardë lekë. Deficiti është i lartë edhe me partnerët e tjerë që kryesojnë importet, si Gjermania, Greqia e Kina.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

E reja italiane goditet 30 herë me thikë nga ish-i dashuri në vendin e saj të punës

E reja italiane goditet 30 herë me thikë nga ish-i dashuri në vendin e saj të punës