Partia Drejtësi Integrimi dhe Unitet akuzon Partinë Demokratike por lojë të pisët në bashkinë Konispol dhe Finiq. Reagimi i PDIU-së vjen pas tërheqjes së kandidatit të PD-së në Finiq ndërsa akuzon se e njëjta lojë po bëhet dhe në Konispol ku kandidati i PD-së po bashkëpunon me atë të PBDNJ-së. Sipas partisë së Shpëtim Idrizit kjo është bërë me marrëveshje që PBDNJ të ofrojnë mbështetjen për kandidatin e PD-së në Sarandë.
 
“Është krejtësisht e qartë se Partia Demokratike po bashkëpunon qartë dhe hapur me PBDNJ-në dhe ky bashkëpunim nuk ka prapavijë vetëm pragmatike, por është vijim i politikave të vjetra bashkëpunuese mes këtyre partive. Kështu në Konispol kandidati i PD-së, Ismail Myrtaj po bashkëpunon me kandidatin e PBDNJ-së, Anastas Guda që u etiketua nga kryeministri i vendit si “përçarës i komunitetit”. Kandidati i Finiqit nga PD-ja u tërhoq duke i lënë fushë të lirë kandidatit të PBDNJ-së. Në këmbim, PBDNJ-ja ka bërë thirrje të hapur që në Sarandë të mbështetet kandidati i PD-së, Kreshnik Bozho”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
 
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)