​Procesverbali i themelimit të PKSH
i dënuar të mos shohë  diellin 

​Procesverbali i themelimit të PKSH<br />i dënuar të mos shohë  diellin 
Pjesa e dytë e shkrimit mbi historinë misterioze të dokumentit themelues të Partisë Komuniste/ Historia e çuditshme se si Komiteti Qendror sekuestroi rrufeshëm dokumentin e zbuluar në 1954 nga profesor Kristo Frashëri...
 
Pjesa e dytë
 
Në librin e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” Paskal Milo ka dhënë një tablo të plotë të atij presioni kanosës deri në kufizim jete, e cila ka ngjarë për të fshehur të pavërtetën e Enver Hoxhës se ka qenë themelues dhe udhëheqës që në fillim i Partisë Komuniste Shqiptare: “Rindërtimi i asaj çfarë ka ndodhur midis 8 dhe 14 nëntorit 1941 në shtëpinë e Xhemal Canit e Zylfije Tominit, është tepër e vështirë të bëhet edhe për shkak se pjesëmarrësit e tjerë në Mbledhjen Themeluese, ose nuk kanë lënë kujtime, ose nuk kanë guxuar t’i shkruajnë e t’i publikojnë ato.

Disa prej tyre u vranë në luftë (Qemal Stafa, Vasil Shanto, Anastas Lulo), të tjerë u eliminuan fizikisht pas lufte ose u burgosën (Koci Xoxe, Tuk Jakova). Disa të tjerë heshtën dhe u konfirmuan me variantin e tregimit të Enver Hoxhës nga frika e persekutimit (dënimi i Tuk Jakovës për këtë çështje shërbeu si mësim) e dy-tre të tjerë (Ramadan Çitaku, Kristo Themelko etj.) kanë lënë disa shënime të pakta në formë kujtimesh për atmosferën e Mbledhjes dhe disa çështje teknike dhe aspak për zhvillimin e saj, për diskutimet e debatet që janë bërë. I vetmi që ka shkruar kujtime të gjera ka qenë Koço Tashko.

Një bllok blu, i ngjeshur me shkrimin e tij të dorës për themelimin e PKSH- së dhe për vitet e Luftës, u dorëzua prej tij si kujtime në vitet 1960, kur ishte në internim dhe që nga ajo kohë nuk dihet se në çfarë vendi apo në çfarë duarsh ka përfunduar. Sadik Premte, i ndodhur jashtë vendit, tentoi dhe la disa kujtime modeste për Mbledhjen Themeluese të PKSH-së. Edhe Miladin Popoviçi, përmes letrave e shënimeve, por dhe Mugosha përmes kujtimeve, ndihmojnë në mënyrë po kaq modeste për ndriçimin e së vërtetës, sepse edhe ata ishin nën trysninë e interesave të PKJ-së, por edhe të vetë paragjykimeve të tyre”.   
       
A nuk ju bën përshtypje se Koço Tashko, një nga figurat kryesore të ditëthemelimit, kryetari i Grupit Komunist të  Korçës, i cili edhe ai si kolegu i Shkodrës cilësohej si parti, pra ky binjak politik i Zef Malës, është detyruar të shkruajë kujtimet e Mbledhjes kur qe i internuar dhe pas kësaj çfarë la u zhduk? Nuk ka pasur asnjë arsye të shfarrosej kjo dëshmi veç sepse ka pohuar, qoftë edhe me ndonjë formulim të përmbajtur, faktin se Enver Hoxha nuk ishte dhe as u bë udhëheqës i PKSH-së në 8 nëntor 1941.

Kjo që ka ngjarë me shënimet e Tashkos provon se çfarë do të ndodhte po t’i binte në dorë Enver Hoxhës procesverbali autentik i ditëthemelimit.
 
Trëmbet edhe Ramiz Alia  
Letra e Spartak Ngjelës dhe e sekretit që i kishte besuar Zef Mala u mbyll në 1986 me shtatë kyçe, kur, po të mos rrezikonte statukuonë e mëparshme të mitit të Enver Hoxhës si themelues e drejtues që në fillim i PKSH-së, do t’i çelte shtegun një procesi normal kërkimi verifikues. Ramiz Alia nuk qe shumë censor. Në mekjen e tij pasi mori letrën peshonte kundërveprimi automatik i regjimit që mori përsipër të çonte më tej, ku sundonte dënimi shumë i rreptë për këdo të shkelte urdhrin dhe amanetin e nënkuptuar të Hoxhës.

Po të qe punë e dëshiruar kërkimi i të dhënave të reja mbi vendndodhjen e procesverbalit, Alia do të kishte urdhëruar plotësimin e të gjitha kushteve që kërkonte i burgosuri politik Ngjela. Nëpër burgje të këtij profili jepeshin leje të vinin të dhëna e të shkruanin studime shkencore edhe disa vuajtës.

Prandaj kur bëri praptazi edhe Ramiz Alia, i cili në librin e tij të kujtimeve për jetën, si edhe në disa biseda intime të kryera pas vitit nëntëdhjetë, e ka pranuar se Hoxha u bë më vonë udhëheqës i PKSH-së, por jo në ditëthemelim, kuptohet qartë se sa e tmerrshme do t’i vinte ndëshkimi.
 
Komiteti Qendror sekuestron historinë
Në rrethanat kur procesverbali i themelimit të PKSH-së besohet se mungoi që në ditën e parë të çlirimit, rindërtimi i kronikës dhe i përmbajtjes së kësaj mbledhjeje mjaft të rëndësishme, është bërë nga historianët nëpërmjet tekstit të aktpadisë së prokurorisë fashiste italiane.

Ajo lëndë e shkruar nuk është pak, por plot 77 faqe të daktilografuara. Zbulimi i saj është meritë e Profesor Kristo Frashërit, i cili në vitin 1954 e gjeti në arkivin e Institutit të Shkencave në Tiranë.
Ai material i qe sekuestruar në vitin 1954, bashkë me të tjera, Kuvendit të Jezuitëve të Shkodrës dhe që prej atij çasti policia komuniste ia pati dorëzuar Institutit. “Shtoj me këtë rast, shkruan Kristo Frashëri, se kjo akt-padi 24 orë pasi u diktua, u tërhoq nga aparati i KQ të PPSH-së”.

Sigurisht në këtë veprim të rrufeshëm për ta larguar sa më parë nga duart e historianëve ka ndikim Enver Hoxha personalisht. Askush tjetër nuk mund ta kishte këtë fuqi. Lënda e porsagjetur mund të qe për të një material komprometues.

Ky reagim provon edhe njëherë tjetër se çfarë do të ndodhte në rastin e gjetjes prej një tjetri të materialit të shkruar të procesverbalit të mbledhjes themeluese.

Porse materiali i gjetur prej vetëm një personi, Kristo Frashërit, dhe patjetër i lexuar prej tij, por aspak nga të tjerë, sepse askujt në Institutin e Shkencave nuk iu dha një kohë e tillë, nuk rezultoi problematik. Aktpadia, kur u hartua, gjysma e parë e vitit 1943, nuk kishte asnjë interes politik për ngjarjet e brendshme në PKSH, ishte apo nuk qe “violinë e parë” Enver Hoxha.

Fashistët italianë në fillim të vitit 1943 gjendeshin përballë rrethanash të tjera. Partia Komuniste Shqiptare ishte forcuar dhe përhapur, pati krijuar dhe shtrirë jo vetëm strukturat e saj politike, por edhe ato ushtarake. Kishte nisur të organizonte edhe rrjetin e ushtrimit të pushtetit administrativ. Këtë çast edhe Hoxha ishte realisht shefi i komunistëve shqiptarë, prandaj edhe në listën e 204 prej tyre, të cilët duhej të prangoheshin menjëherë dhe të dënoheshin ashpërsisht, ai qe rreshtuar i pari. Zef Mala në këtë listë, sipas studiuesit Kastriot Dervishi, është i rreshtuar në numrin 63. 
 
Kështu aktpadia e gjetur në 1954 nuk e rrezikonte Enver Hoxhën, në mos i jepte dorë për të vërtetuar tërthorazi ato që kishte shpikur si udhëheqës i sajuar jo vetëm i 8 Nëntorit 1941, por edhe i një periudhe të mëparshme. Ja pse materiali i “sekuestruar” rrufeshëm prej Komitetit Qendror, më pas, u la i lirë, gjithnjë brenda arkivit të tij, të studiohej prej shkruesve zyrtarë të historisë.
 
Tre masonikët në krye të PKSH-së
 Në ditëthemelimin e PKSH-së u formua një Komitet Qendror i Përkohshëm, në përbërje të të cilit ishin shtatë anëtarë, një shifër që jepte mundësi për të marrë vendime me shumicë. Sipas Prof. Kristo Frashërit në mjediset e lira të mbledhjes themeluese qarkullonte edhe mendimi që vendi i Sekretarit të Përgjithshëm t’i ofrohej Ymer Dishnicës.

Për formimin e tij komunist pothuaj të gjithë qenë të një mendjeje: qe më i përgatituri.

“Ndërkohë, shkruan historiani Frashëri, u vendos që deri në Mbledhjen e Komitetit Qendror të ngarkoheshin tre sekretarë ordinerë: njëri për organizimin e luftës nacionalçlirimtare, i dyti me administrimin e të ardhurave financiare dhe i treti me formimin e organizatës së Rinisë Komuniste. Të tjerët do të merreshin me strukturimin e partisë sipas parimeve të reja organizative”.

Në emrat, të cilat më pas u zgjodhën për “shtatëshen” e sigurisht edhe për “treshen” Profesor Kristo Frashëri mendon se është zbatuar stil masonik, një procedurë e pahijshme për një parti politike popullore. Si procedurë u vendos që secili grup do të jepte tre emra. Miladin Popoviç dhe Stefan Mugosha, kur bënë përzgjedhjen dhe propozuan kandidaturat për t’u votuar, i mbajtën që të gjithë anonimë. Ia paraqitën themeluesve vetëm me karakteristikat kryesore. Kështu zgjedhja e shtatëshes do të kryhej jo i influencuar prej emrit konkret, por nga vlera ndividuale që dy jugosllavët gjykuan si përparësi.

Kjo mënyrë veprimi nga nismëtarët, të dërguarit e PKJ-së, u justifikua mbi të gjitha për nevoja konspiracioni. Drejtuesit nuk duhej të diheshin, sepse, në rast se ndonjë prej themeluesve binte në duart e policisë fashiste, nën tortura, mund të dekonspironte dhe dëmi për partinë do të qe i madh.

Një e tillë mënyrë zgjedhjeje ndeshi në kundërshtim masiv. Mes mospranuesve ishte edhe Qemal Stafa. Ky, sipas historianit Frashëri, u bashkua me mendimin e përgjithshëm se qe “absurd fakti që historia u jepte atyre besim për të formuar një parti revolucionare, në kushte thellësisht konspirative, kurse dy “miqtë” jugosllavë nuk kishin besim që ata të dinin se kë po zgjidhnin si anëtar të Komitetit Qendror. Debati u ndez aq tepër, sa që njëri nga shokët, që bënte roje në oborrin e shtëpisë, trokiti në derë, duke i këshilluar të ulnin tonin, se zërat e tyre dëgjoheshin edhe jashtë”.

Çudia vijoi kur u kuptua se emrat e fituesve jo vetëm nuk iu bënë të ditur atyre që, sipas karakteristikave anonime, i patën votuar, por as edhe vetë fituesve për kolegët e tjerë. Habia qe se as historiografia zyrtare e periudhës së diktaturës nuk e dinte. Intriga shkoi edhe më tej: ajo nuk u lejua të zhbirojë në këtë drejtim dhe sekreti shumë e shumë vjeçar u prish vetëm kur për herë të parë e tha Enver Hoxha në kujtimet e veta. “Shtatëshen” ai e bëri të ditur tek “Kur lindi Partia”, në vitin 1981.

Siç dihet veten e rreshtoi të parin. Ndoshta për ndonjë gabim shtypi Prof. Frashëri në librin e tij “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri...” shkruan se kjo ka ngjarë në vitin 1983 dhe se në rreshtimin hoxhian i listës ishte Gjin Marku, Enver Hoxha, Qemal Stafa, etj, veprim që E.H. në fakt nuk e bëri kurrë.

Gjithsesi rëndësi për analizën tonë nuk ka “shtatëshja”, por “treshja”. Këtu “fle lepuri”. Këta u mbajtën top sekret. Nuk u thanë kurrë, të paktën prej Enver Hoxhës. Do të shkrehej e binte e gjithë kështjella e tij prej rëre po t’u thoshte shqiptarëve se në themelimin e PKSH-së kishte qenë thjesht një financier i saj pa asnjë detyrë politike të dorës së parë. Hataja për të do të ishte edhe më e madhe po të shtonte se funksionet e rëndësishme i patën marrë Gjin Marku dhe Qemal Stafa. I pari u ngarkua për luftën e armatosur (misionin kryesor i PKSH-së) dhe i dyti për Rininë Komuniste.

Por, sigurisht, atë kohë Enver Hoxha qe i kënaqur sa më s’ka që pati hyrë në “treshe”, si financier, privilegj i fituar, pse jo, edhe pse qe për traditë familjare një gjirokastrit kursimtar, natyrë aspak prej shpërdoruesi i arkës së përbashkët, kurrë hajdut, cilësi këto që e ndoqën gjithë jetën, edhe pse ideologjia komuniste, vetë doktrina e tij dhe pazotësia personale në fushën e ekonomisë, i krijuan Shqipërisë dëm sa për mijëra e mijëra vjedhje të mëdha së bashku.
 
Zbulimi nga karabinieria e arkivit të PKSH-së, një “punë kurvash”
Ruajtja e të fshehtës së “treshes” ishte një prej shumë arsyeve që krijoi historinë e mistershme dhe të pazakonshme të kërkimit të të gjitha dokumenteve të mbledhjes themeluese të PKSH, veçanërisht të “kyçit” të saj: protokollit, pocesverbalit. Pra shënimeve të shkruara cilët kishin folur dhe çfarë patën thënë. Të tjerat, projekte të deklaratës përfundimtare, të Rezolucionit apo edhe të Platformës Politike, nuk përmbanin emra dhe prej tyre nuk mund të deshifroje dot qëndrimin dhe rolin e pjesëmarrësve. Dhe kur E.H. dhe stalinistët e tjerë e kishin çliruar vendin dhe marrë pushtetin, në fund nëntor 1944, të gjitha dokumentet e mbledhjes themeluese qenë zhdukur pa nam dhe nishan.

Ishin pesë fletore të mbajtura si procesverbale. Sipas historianit Frashëri tre prej tyre i mbushi me shkrim dore Qemal Stafa, një të katërt, që ishte bllok me përmasa të vogla, e plotësoi me shënime nga mbledhja Miladin Popoviçi. Përmbledhësja tjetër qe një fletore, e cila në sllavisht përmbante relacione të themelimit për Kominternin.

Historia e zhdukjes së pesë dokumenteve themelore të PKSH-së ka një variant shpjegimi, sipas të cilit ato u vendosën për t’u ruajtur në “arkivin” e parë ilegal të saj. Kjo qe një shtëpi në rrugën Ceno Sharra, nr.83, në Tiranë. Ajo ishte banesa e komunistit shkodran Zef Ndoja, i martuar këtë kohë me Gjystina Satën, më vonë bashkëshortja e Ymer Dishnicës.

“Ceno Sharra nr.83” ishte edhe një nga bazat më kryesore, më të  sigurta dhe më të fshehta që PKSH kishte. Ajo mbeti sekrete deri në 4 maj 1942, kur u kontrollua nga karabinierët, sipas Prof. Frashërit, “për arsye të tjera”.

Për ta kuptuar këtë motiv jashtë politik, i cili asnjëherë nuk është bërë i qartë, mbetet të nënkuptojmë se pas ngjarjes shumë dramatike të zhdukjes së dokumenteve themelore të PKSH-së fshihet një “histori femrash” apo, mbase, prostitucioni militantësh komunistë. Për shkak se ndonjë pjesëmarrës ende është gjallë, nuk po e ngasim më tej këtë temë. Një moment i dytë mund të jetë më i përshtatshëm.

Ndërkohë po shënojmë për lexuesin se një kontroll policor i zakonshëm zbuloi në shtëpi “një depozitë të fshehtë, të maskuar me shumë kujdes nën dysheme, me anë të një shkalle nëpërmjet së cilës zbritej në banesën e Zef Ndojës, duke hyrë nëpër vetë depozitën nëpër një tunel, e puthitur me mjeshtri me një deriçkë, e lyer nga jashtë me të njëjtën ngjyrë si muri” (Teksti është marrë nga aktpadia e prokurorisë fashiste).

Katër fletoret dhe blloku me shënime, tre në shqip dhe dy në sllavisht, kur i gjetën, do të kishin jo pak interes për karabinierët, por ajo që synonin ata ishin armët. Nuk dolën huq. Në depozitën sekrete ndodheshin edhe 6 mina, 37 karikatorë të mbushur plot, 12 bomba dore, 4 karikatorë me nga 20 fishekë për pushkët mitraloza, 9 paketa me nga 3 karikatorë secila, si edhe mjaft fishekë për disa tipa pistoletash. Nuk mungonin në atë kthinë të fshehtë edhe një pushkë-mitraloz kundërajror, dy mosketa, një pistoletë, një makinë shkrimi, një ciklostil me të tëra pajisjet, letër dhe bojë për shtypje, një dollap farmaceutik për ndihmë të shpejtë në rast plagosjesh, një sasi e konsiderueshme dokumentesh rutinë si edhe traktesh, modele pasaportash, letërnjoftime të pambushura, por të vulosura...

Për këtë bazë materiale dhe dokumentare impresionuese të PKSH-së italianët nuk kishin më parë asnjë të dhënë. Ata nuk kishin ardhur aty për të gjetur atë çfarë u ra papritmas në dorë, por duke e ditur se qe një bazë komuniste, ishte mundësia e arrestimit të ndonjërit prej tyre e sidomos i Qemal Stafës, për prangosjen e të cilit ishin në ethe prej muajsh të tërë. Krerët e tyre kishin të njohur si eksponentët bolshevikë më të spikatur shqiptarë dhe si më të rrezikshmit Zef Malën dhe Qemal Stafën.

Këta dy qenë edhe më të dukshmit publikisht në gjyqin që Ahmet Zogu u bëri në 1938. Zef Mala ishte dokumentuar si kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare të para 8 nëntorit 1941 dhe me këtë akuzë u arrestua pas pushtimit italian dhe u internua në ishullin Ventontene. Ndërkohë kishte mbetur i lirë komunisti tjetër i rrezikshëm, Qemal Stafa.

Karabinierëve adresën “Ceno Sharra nr.83” e kishte dhënë, duke e dekonspiruar komunisti shkodran Ludovik Nikaj, anëtar i PKSH-së që në themelimin e saj. Ky, siç e rrëfen dinamikën e ngjarjes varianti i mbirë në periudhën e diktaturës dhe që ende sot ndikon jo pak, i përjashtuar nga partia jo për arsye politike, por jashtë saj, i kërcënuar me ndëshkim nga ajo, u largua prej Tiranës dhe u vendos në Shkodër.

Sipas variantit më të përhapur, i “arratisur” në vendlindje, i revoltuar nga dënimi dhe në shenjë hakmarrjeje ndaj partisë që tani po e përndiqte, si edhe me këtë rast për ta dëmtuar e bërë të parrezikshme për fatin e tij, ai u dorëzua në policinë e qytetit dhe në 2 maj 1942 rrëfeu gjithçka dinte për PKSH, përfshi përbërjen dhe programin si edhe aksionet e saj të deriatëhershme. Dy ditë më pas nga vetëdorëzimi i tij hakmarrës policia fashiste bastisi bazën në “Ceno Sharra nr.83”, ku edhe nis historia e trazuar, por edhe misterioze e zhdukjes së procesverbalit të mbledhjes partithemeluese të komunistëve shqiptarë.

Kontrolli i shtëpisë u krye në prani të Zef Ndojës dhe jo të Gjystinës, të cilën të nesërmen do ta gjejmë në një bazë tjetër, tashmë me emër të famshëm, sepse aty do të vritej Qemal Stafa.
 
(Vijon)

(D.T/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje