Gjyqtarja e Durrësit Joana Qeleshi nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për nisjen e një procesi displinor ndaj saj.

Por gjyqtarja Qeleshi ka pohuar se për këtë rast ajo ka folur nëpërmjet vendimit të dhënë për pronën në Gjirin e Lalëzit. “Kam folur përmes vendimit”- mësohet të ketë thënë gjyqtarja Joana Qeleshi pas interesimit të gazetarëve.

Gjyqtarja Qeleshi u akuzua nga ministri Manjani dhe kryeministri Rama për vendim të padrejtë, duke i dhënë një pronë familje Seçunim, e cila më pas u kthyer në shkak për dhunimin e biznesmenit libanez Faad Mitri.

Biznesmeni libanez, i cili do të kryente një investim 450 milionë euro në Gjirin e Lalzit u largua me barrelë nga spitali drejt aeroportit ku mori avionin për të ikur përfundimisht nga Shqipëria. Vendimi erdhi pasi u dhunua barbarisht nga disa persona të cilët e rrahën me shkop bejzbolli.

Ministri deklaroi dje se “Gjyqtarja është vlerësuar në vite, por ky është një vendim i rëndë në dëm të interesit të publikut. Ka shkelur ligjin dhe ka cënuar punën e gjyqtarit”.
Prona në Gjirin e Lalzit dhe rrahja e biznesmenit libanez Faad Mitri Gjyqtarja e Durrësit kanë shkaktuar debat dhe në arenën politike.

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë si aktorin kryesor që çoi deri në dhunimin e largimin e libanezit nga vendi, kurse kryeministri Rama akuzoi gjyqtaren e cështjes, (në këtë rast Qeleshin) se ajo ishte shkaktarja që dha vendimin e gabuar për pronën tek Gjiri i Lalzit.

(d.b/Shqiptarja.com)