Bashkëpunimi rajonal është elementi kyç në çimentimin e pajtimit, marrëdhënieve të mira të fqinjësisë, dhe stabilitetit e prosperitetit në Evropën Juglindore, tha sot Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanoviç.
 
Duke folur në konferencën rajonale dy ditore për anëtarësimin në BE, Svilanovic komentoi strategjinë e fundit të zgjerimit të BE-së dhe progres raportin e vendeve kandidate. Ai tha se duhet të vijojë progresi me reformat në secilin vend pa harruar bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë.
 
Svilanoviç, mirëpriti mbështetjen e Komisionit Evropian për Procesin e bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, (KBR) si dhe Procesin e Berlinit ku KBR është ftuar për të kontribuar dhe koordinuar aktivitetet në dy prej fushave me rëndësi të madhe për rajonin: - rritja ekonomike dhe lëvizshmëria.
 
Fokusi kryesor i KBR mbeten, konkurrenca, ndërlidhja, qeverisja e mirë dhe mobiliteti.  Sekretari Përgjithshëm i KBR foli edhe për punën e këshillit në fushën e sigurisë, veçanërisht në zhvillimin e një platforme rajonale kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm që prodhon terrorizëm dhe luftëtarë terroristë në Evropën Juglindore. 
 
Konferenca: "Bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore: punojmë së bashku drejt BE-së", mblodhi në Sarajevë 200 ekspertë nga organizatat ndërkombëtare, rajonale si dhe përfaqësues nga akademitë, shoqëria civile dhe OJF-të e rajonit, BE si dhe përfaqësues nga qeveritë e Austrisë, Gjermanisë dhe Komisionit Evropian. Qëllimi konferencës ishte krijimi mundësive për dialog të mëtejshëm dhe ndërlidhje të partnerëve dhe vendeve të rajonit.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)