Komisioni Parlamentar i Medias denoncon bllokimin nga dogana serbe e rreth 100 mijë librave në gjuhën shqipe, të dhuruara nga Kosova për Luginën e Preshevës. Deputeti Fatmir Toçi shprehet se duhet negocim diplomatik në këtë çështje.
 
“Nxënës të zgjuar, por pa libra; studente të etur për dije, por me diploma që nuk njihen në vendin e tyre; mësues të përkushtuar, por të patrajnuar asnjëherë; mbi 100.000 tekste shkollore të dhuruara për nxënësit shqiptarë të Luginës nga Kosova, por të burgosura prej muajsh në doganën e Preshevës nga autoritetet serbe… Në çfarë epoke po jetojmë dhe çfarë brezi të ri po përgatitim?! Mbi 70.000 shqiptarë jetojnë, punojnë e mësojnë aktualisht në Luginën e Preshevës, e organizuar në tre komuna (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), nga të cilët gati 10.000 janë nxënës nga klasa e parë deri të e 12-ta”- shprehet Toçi. 
 
Njohja me gjendjen dhe problemet e arsimit për shqiptarët në Luginën e Preshevës ishte qëllimi i vizitës të një delegacioni të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës dhe kryetarit të këtij këshilli Jonuz Musliu.
 
“E vonuar kjo vizitë nga komisioni i linjës, por, siç thuhet, më mirë vonë se kurrë kur është fjala për të rritur nivelin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojës dhe mbështetjen një komunitet që ka ngelur jashtë vëmendjes të të gjithëve.
 
“Mbi 100.000 copë tekste shkollore, dhuratë e Ministrisë së Arsimit të Kosovës për shkollat e Luginës së Preshevës janë bllokuar prej më shumë se dy muajsh në doganën e Preshevës në vend që ato sot të ishin në duart e nxënësve shqiptarë të Luginës. Një veprim arbitrar, pa asnjë shpjegim i institucioneve serbe, por edhe absurd deri në kufijtë e groteskut ndalimi i librit dhe diturisë sot, në shekullin e zhvillimeve marramendëse të teknologjisë së komunikimit, kur edhe çdo fëmijë ka një celular-internet në dorë me dritare të pafund për të parë botën pa kufi e doganierë me mendësi mesjetare. Besoj se ka ardhur koha, madje jemi të vonuar që të mos mbetemi vetëm të mesazhet politike e patriotike kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave dhe zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, por jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe këtu kam parasysh jo vetëm shqiptarët në Luginën e Preshevës, por edhe ata në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e vende të tjera, si dhe fëmijët e shqiptarëve në emigracion”-tha deputeti Toçi në përfundim të vizitës në Preshevë. 
 
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)