​Universitetet, Rama: Gjysmat
e kuotave të lira. Fiton merita

​Universitetet, Rama: Gjysmat<br />e kuotave të lira. Fiton merita
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Mesdhetar ku theksoi se çdo kandidat për student që përmbush kriteret do fitojë Universitetin. Sipas Ramës, radhën për regjistrim në Universitet sot e përcakton merita.

Në universitet, sot regjistrimi po bëhet me radhë. Dhe radhën po e përcakton merita, më të mirët përpara, të tjerët pas tyre dhe të papenguar, të pabllokuar, të paabuzuar, të papërjashtuar nga asnjë fuqi tjetër. As nga miku, as ga fisi, as nga leku, as nga shansi qorr i tjetrit, nga një proces ku secili mund të marrë vendin që i takon, dhe askush nuk mund t’i zere vendin duke përdorur fuqi jashtë meritës së vet. Kjo refomë e vendos fatin në duart e secilit. Qëkur fillon shkollën, që kur hyn në klasën e gjimnazit, cdo nxënës e nxënëse e ka vetë fatin në dorë dhe e vendos përmes rezultateve të veta”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, edhe pas fazës së dytë ka sërish kuota të lira, por që këto vende sigurisht, tha ai, do të fitohen me meritokraci.
Edhe pas fazës së dytë, gjysma e kuotave sërish të lira. Askush që përmbush kriteret s’do mbetet jashtë universitetit

Sipas tij,  është normale që Reforma për Arsimin e Lartë të kontestohet sepse, sic tha Rama, cdo risi përballet me këtë.
Jeni dëshmitarë sesi matura shtetërore shkatërroi cdo ssitem merite dhe sesi përjashtimi kategorik nga rezultatet e marra ndër vite shkatërroi cdo motiv burimi për të pasur konsisstencë. Të gjithë këto i përkasin së shkuarës, ndërkohë që sistemi që po zbatohet sot kontestohet si cdo risi në zbatim për herë të parë, por edhe si rezultat i inercisë i një mendësie që në fakt është armiku më i madh i zhvillimit të një vendi përmes konkursit e meritës”.


Fjala e Kryeministrit Edi Rama
E vërteta është se kur më thanë që kjo ceremoni zhvillohej në Pallat të Sportit, në fillim thashë mos ishin gabuar njerëzit e Protokollit, por kur erdha këtu, kuptova që komuniteti i këtij Universiteti është i mbledhur me shumë prindër dhe familjarë, për të cilët ishte e nevojshme Pallati i Sportit. E do më falin studentët dhe studentet, por dua ta filloj duke përshëndetur prindërit!

Me lejen e tyre dua ta shfrytëzoj këtë prani masive të prindërve, për të nënvizuar një fakt që është një ndër faktet më të rëndësishme të reformës tonë në arsim. Faktin që prindërit e këtij vendi janë po ata dhe janë të barabartë në të drejtën për t’ju dhënë fëmijëve, mundësinë më të mirë, qoftë kur fëmijët shkojnë në një universitet shtetëror, qoftë kur fëmijët shkojnë në një universitet privat.

Deri dje ka ekzistuar një ndarje e papranueshme, në këndvështrimin tim, mes universiteteve të nënës-shtet dhe të njerkut-privat. Një ndarje, e cila ka sjellë një deformim shumë të madh dhe ka prodhuar pasoja, të cilat do t’i përjetojnë në lëkurën e tyre prindërit dhe studentët e atyre universiteteve që ne u detyruam t’i mbyllim.

Ndërkohë që vizioni dhe bindja jonë është që universitetet e këtij vendi janë një, janë të gjitha universitete publike që financohen nga shteti apo privati dhe faktikisht, ndarja përfundimtare e universiteteve private nga qëllimet strikt fitimprurëse, shënon një nga hapat më të rëndësishëm të reformës tonë në arsim. Universitetet e financuara privatisht janë po kaq të vlefshme, po kaq të rëndësishme, po kaq të respektuara, sa universitetet e financuara shtetërisht.

Më e rëndësishmja, ashtu si universitetet e financuara shtetërisht dhe universitetet e financuara privatisht, sot nuk janë më ndërmarrje me qëllim fitimi, që prodhojnë diploma në varësi të aftësisë për të paguar, por janë institucione të arsimit të lartë që japin një shërbim publik. Për këtë, unë i jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë pasur kurajën, vendosmërinë, por mbi të gjitha, vizionin për t’u investuar në arsimin e lartë privat dhe për t’i dhënë vit pas viti, këtij arsimi, një cilësi që është konkurruese, por edhe një shtytje e madhe për t’i përmirësuar edhe universitetet shtetërore.

Prandaj me mirënjohje e përshëndes këtu, një mikun tim, Presidentin e këtij universiteti, i cili e nisi këtë aventurë shumë kohë më parë dhe sot është kontribuuesi kryesor në këtë nismë që i ka dhënë këtij vendi një universitet dinjitoz si universiteti juaj.

Faleminderit i dashur Anastas, për këtë kontribut! 

Përshëndetje edhe të gjithë të pranishmëve të tjerë! Dua t’u them vetëm pak fjalë për situatën aktuale.

Ne jemi sot në një moment historik për Arsimin e Lartë, pasi ka filluar zbatimi i një reforme rrënjësore që ndan përfundimisht të shkuarën nga e ardhmja. Sigurisht që është një reformë e thellë, zbatimi i së cilës nuk është i lehtë dhe frytet e së cilës do i shikojmë ndër vite. Por dy gjëra mund të thuhen me sigurinë më të madhe që sot, duke u nisur jo nga premisat, as nga aspiratat, por nga fakti se në universitet, sot regjistrimi po bëhet me radhë dhe radhën po e përcakton merita, më të mirët përpara, të tjerët pas tyre, të papenguar, të pabllokuar, të paabuzuar, të papërjashtuar nga asnjë fuqi tjetër, as nga miku, as nga fisi, as nga partia, as nga leku, as nga shansi qorr i tjetrit. Në një proces ku secili mund të marrë vendin që i takon, por edhe më e rëndësishme, askush nuk mund t’i zërë tjetrit vendin, duke përdorur fuqi jashtë meritës së vetë.

Kjo reformë e vendos fatin e secilit në duart e secilit. Që kur fillon shkollën, që kur hyn në klasën e gjimnazit, çdo nxënës dhe nxënëse e ka në dorë fatin e vet dhe mund ta vendosë vetëm përmes rezultateve të veta.

Kjo është një reformë dhe një proces që nuk përcakton thjeshtë një cilësi të re për Arsimin e Lartë, por përcakton një kthesë historike për vetë shkollën e mesme. Ju jeni të gjithë dëshmitarë të faktit sesi u shkatërrua shkolla e mesme dhe sesi nxënësit, në një moshë fare të njomë u vënë përpara detyrimit që të bënin zgjedhjen e imponuar të jetës së tyre, pa qenë ende ne kushtet për të bërë vlerësimin e duhur se çfarë donin të zgjidhnin.

Ashtu sikundër ju jeni të gjithë dëshmitarë sesi matura shtetërore shkatërroi çdo sistem meritë dhe sesi përjashtimi kategorik i rezultateve të marra në vite shkatërroi çdo burim motivimi, për të pasur konsistencë në çdo lëndë dhe në çdo vit.

Të gjitha këto i përkasin të shkuarës.

Ndërkohë që sistemi po zbatohet sot, kontestohet si çdo risi në zbatim për herë të parë, por edhe si rezultat i inercisë së një mendësie, e cila në fakt është armiku më i madh i zhvillimit të një vendi përmes konkurrencës dhe meritës. Të mendësisë se vajtja në universitet nuk ka lidhje as me meritën, as me rezultatet, as me konkurrencën, por është një e drejte e fituar që shteti duhet t’ia njohë të gjithëve, edhe sikur të gjithë të flenë gjumë. Kjo nuk mund të jetë kështu dhe nuk do mund të jetë më kështu.

Po flisja pak më parë me profesor Dhori Kulen, i cili po më thoshte atë që ne e kemi thënë që ditën e parë, e kanë thënë dhe të gjithë rektorët dhe dekanët e universiteteve që ditën e parë, që sistemi garanton konkurrencë, garanton meritë dhe këtë e garanton sipas radhës. Pas fazës së dytë të regjistrimeve, - po më thoshte profesori, - përsëri janë thuajse më shumë se gjysma e kuotave që mbeten të lira dhe vija e kuqe, që tanimë është përcaktuar sesi do të ulet për të përfshirë të gjitha ata që nuk kanë fituar në raundin e parë, nuk kanë fituar në raundin e dytë, do të garantojë që të gjitha kuotat e përcaktuara të plotësohen dhe kushdo që përmbush kriteret për të hyrë në universitet, të hyjë në universitet. Askush që mbush kriteret nuk do të mbetet jashtë. Ndërkohë që në asnjë rast nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh dot në sistemin që kemi ndërtuar, që dikush që është më i mirë ta gjejë veten mbas dikujt që është më pak i mirë sesa ai.

Atyre që thonë, pse ky proces duhej të zgjatej në këtë formë, duhet t’ju themi një të vërtetë shumë te thjeshtë; Procesi ishte po kaq i gjatë edhe vjet, edhe parvjet dhe me vite, por ishte jo transparent, zhvillohej jashtë vëmendjes së maturanteve, jashtë vëmendjes së prindërve, jashtë vëmendjes së trupës. Të gjithë prisnin rezultatet në fund të tetorit dhe askush nuk kishte as të drejtë ankimimi, as mundësi për të riparuar një dëm që mund të ishte bërë. Ndërkohë ajo që ka ndryshuar në kuptimin e kohës dhe të procesit është se të gjithë e kanë procesin në dorë, në celularin apo në kompjuterin e tyre. Sigurisht që është konkurrencë dhe konkurrencë pa stres nuk ka, garë pa ethe nuk ka dhe meritë që të afirmohet pa një proces të tillë nuk mund të ketë. 

Por një gjë është e sigurt, pas mbarimit të këtij procesi, universitetet do fillojnë mësimdhënien dhe nuk do të ketë më historira si ato të shkuarat, ku kishte degë që në fund të tetorit kishin 70 veta dhe në fund të janarit kishin 140 veta. Pra, shto ujë dhe shto miell, sepse miku, fisi, partia, leku dhe rrugët e tjera të jetës bënin punën e vet.

Duke e mbyllur, unë dua t’ju uroj me gjithë zemër sukses të gjithëve ju. Jam i bindur që universiteti juaj e ka bërë të vetën, prindërit tanimë e bënë të tyren. Koha për të gjithë ju që sot merrni diplomën është që t’i ktheni qoftë prindërve në radhë të parë, qoftë universitetit nga ana tjetër, investimin e bërë për ju. T’ia ktheni duke provuar me suksesin në jetën tuaj, se ka qenë investimi i duhur dhe se ju e keni merituar atë.

Keni përfunduar një universitet që është anëtar me të drejta të plota i EURAS-it që nga viti 2010, që është kontributor i drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe në nxitjen e cilësisë përmes konkurrencës, që kurrë nuk ka qenë një ndërmarrje fitimprurëse që shpërndante diploma përkundër parave dhe që promovon bashkëpunimin me universitete të tjera në Europë dhe deri në Azi. Janë 60 universitete nga Europa dhe Azia që kanë lidhje me universitetin tuaj dhe kjo është një provë e shkëlqyer e të vërtetës, me të cilin e nisa dhe me të cilën po e përfundoj.

Për ne, çdo hapësirë ku jepet edukim, ku garantohet arsimin, ku sigurohet dije, është e financuar nga shtetit, apo është e financuar nga privati, është një hapësirë ku ndërtohet një e ardhme më e mirë për këtë vend dhe si e tillë duhet mbështetur fuqimisht nga qeveria dhe nga shteti, pa bërë dallime, pa bërë diskriminime dhe pa lejuar që qoftë fëmijët e këtij vendi, qoftë prindërit e këtij vendi të ndihen në kategori të ndryshme, kur vjen puna për dije. Ne jemi të vendosur në këtë, le të na thonë çfarë të duan, mirëpresim të gjitha opinionet dhe orvatjet nga të katër anët, por as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë bindje në këtë pikë. Universitetet janë të gjithë të barabartë, përsa kohë janë të gjithë të akredituara dhe përsa kohë janë të gjithë garantë të investimeve të prindërve dhe të ambicies së të rinjve për të realizuar ëndrrat e tyre. Si të tilla, ne do t’i mbështesim po njësoj, pa asnjë dallim, me të gjithë fuqinë tonë.

Shumë faleminderit!​

[gallery]19118[/gallery]


(d.b/Shqiptarja.com)
 

 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën