Është 84 vjeçe por ende e fortët për të përballuar një virus famëkeq si ai i COVID-19 dhe të dalë triumfuese nga spitali Infektiv. Nënë Rukija është një nga luftëtaret e pamposhtura që ka fituar betejën e saj me koronavirusin dhe sot i është bashkuar njerëzve të dashur dhe familjarëve të saj.

Edhe pse e veshur me të zeza, për të, sot ishte një ditë e bardhë, plot shpresë dhe energji për të vijuar jetën e saj krahë nipërve dhe mbesave. Ajo është shoqëruar nga heronjtë e bluzave të bardha që po luftojnë çdo ditë me koronavirusin, për të shëruar sa më shumë pacientë dhe sot ishte fati i nënë Rukijes dhe 7 pacientëve të tjerë që lanë spitalin gjatë 24 orëve të fundit.

Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shkruan se “Nënë Rukija plot 84 vjeç ka lënë spitalin Infektiv e shëruar nga COVID19. 8 pacientë janë kthyer në shtëpi në 24 orët e fundit".

Deri në këto momente kanë fituar betejën e tyre me koronavirusin plot 154 pacientë dhe personel mjekësorë.