84-vjetori i lindjes së Kadaresë, Akademia e ripropozon për ‘Nobel’, studiuesi: “Gjenerali...”, vepra më e arrirë, ‘Nobeli’ gjysëm shekulli pas

Shkrimtari Ismail Kadare, i vlerësuar për kontributin që ka dhënë nëpërmjet veprave letrare monumentale, në ruajtjen e gjuhës edhe të identitetit tonë, por edhe në njohjen e Shqipërisë në mbarë botën, ripropozohet sërisht, si kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi. Në këtë 84-vjetor të lindjes, urimi i Akademisë së Shkencave, ishte nëpërmjet një letre të dërguar, Akademisë Mbretërore Suedeze, në të cilën ritheksohen arsyet, se përse shkrimtari shqiptar duhet që të vlerësohet me “Nobel”.

“Gjuha jonë, gjuha e krijimtarisë letrare në shqip, arriti shkallën më të lartë të fuqisë së saj shprehëse me veprën e Kadaresë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në mënyrë këmbëngulëse dhe me bindje të plotë për vendimin e saj, është prej shumë vitesh, tashmë prej dekadash, propozuese e ripropozuese e kandidaturës së tij për këtë çmim, duke e vlerësuar si një çështje merite, nderi dhe drejtësie”, shprehet kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Teksa rrëfen se vepra më e suksesshme në shkallë ndërkombëtare është “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, studiuesi Shaban Sinani argumenton arsyet, se përse ftesës së Akademisë Suedeze, i janë përgjigjur sërisht me emrin e Kadaresë.

“Për fat nuk është rutinë, sepse vit pas viti vepra e Kadaresë ka diçka të re. Vitin e kaluar pati tre çmime, por ai njëkohësisht vazhdon që të shtrihet në vende të tjera... Sikundër dihet, 'Nobeli' jepet për një vepër, jo për vepër jetësore. Besoj se një prej problemeve të vështira që duhet të kapërcejë 'Nobeli' në rastin e ballafaqimit me kandidaturën e Kadaresë, është lidhur me faktin se vepra më e suksesshme në shkallë ndërkombëtare është “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, që i ka dhënë përmasën ndërkombëtare edhe letërsisë shqipe. Prandaj, edhe rikthimi tek “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur", është rikthim gjysëm shekulli. Kjo do të thotë që vet 'Nobeli' duhet të shpreh një qëndrim autokritik, për vet faktin që nuk e ka vënë re në kohën e duhur këtë talent të jashtëzakonshëm të letërsisë europiane edhe botërore”, argumenton Sinani.

Kartolina e urimit për 84-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, i cili nuk ishte i pranishëm fizikisht në këtë takim, u plotësua edhe nga disa urime të studiuesve dhe shkrimtarëve të tjerë, që ishin të pranishëm në tryezën e organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit.
“Edhe pse trajtoi tema të vështira, nuk harroi asnjëherë se letërsia duhet që të jap kënaqësi. E dha këtë kënaqësi estetike, si askush. I dha dritë gjuhës shqipe, me sintaksën më elegante që ajo ka. Duke fjalëformuar, jo duke qëmtuar me të tepërt nuk e lodhi lexuesin, por e mrekulloi. Kadare ka një vepër me vizion botëror, sepse lexuesit të huaj, ajo nuk i duket e huaj”, shprehet shkrimtarja Diana Çuli.

“Për ne njerëzit, që ishim përtej perdes apo nga qytete të tjera të Shqipërisë për të blerë veprën e Kadaresë, na është dashur që të shesim gjërat më të shtrenjta, për të blerë një gjë tjetër edhe më të shtrenjtë. Përpos veprës së tij universale ku trajtoheshin barbarizmat, jo të diktaturës, na jepte shpresë se barbarizmi një ditë përfundon, ndërsa e bukura mbetet”, shprehet shkrimtarja Vera Bekteshi.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare u rrit në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës. Ai u formua në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki". Është vlerësuar me disa çmime brenda edhe jashtë vendit dhe është përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme. Ka qenë disa herë pretendent për “Nobel” në letërsi, ndërsa jeton sot mes Parisit dhe Tiranës.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 29/01/2020 08:25

    Meqenese e dekllaroi dhe vete shoku Skënder , akademia do ja japi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit