Një veshkë derri e modifikuar gjenetikisht ka arritur që për 9 muaj të ndihmojë marrësin që të mos t’i nënshtrohet dializës deri në momentin e transplantit.
Kjo shënon suksesin e parë të përdorimit të organit të një kafshe si urë drejt transplantit me veshkë njeriu.
Pacientit, një 66-vjeçar që jetonte me insuficiencë të veshkave të shkaktuar nga diabeti i tipit 2 dhe që kishte kryer hemodializë për dy vjet para transplantit, iu vendos organi i derrit në janar 2025.
Për Tim Andrews nuk kishte një dhurues të gjallë të disponueshëm dhe ishte vendosur në listën e pritjes për transplant veshke nga një dhurues i vdekur, për të cilin koha e pritjes ishte më shumë se pesë vjet.
Veshka e derrit kishte 69 modifikime gjenomike për të përmirësuar përputhshmërinë dhe sigurinë, dhe arriti të siguronte funksionimin e veshkave pa dializë për 271 ditë.
Sipas studiuesve, organi i transplantuar filloi të funksiononte menjëherë. Nëntë muaj pas transplantit, veshka u hoq pasi nuk po funksiononte më. Pacienti nuk shfaqi shenja të antitrupave kundër indeve njerëzore, gjë që do ta kishte bërë pothuajse të pamundur pranimin e një veshke njerëzore prej tij, dhe as nuk shfaqi shenja të infeksioneve të transmetuara nga kafshët.
Ai e mori veshkën njerëzore më herët se sa pritej, sepse mjekët gjetën një organ dhuruesi me nivelin më të lartë të mundshëm të përputhshmërisë së indeve.
Sipas studiuesve, ky nivel përputhshmërie është “i pazakontë dhe kryesisht i paparashikueshëm” dhe, sipas politikave standarde të shpërndarjes së organeve, i jep pacientit përparësi të konsiderueshme.
Transplantimi i organeve të derrit të modifikuara gjenetikisht është propozuar si një zgjidhje për mungesën e organeve. Megjithatë, transplanti i parë i një veshke derri te një pacient i gjallë, në vitin 2024, përfundoi pas 52 ditësh, kur pacienti vdiq nga probleme të zemrës që nuk kishin lidhje me transplantin. Asnjë studim i mëparshëm nuk kishte dokumentuar mbijetesë të një ksenografti (transplantimi i një organi midis specieve të ndryshme) për më shumë se dy muaj.







Komente
Komento