90-vjetori i lindjes së Alfred Uçit, nipit të Luarasëve. E bija: Donte ta kujtonim, si atdhetar demokrat dhe liberal

Akademiku Alfred Uçi do të festonte këtë dhjetor 90-vjetorin e lindjes. E për këtë kontributin e tij, si drejtues ku pati një rol të dukshëm dhe transformues në institucionet shkencore e publike, si studiues i letërsisë dhe arteve, si zë i përveçëm në përfaqësimin e shkencës shqiptare në forume diturake në botë, por edhe si kapedani i fundit, nipi familjes patriotike të Luarasëve, kujtohet nga akademiku Vasil Tole.

“Së pari, do të thoja se profesor Alfred Uçi na iku shpejt, duke llogaritur dinamizmin edhe energjinë që ai kishte për jetën dhe punën kërkimore shkencore. Në këndvështrimin tonë jeta dhe veprimtaria e akademikut konsiderohet, si përfaqësuesi më i shquar i brezit të dytë të akademikëve të Shqipërisë...

Ai ishte një shkencëtar që tërë jetën e vet ia kushtoi zbulimit dhe analizimit të rrënjëve, në studime dhe identitetin tonë kulturor. Nuk e ndan dot jetën dhe kontributin e profesor Uçit me thikë, se pas përfundimit të studimeve universitare në Moskë ai ishte themelues në katedrat tona, i filozofisë edhe në mënyrë të veçantë i estetikës. Ai ka drejtuar Komitetin e kulturës, Institutin e Antropologjisë Kulturore”, tregon Tole.

Tole, përpos kontributit të Uçit në shkencën shqiptare, thekson edhe se vepra e tij, qw çdo ditë vazhdon të lexohet nga brezat pasardhës  

Nuk dua të zgjatem me vepra që i kanë siguruar kryet e vendin për krijimtarinë e Naim Frashërin, Kadarenë, Migjenin etj. Ai jo vetëm ishte shkencëtar i madh, por edhe pinjoll i një familje patriotike të Shqipërisë. Me Alfred Uçin është larguar pjesa fizike e tij, pjesa tjetër është mes njerëzve, sepse lexohet edhe shfrytëzohet çdo ditë”, shprehet akademiku Vasil Tole.

Albana, vajza e profesor Uçit na rrëfen amanetet dhe porositë  e fundit të të atit.

“Babi më mungon. Më mungon pa fund. E kam të vështirë që në ditën e 90-vjetorit të lindjes së tij, që emocionet janë të pafundme kur unë të flas për njeriun më të shtrenjtë dhe të afërm, që nuk është më i pranishëm për ne. Ai la një dhomë me dokumente, libra dhe studime. Kjo më ngushëllon shumë, se kur unë lexoj veprat e tij jam me të. Babin e adhuroja pa fund për vullnetin e tij të hekurt, ai kishte një vullnet që më bën ta krahasoj me Niçen shumë herë. Gishtat e tij bënin gjimnastikë të përditshme nga mëngjesi në dark. Si fillim në makinën e shkrimit dhe shumë më vonë në tastierën e kompjuterit”, tregon e bija.

Drejtësia dhe vërtetësia tek ai për Albanën ishin tipare të pazgjidhshme, ishin si muzikë në shpirtin e tij.

“Babi ishte për një botë të hapur, ai e donte jetën. Ai donte kat’harsin. Idhuj kishte Fan Nolin, Ismail Qemalin, stërgjyshin Petro Nini Luarasin, dajën e tij Skënder Luarasin. Më thoshte: Këta janë kapedanët e atdhetarizmit”, vijon ajo, duke theksuar edhe momentet e fundit.

“Në minutat e fundit, kur la disa amanete më kujtohet që na tha në familje. “Më kujtoni si atdhetar dhe si demokrat liberal”. Ai ishte kundër diktaturave, donte lirinë, lirinë e shpirtit.  Idhujt e tij botërorë kanë qenë Shekspiri, Dostojevski, Servantesi, një ndër librat e tij ka qe filozofia e Don Kishotizmit. Ai e ka lexuar Don Kishotin e Servantasit në gjimnaz, derisa ka bërë analizën e tij. Më thoshte se tre gjëra duhet të merrni me vete pasi të vdisni, Biblën, Simfoninë e 9 të Beethovenit edhe Don Kishotin e Servantesit”, përfundon e bija.

Profesor Alfred Uçi në 60 vjet krijimtari arriti të botoi rreth 20 vepra monografike.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë