Antraksi, qese me pluhur në rezidencën amerikane

TIRANE (20/10/2001) Frika e mikrobit Antraks mbërrin në Shqipëri. Pluhuri i bardhë vdekjeprurës që aktualisht mban nën terror gjithë botën dhe veçanërisht Amerikën, dyshohet "fort" të jetë postuar edhe në drejtim të institucioneve amerikane që veprojnë në vendin tonë. Pas mbërritjes së një zarfi të dyshimtë në Bankën Amerikane në Tiranë (u "rrëmbye" nga specialistët e CIA-s dhe Antiterrorit të SHIK-ut) dje pasdite një qese e vogël e mbushur me pluhur të bardhë është gjendur e mbështjellë me një gazetë në shkallët e një prej rezidencave të Ambasadës Amerikane në qendër të kryeqytetit shqiptar. Nuk ka konfirmime nëse të dyja këto "pako" kanë pasur brenda tyre armën biologjike që rrjeti i Bin Ladenit ka zgjedhur së fundi për të goditur amerikanët, por të dyja rastet janë trajtuar nga shërbimet sekrete shqiptare dhe të huaja, si situata të rënda "Antraks". Antraks Mikrobi i Antraksit ose, siç njihet në Shqipëri, i sëmundjes së plasjes, që e ka orgjinën nga kafshët gjedhore, ka vënë në vigjilencë kohët e fundit agjentët sekretë amerikanë, britanikë dhe shqiptar. Kështu, dje rreth orës 17, një prej rojeve të rezidencës amerikane që gjendet mbrapa Piramidës, ka pikasur te shkallët e saj një gazetë me të cilën ishte mbështjellë "diçka". Kur e ka hapur ai, ka parë në këtë "pako" një qese të vogël plastike të mbushur me disa gramë pluhur të bardhë. Nuk e ka prekur, por ka dhënë alarmin. Brenda pak minutash rezidenca amerikane është rrethuar nga shumë agjentë të CIA-s, FBI-së, Antiterrorit të policisë dhe SHIK-u. Rreth 15 minuta më pas kanë mbërritur edhe specialistë të ekspertizës kriminalistike. Për më shumë se 40 minuta askush nuk ka guxuar të prekë qesen me pluhurin, për të cilin të gjithë dyshonin se ishte Antraks. U duk hapur që antiterroristët tanë nuk zotërojnë ende mjetet e duhura për raste të tilla (faktikisht janë porositur maskat dhe istrumentet e tjera). Rreth orës 17 e 45 minuta "pakoja" misterioze është marrë dhe është çuar në një laborator biologjik për t'iu bërë analizat. Sipas ekspertëve dy analizat e para kanë rezultuar negative, por pritet që sot të bëhet një e tretë më e sofistikuar. Paniku Në katin e parë të vilës luksoze që shërben prej shumë kohësh si rezidencë për punonjësit e Ambasadës Amerikane, ndodhet një lokal. Të parët që janë përballur me numrin e madh të policëve dhe përjetimin e panikut, ishin pikërisht klientët e lokalit që ndodheshin aty në momentin e alarmit. Dëshmitarë okularë rrëfejnë për "Gazetën", se vetëm një metër larg karrigeve të fundit në verandën e lokalit, polici i rojës ka parë një gazetë, brenda së cilës fshihej diçka e dyshimtë. Kur ai, kurioz, e ka lëvizur gazetën, ka parë se aty ndodhej një qese me pluhur të bardhë. Mbërritën urgjentisht dhjetëra policë shqiptarë, "civilë" amerikanë dhe të SHIK-ut. Gjithandej nisën pëshpërimat nën zë: "Eshtë Antraks." Frika se lajmi ishte i vërtetë, ka bërë që vetëm për pak minuta klientët të largoheshin. Gjatë inspektimit të vendit të ngjarjes, në lokal kishin mbetur të vetmuar kamerieri dhe një amerikan që priste të merrte fund rrëmuja e krijuar nga pluhuri pa emër. "Kisha vetëm pak minuta që kisha marrë turnin, kur pashë policët të grumbulloheshin. Thanë se dyshohej për antraks", shprehet kamerieri i lokalit, i cili gjithsesi nuk duket edhe aq i frikësuar sa të huajt e shumtë që gjendeshin përreth vilës ku dyshohet se mbërriti arma e tmerrshme biologjike e Bin Ladenit.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie