"Dritanit i çojnë shumë pako në burg"

(4/6/2000)Gjatë 22 ditëve të qëndrimit në qelitë e bur gut 313 Dritan Avdylin e ka marrë dy herë në pyetje prokuroria, ndërkohë që e ëma 74 vjeçare dhe vëllezërit kanë shkuar ta takojnë e t'i heqin merakun për fëmijët. Prokurori Shkëlqim Gani që është i ngarkuar për zbulimin e çështjes Erieta ka shkuar dy herë në qelitë e 313-tës për të marrë në pyetje Dritanin në prani të avokatit të tij Hysni Beti. Për herë të fundit ai është marrë në pyetje ditën e martë të kësaj jave. Familjarët, e ëma plakë dhe dy vëllezërit më të mëdhenj Lulëzimi e Artani kanë shfrytëzuar të treja takimet mujore që janë parashikuara nga ligji për personat e paraburgosur. Gardianët të thonë se shumë shefa komisariatesh, oficerë dhe policë të thjeshtë shkojnë interesohen për të dhe i dërgojnë ndonjë pako. "Nga ato që na tregojnë gardianët dhe nga pakot që i venë Dritanit po mësojmë se sa shumë miq dhe shokë paska patur ai", thotë i vëllai Artani. I vendosur në një nga qelitë e katit të dytë, Dritani vazhdimisht qëndron në heshtje dhe flet shumë pak. Vrasja e Erietës, dhe e ardhmja e fëmijëve e kanë thyer shumë thotë e ëma. Vizitat Gjylishaja, e ëma e Dritanit tregon për vizitën që i ka bërë atij përpara disa ditësh. Ajo është prekur dhe ka qarë për të birin, i cili është përpjekur që ta ngushëllojë duke i kërkuar të mos mërzitet. Gjatë tre javëve të qëndrimit në burg Dritanin e ka vizituar vëllai i madh Luli dhe Artani, të cilët e kanë siguruar se fëmijët janë shumë mirë dhe ai të mos shqetësohet për shëndetin e tyre. Hyseni kujton kontrollin që i është bërë shtëpisë së Dritanit ku tashmë banon vetëm ai me Gjylishanë. "Duhet të ketë qenë 25 maj, kur një prokuror dhe dy persona të tjerë kanë ardhur për të bërë kontrollin e dytë në shtëpi. Ata janë interesuar më tepër për dhomën e gjumit. Në fund na kanë dhënë për të firmosur një shkresë, të cilën nuk kishim as syze ta lexonim. Nuk na kanë lënë procesverbal për kontrollin që bënë", pohon Hyseni. Me familjen Sokoli thotë ai nuk kam patur asnjë kontakt me përjashtim të së motrës, e cila më ka telefonuar dy herë gjatë kohës që ka qëndruar në Shqipëri pas varrimit të Erietës. Informacionet që marr për këtë çështje thotë Hyseni, i mësoj nga gazetat, dhe i kam ruajtur të gjitha, pavarsisht se ç'kanë shkruajtur ato. Me kryeprokurorin e Tiranës kam folur në telefon dhe e kemi takuar përpara disa ditësh në prokurori, ku u interesuam për djalin" thotë babai i Dritanit. Vrasësi Pasditen që është zhdukur Erieta, Dritani ka qenë në punë me shokët thonë prindërit e tij. "Ai nuk kishte pse ta vriste Erietën, pasi ajo ishte nëna e fëmijëve të tij", thotë Hyseni. Më tej ai vazhdon "Jam në pritje të mësoj kush është ai njeri që ka bërë një krim të tillë të përbindshëm, kushdo qoftë duhet të marrë një dënim të merituar. Unë i respektoj prindërit e Erietës pavarsisht nga fatkeqësia që u ka ndodhur. Por mos harro se edhe unë jam në hall, madje në një hall më të madh se ata. Mua më është vrarë nusja e vogël, më kanë ngelur pa nënë nipërit e vegjël, më është arrestuar djali që e akuzojnë për vrasjen e saj. Njerëzit e Erietës janë nga veriu e unë e di edhe ç'thotë kanuni për raste të tilla. Vrasja e një gruaje është dyfish më e rëndë se vrasja e një burri". Hyseni 75 vjeçar përfundon duke thënë se përveç pleqërisë, sëmundjes së zemrës dhe tensionit tashmë i janë trefishuar hallet, dhe nëse ka dikush që kërkon të mësojë i pari se kush vrasësi i Erietës, pikërisht ky njeri është ai. Vrasja e Erietës, burgimi i Dritanit, plagosja e fëmijërisë së Erdrit e Siborës, brengosja e familjes Sokoli e Avdyli do të lehtësohen vetëm atëherë kur të zbulohet se kush është autori që masakroi gruan 33 vjeçare në kulmin e jetës së saj.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)