Edi Rama jep llogari para Këshillit Bashkiak

TIRANE (4/28/2001) Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka sqaruar dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pyetjet e depozituara që prej disa muajsh në sekretarinë e këtij këshilli. Kanë qenë anëtarët Kujtim Gjuzi dhe Gogo Gjivogli që kanë kërkuar interpelancën me kryetarin e Bashkisë për paratë e miratuara nga Këshilli Bashkiak, për kthimin në identitet të Parkut Rinia dhe Lanës, për Parkun Kobëtar te liqeni artificial, si dhe për planin e ri urbanistik. Ballafaqimi mes palëve do të kryhej në datën 23 shkurt dhe më pas në 24 mars, por Rama sqaroi se nuk është paraqitur, jo për mungesë transparence, por se ka qenë me punë jashtë shtetit. Kryetari i Bashkisë, Rama, tha se 50 milionë lekë të miratuar nga ky këshill, janë shpenzuar kështu: 30 milionë për investime, 15 milionë për shpenzime operative dhe 5 milionë për aktivitete kulturore. Ndërsa për Parkun Rinia, Rama tha se dje në Qeveri u miratua shuma për operacionin e pastrimit, rrethimin që do të kryhet brenda 48 orëve, si dhe projektin e Parkut. Për Lanën, kryebashkiaku shpjegoi se është një projekt mbi pastrimin e shtratit, që kushton 18 milionë lekë, por që është i parakohshëm, duke shtuar se heqja e mbeturinave ndërtimore ka kosto të lartë. Rama, duke shprehur respekt për “demokristianët myslymanë”, vijoi të shpjegojë se, për Parkun Kombëtar do të vendoset një taksë për 67 ndërtimet e paligjshme që do të përdoren për mirëmbajtjen e Parkut. Për planin urbanistik, kryebashkiaku tha se po plotësohet në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Urbanistike, harta e zonimit. Ai tha se kryeqyteti është degraduar, pasi para 10 vjetësh në Tiranë ka pasur 17 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për frymë, ndërsa tani ka vetëm 2 metra, duke thënë se PD-ja, bashkë me aleatët, kanë ngrënë 15 metra katrorë bar. “Më lini rehat ta bëj këtë punë, mos bëni luftë, por na ndihmoni të pastrojmë fekalet e administratës së shkuar”, - tha Rama në fund të shpjegimit të tij. Ndërsa dy anëtarët e Këshillit Bashkiak, që i drejtuan pyetjet, pasi i thanë kryebashkiakut të mos përdorë fyerje, i shpjeguan rolin e tyre të opozitës që nuk janë për t’i fërkuar krahët, por të kritikojnë në se puna është e dobët.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kompanitë në proces të rikthimit, pas avarisë teknologjike