Festë e dhurata fëmijëve të policëve që humbën jetën

(22/12/2001)DURRES Dje në orët e mesditës Prefektura zhvilloi një takim me familjarët e policëve të vrarë dhe me fëmijët e tyre. Aktiviteti kishte si qëllim që të kujtonte policët e vrarë, por edhe të gëzonte fëmijët e tyre nëpërmjet shpërndarjes së dhuratave. Atmosfera e festave në këtë fundviti ka nisur të ndjehet këto ditë, kur veç fluksit të emigrantëve të cilët vazhdojnë të vijnë për të festuar në vendin e tyre, kanë nisur edhe aktivitetet e para nëpër institucionet e Durrësit. Aktiviteti i djeshëm, i cili u organizua nga Prefektura në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Durrësit, u zhvillua në sallën e madhe të prefekturës. Kishin ardhur familjet e të 16 policëve të vrarë në krye të detyrës, të cilët janë nga Durrësi dhe nga Kruja, pikërisht në rrethet që shtrihet kjo Prefekturë. Morën pjesë prefektja Paço dhe drejtori i policisë Ruçi. Në këtë takim të zhvilluar për herë të parë nga Prefektura - pasi gjithmonë ka qenë policia ajo që në bashkëpunim me organizata jo qeveritare i ka zhvilluar këto, - u tha edhe një herë se Shteti do t'i ketë kurdoherë në vëmendjen e tij këta fëmijë, deri sa ata të dalin në jetë. Në Prefekturën e Durrësit 10 prej familjeve të policëve të vrarë banojnë në rrethin e Durrësit dhe 6 në rrethin e Krujës. Vetëm 3 javë më parë në mjediset e Drejtorisë së Policisë ishte organizuar një tjetër takim me këto fëmijë, të cilin e pati sponsorizuar Kryqi i Kuq Shqiptar duke shpërndarë ndihma në veshmbathje dhe ushqime, ndryshe nga takimi i djeshëm kur fëmijët morën pako me dhurata tradicionale për festat e fundvitit. Ndërsa në ditët që do të vijnë këta fëmijë do të jenë të pranishëm në të tjera takime festive, të cilat organizohen tradicionalisht në Durrës në vigjilje të Vitit të Ri.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie