Gjermania punëson romët

GJIROKASTER (3/11/2000) Fati iu vjen në derë rreth 600 romëve që jetojnë në qytetin e Gjirokastrës. Kjo, pasi për ta kanë lindur shpresa të reja punësimi, duke bërë të mundur më së fundi, që talenti i tyre në fushën e artizanatit do të shpërblehet. Gjithashtu, që të krijojë kushte më të mirë jetese dhe duke bërë të mundur integrimin e tyre në shoqëri. Kanë qenë përfaqësuesit e shoqatës gjermane "Demokracia", të cilët janë interesuar për veprat artistike që prodhojnë romët nga përpunimi dhe përdorimi i thuprave të shelgjeve. Kryetari i kësaj shoqate, Peter Krimel, i habitur nga bukuria e këtyre punimeve, ka hedhur idenë, që punime të tilla, si shporta të llojeve të ndryshme e të tjera artistike të këtij arti, të gjejnë treg shitjeje në Gjermani. Madje, Krimel, ka filluar edhe kontaktet për tregtimin e këtyre punimeve në Gjermani. "Arti i punimit të këtyre prodhimeve është i një klasi të lartë dhe mendoj, se ato do të gjejnë një treg të mirë shitjeje në Gjermani", është shprehur Krimel, gjatë kontakteve me anëtarë të Zyrës rajonale së OSBE-së në Gjirokastër. Sipas tij, kjo gjë do të ndikojë, që romët të mos punojnë vetëm sezonalisht, por gjatë gjithë vitit, si dhe do bëjë të mundur integrimin e këtij komuniteti në shoqëri. Krimel, anëtarë të kësaj shoqate dhe përfaqësues të OSBE-së, kanë vizituar disa herë komunitetin rom në Gjirokastër, si dhe janë interesuar për jetesën e tyre, duke bërë edhe një vlerësim të nevojave më imediate, që ka ky komunitet. Në vizitën e fundit, të zhvilluar pardje, përfaqësuesit e shoqatës "Demokracia", kanë shpërndarë rreth 50 pako me veshmbathje, pajisje higjienike, detergjentë, lodra për fëmijë në këtë komunitet. Kështu, për rreth 600 romët që jetojnë në lagjen "Zinxhira", duket se diçka do të ndryshojë në jetën e tyre. Ka të ngjarë, që një pjesë e madhe nuk do të emigrojnë më në shtetin fqinjë, Greqi, ku dhe kanë bazat e ekonomisë së tyre, por të bëjnë prodhime artistike dhe të fitojnë po aq, duke i shitur ato në tregjet gjermane. Për romët, aktualisht dy janë burimet e jetesës, emigracioni dhe pjesëmarrja e orkestrave të tyre nëpër dasma. Dhe, tani atyre do t'u shothet edhe një burim tjetër financiar, ai i prodhimit e shitjes së punimeve artistike. "Demokracia" ka dy vjet që është e pranishme në Jug të vendit. Ajo ka qenë veçanërisht e pranishme gjatë krizës kosovare, duke dhuruar për të ardhurit, mjaft ndihma humanitare, e po kështu edhe për romët. Përveç ndihmës për romët, ajo ka dhe një program ndihme edhe për shtëpinë e fëmijëve në Sarandë, ku vizitën e fundit, kjo shoqatë u dhuroi 50 fëmijëve të kësaj shtëpie nga një pako me ndihma, si dhe ka ndihmuar këtë shtëpi me pompa për furnizimin me ujë të pijshëm. Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e kësaj shoqate kanë sjellë me vete edhe një specialist okulist, për t'u bërë test atyre fëmijëve që kanë probleme me sytë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)