Itali: Bllokohet 1 ton drogë, sërish vinte nga Durrësi

ANKONA (1 Dhjetor)(1/12/2001) - Më shumë se një tonelatë marihuanë dhe hashash, që në treg kapnin shumën e 10 miliardë liretave, u sekuestruan në Portin e Ankonës nga Guardia di Financa. Edhe një herë droga ishte nisur nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga Policia Shqiptare. Gjithashtu u arrestua një shqiptar, 30 vjeç, dhe shoferi i kamionit në të cilin ishte fshehur droga. Për zonën e Markeve dhe veçanërisht për Portin e Ankonës -që prej vitesh është kthyer në një nga pikat më të prekura nga trafiku i lëndëve narkotike- kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar deri tani. Kamioni ka zbritur nga anija "Egitto Expres", e cila edhe kësaj radhe është nisur nga Porti i Durrësit. Në këtë port kamioni kishte kaluar të gjitha procedurat, sipas rregullave, dhe kishte kaluar edhe filtrat e policisë, që shtohen nga dita në ditë. Fakti që kamioni ka qenë bosh, ka ngjallur dyshimet e policisë portuale. Kjo e fundit menjëherë ka marrë masa dhe ka nisur kontrollin e mjetit, e ndihmuar edhe nga qeni i specializuar për këtë detyrë, Fogar. Bëhet fjalë për të njëjtin qen që tri ditë më parë kishte zbuluar 10 kilogramë heroinë, të cilat kishin mbërritur nga Greqia. Qeni Fogar ka nuhatur diçka të dyshimtë brenda rimorkios. Kjo ka bërë që agjentët të binden se diçka nuk shkonte. Ata kanë shtuar kontrollet dhe kanë zbuluar se kamioni kishte një dysheme të madhe të dyfishtë, ku ishte sistemuar droga. Janë dashur orë të tëra punë për të shkarkuar gjithë sasinë e drogës. Bëhej fjalë për 1232 pako me marihuanë, me peshë gjithsej 1261 kilogramë, dhe 336 pako hashash, që peshonin 88 kilogramë. Gjithsej janë zbuluar e sekuestruar 1349 kilogramë substanca narkotike. Sipas agjencisë ANSA, Policia ka arrestuar menjëherë shoferin.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie