Kapen klandestinë e drogë

DURRES (12/3/2000) Në orën 18.00, të datës 1 pas një informacioni të dhënë nga një agjent i policisë kriminale në kalatën lindore është ushtruar kontroll në hambarët e anijes tregtare "Neba", me kapacitet 1500 tonë. Ajo i përket Portit të Shengjinit, me pronar Nexhat Mblloja, nga Shkodra. Nga kontrolli në anije, u gjendën 17 klandestinë, që të gjithë shtetas shqiptarë nga Lezha, Shkodra e Laçi. Destinacioni i tyre ishte Italia. E ndërsa u ndaluan klandestinët për të filluar procedura e pyetjeve dhe verifikimet nëse mes tyre ka të kërkuar nga policia ka përfunduar i arrestuar motoristi i anijes Bilal Dani, 43 vjeç, nga fshati Bërdicë, i rrethit të Shkodrës. Ai u akuzua për trafik klandestinësh. Të gjithë klandestinët, si kanë pohuar disa prej tyre kishin paguar nga 1 deri në 1.5 milionë lekë të vjetra për të mbërritur në Itali. Sipas dokumenteve anija do të shkonte në Mal të Zi dhe më pas do t'i drejtohej brigjeve italiane. Po në zbatim të planit të operacionit të madh për luftën kundër trafiqeve ditën e premte forcat e zyrës rajonale të antidrogës në bashkëpunim me policinë kriminale si dhe policinë e qytetit të Shijakut kanë ushtruar kontroll në banesën e Përparim Guzës, 27 vjeç, në fshatin Koxhas, të Shijakut. Atij iu gjendën 16 pako me bimë narkotike të presuara të mbështjella me letër natribani. Pesha e drogës së kapur ishte 8 kilogramë e 522 gramë. Në përfundim të operacionit është ndaluar Guza, si dhe është sekuestruar sasia e drogës së kapur. Ndërsa në orën 14.00, po të ditës së premte, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative toga e çarmatimit, pas një krehjeje në fshatin Karpen të komunës së Maminasit, gjeti në një bunker 6 kilogramë e 500 gramë bimë narkotike të futur në një thes me material lini si dhe 2.8 kilogramë farë bime narkotike. Nëndrejtori i Policisë, Arben Uruçi, tha se "në operacionin që ka filluar para 1 muaji janë të angazhuara të gjitha strukturat e policisë, ndërsa në një periudhë 5-mujore kjo polici ka bërë të mundur kapjen e sekuestrimin e 160 kilogramëve drogë të tipeve kokainë, heroinë, kanabis, vaj droge si dhe pajisje për prodhimin e tyre. Po punohet për gjetjen e rrugëve, nga të cilat mbërrin droga deri në Durrës, pasi dihet që në këtë rreth ajo nuk kultivohet.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)