Koçiu kolumbianëve: Ja garancitë e mia

(3/2/2002) (vijon nga numri i djeshëm) Në qershor të vitit 1999 vjen nga Italia në Shqipëri me tragetin "Skënderbeg" një eksponent kolumbian i ftuar nga i pandehuri Frederik Durda. Për nxjerrjen e tij pa vizë në pikën e kalimit kufitar Vlorë, ka ushtruar influencën e tij si funksionar policie i pandehuri Sokol Koçiu, i cili ka dërguar shoferin e vet, deklaruesin Elton Kumi, duke realizuar futjen e në tokën shqiptare të bosit të drogës. Në datën 14 nëntor 1999 dërgohet në Shqipëri shtetësja italiane Lida Çestari, lidhje e Serxho Aguilierës, ky i fundit lidhje e drejtpërdrejtë e De La Vega Ivan, personazh në majë të organizatës kolumbiane të trafikut të drogës. Serxho Aguiliera rezultonte me lidhje të qendrueshme në Itali dhe në Spanjë dhe që kishte marrë përsipër organizimin dhe përgatijen e strukturës në Shqipëri, ndërsa Lida Çestari do të kujdesej për aspektet e organizimit të importit dhe riciklimit që rridhte nga të ardhurat e shitjes së narkotikut, e ndihmuar nga i vëllai i saj, Luixhi, dhe Selene Pulieze, nëpunëse në një institut bankar të Milanos. Garancitë Në aeroportin e Rinasit në Tiranë ajo është pritur nga i pandehuri Sokol Koçiu, i cili ka realizuar kalimin e saj jashtë pikave të kontrollit dhe, në dalje, janë takuar me të pandehurin Frederik Durda, që kishte dalë për ta pritur. Pasi e kanë sistemuar në Hotel "Tirana International", ditën e nesërme, të pandehurit: Sokol, Frederik dhe Din Gjonaj e kanë dërguar në portin e Durrësit, duke i treguar lehtësitë që krijonin këta për ankorimin e anijeve. Prej andej e kanë shoqëruar në Vlorë, duke e njohur me bazën e nëndetëseve si një mundësi tjetër e sigurt për transportimin e narkotikëve, në Himarë etj. Veç kontaktit me terrenin, të pandehurit realizonin përpara saj edhe faktin tjetër: se sa kredibilitet kishin në këto ambiente ku mund të vepronin si të dëshironin, pa asnjë pengesë. Në bisedat me të, të pandehurit bëheshin garant se me mjetet që dispononin, me kredibilitetin që kishin dhe lidhjet e tjera ishin në gjendje të magazinonin dhe shpërndanin sasira të konsiderueshme droge. Me këtë rast i pandehuri Sokol Koçiu i kërkon Lida Çestarit të interesohej për mikrospie (aparate përgjimi, kamera etj.) të cilat do t'i nevojiteshin atij të mbante nën kontroll situatën për të ruajtur veten dhe pjesëtarët e tjerë të organizatës gjatë realizimit të këtij aktiviteti kriminal. Vendimi Pas studimit të kushteve, infrastrukturës, si dhe vetë personave që bëheshin garantë për magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës në sasira të mëdha, në takimin e bosëve të drogës Ivan De La Vega e Jorge Garsia, vendoset që t'u jepet shqiptarëve sasia prej 6 tonë kokainë, e cila do të transportohej me anije nga Venezuela (Puerto Ordaz) në brigjet e Shqipërisë. Më datën 26 janar 2001 i pandehuri Arben Bërballa pret në Bari, Itali, Velez Uribe Pedro, pjesëtar i organizatës kriminale të trafikimit të drogës, lidhje e drejtpërdrejtë e De La Vega Ivan. Të dy së bashku udhëtojnë drejt Shqipërisë me anijen "La Vikinga" dhe "Pedro" strehohet në banesën e marrë me qira nga i pandehuri Frederik, vilë që ndodhet përballë gjimnazit "Partizani", e pajisur me numër telefoni 251840 në Tiranë. Ardhja e "Pedros" në Shqipëri shënonte finalizimin e aksionit për imbarkimin dhe transportimin e narkotikut nga Venezuela në Shqipëri dhe ishte kjo arsyeja e qëndrimit të tij në vendin tonë për një periudhë të gjatë kohe. Infrastruktura Për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe të pandehurit: Frederik Durda, Arben Bërballa, Din Gjonaj e Sokol Koçiu tashmë kishin arritur në ngritjen e një infrastrukture të nevojshme dhe të gatshme për t'i shkuar deri në fund aksionit. Të pandehurit Frederik Durda e Arben Bërballa ishin administratorë dhe bashkortakë të "General Trading" Sh.p.k. me numër telefoni 263408, me seli në Tiranë. Sipas dokumenteve të përpiluara në Maltë, në La Valleta, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa rezultojnë bashkëpronarë të motoanijes "Privilege", e emërtuar më parë MISTY. Nën emrat Nikolla Papa (Frederik Durda) e Arben Balla (Arben Bërballa) kanë krijuar në La Valleta, shoqatën e emërtuar "Privilage martine" L.t.d. (përfitim detar me përgjegjësi të kufizuar) me adresë 147/1 Str."Lucia", Valleta, regjistruar më 27.09.1999 me nr. regjistri C25193. Të pandehurit janë përfaqësuar në përpilimin e dokumentacionit dhe veprimet e tjera nga Paul Mizi, jurist në Maltë, i cili ka vepruar në emrin e tyre mbi bazë prokure. Si pjesëtarë të kësaj shoqate, të pandehurit kanë pasur për qëllim të justifikonin blerje, shitje, marrje e dhënie me qira të mjeteve të lundrimit detar, të përcaktuara në statutin e shoqatës. Skafi Nga fundi i vitit 1999 të pandehurit arrijnë të sigurojnë një skaf me 4 motorë, me nga 480 fuqi secili, me gjatësi të hambarit 8.75 m/l, të sjellë nga Mali i Zi. Skafi është sjellë në mënyrë ilegale dhe është ankoruar në portin e Durrësit nga i pandehuri Sokol Koçiu, i cili, duke qenë funksionar policie, ka ndikuar në autoritetet e këtij porti, me pretendimin se ai skaf ishte pronë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe do të përdorej prej saj për të luftuar trafikun klandestin dhe kontrabandën që zhvillohej në det. Në datën 26 mars 2000 vjen në Shqipëri, nëpërmjet Greqisë, Nestor Manues Gutierres Sanches (Pako)i datëlindjes 1957, lindur në Panama, banues në Kolumbi, anëtar i organizatës kriminale ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ai ka kaluar kufirin greko-shqiptar me ndërmjetësinë e Frederik Durdës dhe ka ardhur në Tiranë duke u strehuar në të njëjtën vilë ku qëndronte prej kohësh edhe Velez Uribe Pedro. Më datën 28.03.2000 Pako udhëton nga Tirana në Romë, ku bashkohet me familjen e tij dhe fëmijët. Në bisedë me bashkëshorten, ai i tregon asaj mbi rrugëtimin Greqi-Shqipëri dhe sqaron se bashkëpunëtorët në Shqipëri ishin shumë të fuqishëm, kishin në zotërim gjithçka, mund të kalonin çdo gjë në vendin e tyre, falë influencës së padiskutueshme të shefit të antimafies në Shqipëri. Pas kësaj vizite, në datën 02.04.2000 Pako kthehet në Bogota me bindjen se eksponentët shqiptarë ishin të kompletuar në realizimin e aksionit që kishin marrë përsipër. (Vijon në numrin e ardhshëm)

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie