"Kulla burg të përjetshëm"

TIRANE (22/12/2000) Burgim të përjetshëm për të pandehurin Nehat Kulla. Kjo është masa e dënimit që ka kërkuar prokurori i çështjes Bujar Hoxha në seancën e djeshme gjyqësore. Nehat Kulla, mbi të cilin rëndon një mal akuzash, nuk ka qenë dje vetë i pranishëm në seancë, për arsye shëndetësore. Burgim të përjetshëm ka kërkuar prokurori për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit Fatmir Thaçi. Ky shtetas kishte pasur marrëdhënie me gruan e të pandehurit Kulla kur ky i fundit ka qenë në burg dhe, sipas organit të akuzës, ky ka qenë dhe motivi i krimit. Edhe për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta (bëhet fjalë për një furgon të policisë me tetë veta brenda, katër nga të cilët janë plagosur nga breshëritë automatike), prokurori Hoxha ka kërkuar burgim të përjetshëm. Ai e ka cilësuar Nehat Kullën si një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Të palogjikshme dhe të pabesueshme ka quajtur prokurori alibinë e ngritur nga i pandehuri për një numër të madh armësh, të cilat i janë gjetur në shtëpi. Kulla ka deklaruar në proces se ato armë ia ka sjellë shtetasi Halil Haklaj, i cili ishte thirrur si dëshmitar. Dje u konfirmua vdekja e tij me një shkresë nga Prokuroria e Përgjithshme. Nuk ka se si Haklaj të ketë sjellë armët nga Tropoja, tha prokurori. Armët janë grumbulluar nga banorët e lagjes". Për akuzën e mbajtjes së armëve luftarake dhe municionit ai ka kërkuar 5 vjet heqje lirie. Prokurori ka përmendur në konkluzionet përfundimtare edhe parullën e dikurshme të të pandehurit Nehat Kulla. "Ne jemi komisariati nr.5 i kryeqytetit". Edhe heqjen e paligjshme të lirisë së shtetasit Gëzim Ziri, prokurori e ka quajtur shenjë të një bande të armatosur. Për këtë akuzë ka kërkuar 8 vjet heqje lirie. Thëniet e disa prej dëshmitarëve në sallën e gjyqit, procesverbalet, referimet ndaj dosjeve të mëparshme, kasetat filmike kanë qenë argumentat me të cilët Prokurori Hoxha pretendon të provojë akuzat e shumta ndaj Kullës. Ndërsa për të pandehurin tjetër, i cili është arrestuar së bashku me Nehatin, Ismet Ramadanin është kërkuar masa e dënimit me 8 vjet heqje lirie. Ai akuzohet për krijim të bandës së armatosur dhe për armëmbajtje pa leje. Të mëdha kanë qenë pretendimet e Ramadanit gjatë gjithë seancave të zhvilluara deri tani. Ai nuk ka pranuar në asnjë mënyrë akuzën që e rëndon më tepër, atë të krijimit të bandës së armatosur. Sipas avokatit të tij, Shanaj, ai akuzohet vetëm për të rënduar pozitën e të pandehurit Nehat Kulla. Në seancan e ardhshme pritet dhe fjala e mbrojtjes. Të dy avokatët që dje kanë nxituar t'i quajnë akuzat të pavërtetuara në hetimin gjyqësor.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët