Lulzim Cakën "e tradhëtuan" plagët e vjetra

(26/12/2001)TIRANE Kapja e "të tmerrshmit të Samaticës", Lulzim Caka, në Foxha të Italisë, i ka dhënë fund mitit të super-kriminelëve beratas. Lajmi për kapjen e tij mesditën e djeshme rreth orës 12 ka mbërritur në Policinë Shqiptare nga burime konfidenciale në Itali, të cilat kanë pasur dijeni për vendndodhjen dhe veprimtarinë, si dhe kapjen aksidentale të tij. Policia Italiane "është habitur" kur është lajmëruar dje në mesditë nga krerët e Policisë dhe Interpolit Shqiptar se, mes 250 të shoqëruarve gjatë 48 orëve të fundit, mund të ishte edhe numri Një në listën e super të kërkuarve në vendin tonë, Lul Caka. Gjithçka ka nisur pas një kontrolli rutinë të karabinierisë së qytetit të Foxhas, në përfundim të të cilit janë shoqëruar shumë shtetas të huaj, mes të cilëve edhe një person që njihej si "spanjoll", i cili nuk e dinte gjuhën e vendit që i përkiste pasaporta e dyshimtë. Ishte 36-vjeçari Lulzim Caka, i cili gjithsesi është shoqëruar në ambientet e Policisë Italiane, pasi është kapur bashkë me prostiturën K. Selfa duke i paraqitur policisë lokale pasaportën me emrin Bekim Arifi. Gjatë kontrollit momental i është kapur edhe një pistoletë, ndërsa në banesën ku jetonte prej pak kohësh, edhe një pasaportë spanjolle me foton e tij dhe emrin Francisko. Rastësisht Edhe pse krerët e Policisë Shqiptare në deklaratat e tyre janë përpjekur që kapjen e Cakës në Itali t'ua faturojnë "punës" së tyre, superkilleri është arrestuar fare rastësisht. Sipas burimeve pranë Interpolit, Caka është shoqëruar mesditën e djeshme në qytetin e Foxhas së bashku me një grup tjetër shqiptarësh, të cilët kanë qenë të dyshuar si trafikantë prostitutash, droge dhe që lëviznin me dokumente të falsifikuara. Pas bastisjeve që policia u ka bërë banesave të njerezve që kishin pritur dhe strehonin "vipin" e kriminalitetit shqiptar përtej detit, njëri prej tyre u ka paraqitur një pasaportë me emrin Bekim Arifi, në fotografinë e së cilës ishte vetë Lul Caka, dalë muajt e fundit. Sipas të njëjtave burime të sigurta, 36-vjeçari i akuzuar për 12 vrasje dhe i njohur si gjobvënës i famshëm, pasi është bindur se Policia Italiane (rajonale) dinte për atë vetëm faktin se mbante armë pa leje dhe shoqërohej me një prostitutë, ka tentuar t'ia hedhë me kaq. Ai ka kërkuar avokat, duke pretenduar se ishte në gjendje të paguante shumën e nevojshme (kaucionin) për t'u ndjekur penalisht në gjendje të lirë. Si u zbulua Ka qenë një telefonatë anonime nga Italia, e një shqiptari me të cilën janë lajmëruar krerë të Policisë së Beratit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme, për faktin se mes shumë shqiptarëve të shoqëruar mesditën e djeshme në Foxha, gjendej edhe Lulzim Caka. Interpoli Shqiptar, menjëherë pas kësaj, është vënë në veprim duke u kërkuar kolegëve të INTERFORC-ës që të verifikonin (sipas skedës së Cakës, i cili prej kohësh është shpallur në kërkim ndërkombëtar) të gjithë shqiptarët e ndaluar për çfarëdo lloj arsye gjatë 48 orëve të fundit. Fillimisht verifikimi dhe konfirmimi i lajmit anonim, se Caka gjendej në qelitë italiane, ka qenë mjaft i vështirë për faktin se dje ka qenë ditë pushimi për të gjitha zyrat në kryeqendrën e katolicizmit botëror. Gjithsesi, një kombinacion i shkëlqyer dhe në kohë rekord mes Interpo- Tirana dhe misionit italian në vendin tonë, INTERFOC, ka bërë që Policisë së Foxhas t'u dërgohen shenjat dalluese të veçanta të fizikt të Lulzim Cakës. Italianët kanë marrë informacionin paraprak se njeriu që kërkohej aq shumë në vendin fqinj, kishte mbi vetullën e majtë një të çarë rreth 2 centimetra dhe në këmbën e djathtë një plagë të madhe plumbi. Pas verifikimeve të shpejta që bëri Policia e Foxhas, dje rreth orës 14 e 30 minuta u konfirmua se shqiptari i quajtur Bekim Arifi dhe që posedonte pasaportën spanjolle me emrin Francisko, ishte vetë legjenda e krimit ne vendin tonë, Lulzim Caka.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie