Moti, dhjetra fshatra asnjë lidhje e ndihmë

(11/1/2002) KUKES Situata në Veri e Verilindje të vendit vazhdon të jetë kritike. Janë me dhjetra fshatrat dhe komunat, të cilat, që nga dita e fillimit të reshjeve të dëborës, nuk kanë pasur asnjë kontakt me qytetet. Madje, as ndihma nuk u janë dërguar, si pasojë e motit të keq, ndërsa për gjendjen e tyre nuk dihet asgjë. Situata jo fort e mirë është edhe në Lindje të vendit dhe në Juglindje të tij. Megjithëse shtresa e dëborës është ulur pak, akulli ka mbuluar rrugë të tëra, si në Librazhd, Pogradec, Korçë e Gjirokastër. Madje, ka pasur edhe të vdekur e të plagosur si pasojë e kësaj situate. Janë plot 28 fshatra në rrethin e Kukësit, 6 në rrethin e Hasit, të cilat nuk kanë më asnjë lidhje me qytetin, apo ndonjë vend tjetër ku mund të marrin ushqime apo materiale të tjera të domosdoshme. Ndërsa pak më ndryshe duket situata në Tropojë, ku në shumë fshatra nuk shkon makina, por banorët udhëtojnë në këmbë deri në qytet, duke përjashtuar fshatrat e komunës Lekbibaj. Burime nga Pushteti Lokal i Kukësit, kanë bërë të ditur se 5 fshatrat e komunës Arrëz, 4 të Grykës së Çajës, 5 të Bushtricës, 5 të Shishtavecit dhe 5 të Zapodit, të gjitha këto me nga 4 deri në 6 mijë banorë ndodhen tërësisht të izoluara. Madje, duke përjashtuar Zapodin, në komunat e tjera nuk është dërguar asnjë pako me ndihma, pasi helikopterët nuk kanë mundur të ngrihen si pasojë e motit të keq. Ndërsa dje, në Kukës ka mundur të hyjë autobanka, e cila ka çuar në bankën e rrethit lekët e pensioneve, rrogave e përkrahjes sociale. E njëjta situatë është edhe në komunën Gjinaj të Hasit, ku 6 nga 7 fshatrat e saj janë plotësisht të bllokuara dhe sipas të njëjtave burime, ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Ndërsa në Tropojë, fshatrat Çerem, Rragam, Bradozhnicë, Shipshan, Degë, komuna Lekbibaj, dhe qyteza Kam vazhdojnë të jenë të bllokuara, ndërsa me ndihma janë furnizuar. Ndërsa për komunën e Shalës të Malësisë së Madhe, dy helikopterë të Komandës së COMMZ(W) kanë çuar ndihma. Situata e rëndë ndodhet edhe në Lindje e Juglindje të vendit. Rrugët janë të ngrira plotësisht, ndërsa një pjesë e tyre vazhdon të jetë e bllokuar. Kështu, në Librazhd, Prrenjas, Pogradec, Korçë e Gjirokastër, çdo gjë është e mbuluar nga akulli dhe qarkullimi i mjeteve është mjaft i rrezikshëm. Ndërsa ka filluar komunikimi me fshatrat e thella. Ndërkohë, një 16-vjeçar nga rrethi i Librazhdit ka rrezikuar seriozisht jetën. Tomorr Topi nga fshati Guizavesh ka rrëshqitur duke rënë në lumin Shkumbin, nga një lartësi prej 30 metrash. Pasi ka dalë nga uji, ai thuajse është ngrirë dhe pas mjekimit në spitalin e Librazhdit është dërguar për në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie