Mërgata politike shqiptare nëpër kampet e Italisë

(19/1/2001)Odiseja e Kupit, Frashërit, Dostit dhe nacionalistë e të tjerë nga Bari, Rexhio-Emilja e Santa De Leucas në rrugën drejt Amerikës dhe thirrja e Zogut për të rrëzuar Enver Hoxhën (vijon nga numëri i kaluar) Teksa në mëngjezin e 23 nëntorit 1944, peshkarexha e ulqinakut Sulejman Latifi që ishte nisur nga porti i Tivarit, në të cilën kishin hipur rreth 60 shqiptarë eksponentë të Ballit e Legalitetit e familjarë të tyre, po mbërrinte në afërsi të brigjeve të Brindizit me një flamur të bardhë në direkun e saj, një anije luftarake e Forcave Aleate e drejtuar nga oficerë britanikë, ju afrua dhe e rimorkioi pas vetes deri në molon e portit që ruhej nga forca të shumta ushtarake. Mbërritja në Brindizi Krerët nacionalistë nuk ju besuan syve, kur në kalatat e portit panë njerëz të armatosur me uniformën me yll të kuq të partizanëve jugosllavë të Josif Broz Titos. Por ajo gjë, nuk ishte ashtu siç e kujtuan ata, të armatosurit, ishin me të vërtetë partizanë jugosllavë të Marshallit Tito, por si përfaqsues të misionit jugosllav, pranë Komandës Aleate të Mesdheut me qendër në Bari, të cilët kishin zyrën e tyre në portin e Brindizit. Sapo anija me emigranët politikë shqiptarë u ankorua në molon e portit ku e tërhoqi anija e misionit britanik, nën shoqërimin e disa ushtarakëve të Forcave Aleate, i zbritën të gjithë një nga një duke i kontrolluar, me përjashtim të grave dhe fëmijëve që nuk i ndaluan fare. Të gjithë emigrantët, ballistë e legalistë pas kontrollit të përciptë fizik, ju nënshtruan më pas procedurave të pyetjeve që ju bënë oficerët anglo-amerikanë. Pyetjet e tyre ishin të ndryshme, por kryesisht ata donin të dinin nga emigrantët politikë, se përse ishin larguar nga Shqipëria dhe kush ishin synimet e tyre. Këtyre procedurave, përsëri ju shpëtuan gratë dhe fëmijët. Pas kësaj, ata i hypën nëpër kamionë të mbuluar dhe i dërguan në një ndërtesë që dikur kishte shërbyer si shkollë për fëmijët, të cilën e kishin adaptuar si kamp për pritjen e emigrantëve. Kjo shkollë ku u vendosën të gjithë pjestarët e forcave nacionaliste, nuk ishte shumë larg nga porti i Brindizit ku zbarkaun ata fillimisht. Në kampin e Grumos Tek ajo ndërtesë, burrat i ndanë veç grave dhe fëmijëve e ju dhanë të gjithëve pako me ushqime. Të nesërmen e asaj dite, aty tek ndërtesa e shkollës ku emigrantët shqiptarë kaluan natën e parë në tokën e huaj, mbërritën ushtarakët e Forcave Aleate dhei morën të gjithë për ti dërguar në kampin e Grumos. Po në këtë kamp, bashkë me shqiptarët u dërguan dhe 20 ushtarët italianë që kishin udhëtuar së bashku me ta që nga qyteti i Shkodrës. Kurse 5 çetnikët serbë, i ndanë prej tyre dhe i dërguan në një kamp në qytetin e Barit. Në kampin e Grumos, të gjithë emigrantët shqiptarë u lanë e u pastruan dhe u paisën me nga dy batanije që do ti përdornin për të fjetur. Një nga ata emigrantë që ishte dhe eksponentët kryesor i Ballit Kombëtar, (A.P.) kujton se në kampin e Grumos, kushtet ishin shumë të këqia dhe ata i futën të gjithë në një çadër të madhe e fjetja ishte në tokë ne mes të baltës. Po kështu ai kamp ishte i rrethuar me tela dhe ruhej me ushtarë të armatosur që nuk lejonin asnjë nga emigrantët që të largohej prej andej. Për tre katër ditë me rradhë, në atë kamp vinin dy oficerë britanikë të cilët merrnin në pyetje Mithat Frashërin e Ali Këlcyrën, që njiheshn më tepër se të tjerët për vetë të kaluarën e tyre si politikanë të lartë të organizatës së Ballit Kombëtar. Kur nuk kishin kaluar më shumë se pesë ditë nga mbrritja e emigrantëve shqiptarë në brigjet italiane, më datën 28 nëntor, aty në kampin e Grumos, u mblodhën të gjithë për të festuar ditën e flamurit, që ishte dhe festa Kombëtare e Shqipërisë. Në ato ceremoni të improvizuara, e morën fjalën e rastit Mithat Frashëri dhe Zef Pali (eksponent i Ballit) nga Shkodra. Gjatë fjalës që ata mbajtën, pas tyre qëndronte gatitu, me flamurin kuq e zi në dorë, Luan Dosti një nga të rinjtë e Ballit, që ishte djali i avokatit të njohur Hasan Dosti. Gjatë atyre ditëve të qëndrimit në kampin e Barit, kreu i Ballit Kombëtar Mithat Frashëri, interesohej vazhdimisht për vendndodhjen e mikut të tij të ngushtë major Abaz Kupit. Për Bazin ai nuk kishte asnjë të dhënë që nga dita që u ndanë në kalanë e Prezës, pas sulmit të përbashkët që forcat e tyre ju bënë autokollonës gjermane. Frashëri donte të takohej me Kupin, pasi shpresonte shumë tek ai, duke e ditur simpatinë që anglo-amerikanët, gëzonin ndaj tij. Komunistët takohen me ballistët Pasi kaluan një javë në kampin e Grumos, emigrantëve politikë shqiptarë ju dhanë urdhër të përgatiteshin, sepse do ti transferonin për në kampin e Barit. Pasi i hypën të gjithë nëpër kamiona, ata mbërritën në kampin e Barit, ku kushtet ishin shumë më të mira se në Grumo. Komanda e kampit herë pas here, ju jepte leje emigrantëve politikë për të dalë në qytetin e Barit, sipas nevojave që kishin. Kështu A.P. kujton se një nga shokët e tij ballist, i quajtur Ali Tremishti (nga Përmeti) kërkoi leje i pari dhe doli në qytet. Ai takoi një nga shokët e tij të vjetër, Skënder Malindin, që kishte qenë komandant i çetave partizane të Skraparit dhe pasi ishte plagosur rëndë në luftë, ishte marrë nga Forcat Aleate për tu kuruar në spitalin e Barit. Takimet e ballistëve me ish kundërshtarët e tyre partizanët, nuk mbaruan me Malindin. Pas disa ditësh në kampin e Barit shkoi për vizitë kapiten Nuri Huta, që ishte partizan dhe pjestar i delegacionit, të Misionit Ushtarak shqiptar, që kryesohej nga Kolonel Kadri Hoxha, i cili ishte akredituar pranë Komandë së Forcave Aleate të Mesdheut. Kapiten Nuri Huta, në kampin e Barit u takua dhe zhvilloi bisedime me Mithat Frashërin e Vasil Andonin, për të cilin kishte simpati të veçantë që nga koha që e kishte pasur Profesor në gjimnazin e Tiranës. Në Santa Maria De Leuca Aty nga mesi i muajtit janar 1945, pasi emigrantët politikë kishin qëndruar ne kampin e Barit, u njoftuan të bëheshin gati se do të transferoheshin për në kampin e Santa Maria de Leucas. Ky kamp, ndodhej në pikën më jugore të Gadishullit Apenin (në fundin e takës së çizmes) dhe ishte si një fshat turistik, ku emigrantët i vendosën nëpër shtëpia e vila me kushte shumë të mira, të cilat ishin përgatitur për ushtarakët e Forcave Aleate, por ishin refuzuar prej tyre. Në atë kamp, u dërguan të gjithë emigrantët politikë, me përjashtim të Mithat Frashërit, Vasil Andonit e pronarit të anijes Sulejman Latifit, të cilët u arrestuan para nisjes nga kampi i Barit. Asnjë nga emigrantët shqiptarë nuk e mësoi të vërtetën e ndalimit të tyre. Atyre vetëm ju thanë,se do ti dërgonin në një kamp tjetër nga ai i De Leucas. Në atë kamp, që ishte pika më jugore e Apenineve, emigrantët shqiptarë qëndruan me kushte shumë të mira deri nga fundi i muajit gusht 1945, kur i njoftuan se do të ndëronin përsëri vend, për ti dërguar në Rexho-Emilja. Gjatë atyre tetë muajve, në atë kamp, nisën të vinin dhe shqiptarë të tjerë që arratiseshin nga Shqipëria, për ti shpëtuar ndjekjeve të komunistëve të cilët kishin filluar një terror të egër, me vrasje, burgime dhe internime ndaj ish kundërshtarëve të tyre. Në Rexhio-Emilja Në kampin e Rexho-Emiljas, emigrantët politikë shqiptareë u sistemuan në një ndërtesë që ishte ngritur për "Caza Balila"-t. Edhe në këtë kamp, kushtet e jetesës si fjetja dhe ushqimi ishin shumë të mira, si në atë të Santa De Leucas. Pak ditë pas mbërritjes së tyre në atë kamp, të gjithë emigrantët u gëzuan pa masë kur panë të vinin aty dhe Mithat Frashërin me Vasil Andonin e Sulejman Latifin që i kishin arrestuar në Bari. Pas pak ditësh, emigrantët shqiptarë i ndanë në dy grupe. Njërin grup në të cilin bënin pjesë krerët e Ballit, M. Frashëri, V. Andoni, H. Dosti, F. Quku, e pasuesit e tyre Rushdi Daca, Emin Kopliku, Teki Xhindi etj, si dhe legalistët Sali Myftija, Mul Bajraktari, Selim Damani, Zydi Karagjozi, Sadik Shaska, Arif Peza, Hysen Prishtina etj, i mbajtën aty në kampin e Rexho Emiljas. Bashkë me ata, në atë kamp, qëndruan dhe disa nga krerët e "Bllokut Indipendent", që kishin mbërritur më pas në kampet italiane, siç ishin Tahir Kolgjini, Munir Tërshana, Man Kukaleshi, Mehmet Bej Olltuni etj. Kurse në grupin tjetër që u dërgua në kampin e Barletas, bënin pjesë Xhemal Laçi, Ago Agaj, Irfan Ohri, Jahja Mancaku, Asllan Mersini, Hamza Drini, Dule Sevrani, Akil Derhani, Mexhit Xhaferi etj. Aty nga fundi i vitit 1946, në kampin e Rexhio-Emiljas ku vazhdonin të vinin emigrantë të tjerë politikë që arratiseshin nga Shqipëria, mbërritën një sasi e madhe ndihmash humanitare në ushqime dhe veshmbathje të cilat i kishte dërguar Mbreti Zog nga Egjypti. Lidhur me këtë gjë A.P. një nga eksponentët legalistë që ishte në Rexhijo-Emilja kujton:" Pakot që na dërgoi Mbreti Zog, nuk ishin vetëm për ne emigrantët politikë, por aty kishte për të gjithë shqiptarët që ishin në Itali. Pas mbërritjes së tyre, pranë kampit tonë erdhën dhe shumë shqiptarë të tjerë nga qytete të ndryshme të Italisë, kryesisht studentë që u furnizuan me to". Nga Italia në Damask Emigrantët politikë që ishin në kampin e Rexhjo-Emiljas, qëndruan aty deri nga fundi i vitit 1947. Hera herës shumë prej tyre transferoheshin për në kampin e Banjolit, që ishte vend tranziti dhe nga aty ata shpërndaheshin në vende të ndryshme të botës, si në Amerikë, Kanada, Australi, Brazil, Venezuelë etj. Kjo u arrit pasi për emigrantët shqiptarë kryesisht djemtë e rinj, interesoheshin ambasadat e atyre vendeve që ishin të akredituara në Itali. Emigrimi i shqiptarëve nga Italia nëpër botë, vazhdoi deri nga viti 1948, ku një pjesë e madhe e tyre që ishin në kampin e Banjolit kërkuan të shkonin në Siri. Për të shkuar në Siri, emigrantët politikë shqiptarë, u ndihmuan nga zonja Mirvete Sula që ishte konsulle e Mbretërisë shqiptare në Egjypt, pasi Mbreti Faruk i Egjyptit, vazhdonte të njihte ende qeverinë në mërgim të Mbretit Zog, të cilin e kishte strehuar familjarisht në një vilë luksoze në Aleksandri.Zonja Sula i paisi me viza pashaportat e Mbretërisë shqiptare që i kishin ende shumë prej emigrantëve politikë dhe me anë të organizmave të ndryshme të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve u bë e mundur pagimi i një vaporri që i mori ata nga porti i Napolit për në Siri. Ndër emigrantët që shkuan në shtetin arab, ishin Arif Peza, Neshat Kolonja, Jahja Mancaku, Mul Bajraktari, Isa Manastirliu, Hamza Drini, Xhelal Bushati, Mato Murati, Hafuz Azemi, Daut Azemi, Haki Omari, Reshat Biçaku, Dervish Biçaku, Sadik Mollasi. Bashkë me këtë emigrantë, për në Siri shkuan dhe Zonja e ish Ministrit të Jshtëm shqiptar Mehmet Konica me dy vajzat Lavdien e Merushen. Mërgata politike shqiptare u prit mjaft ngrohtë në Damask dhe për ta u kujdes personalisht vetë Kryetari i Shtetit Shykëri Kuatli, i cili ishte miku i ngushtë i Mbretit Zog. Me interesimin e tij, të gjithë shqiptarët u sistemuan dhe ju dha asistenca nga shteti. Në fillim emigrantët shqiptarë i vendosën në Damask, nëpr disa dhoma pranë xhamisë së Sulltan Selimit, kurse familjarët në shtëpi të mira. Pas kësaj, shumë nga emigrantët që donin të punonin, u sistemuan në punë të ndryshme. Në Damask, për emigrantët shqiptarë u interesua dhe Shefqet Gavoçi, djali i Sulejman Gavoçit nga Shkodra i cili kishte porosi të veçantë nga Mbreti Zog. Pas grupit të Italisë në Damsak mbërritën dhe grupi i kosovarëve me Xhafer Devën, Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin, Rexhep Krasniqin, Rauf Maliqin etj, të cilët u sistemuan në shtëpi të veçanta. Thirrja e Zogut dhe shpërndarja e mërgatës Grupi i shqiptarëve të Sirisë, qëndroi aty deri në gushtin e 1949-ës, e më pas u shpërndanë në SHBA, Kanada, Australi etj. Nga emigrantët që mbetën në Itali, vetëm një pjesë e vogël e tyre qëndroi aty, kurse të tjerët u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të botës. Krerët e Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni e disa të tjerë pasues të tyre, jua aprovua kërkesa dhe shkuan për në SHBA. Aty nga fillimi i vitit 1948, Mbreti Zog thirri në Egjypt, të gjithë krerët kryesorë të mërgatës politike shqiptare që ishin shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Kësaj thirrje ju përgjigjën edhe ish kundërshartë e tij si Mustafa Merlika e disa krerë të Ballit. Aty mungoi vetëm Mithat Frashëri. Zogu ju tha atyre:" Në doni ta shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e komunizmit, hajdeni e mblidhuni të gjithë dhe krijoni qeverinë. Unë do tju mbështes pa rezerva." Abaz Kupi pas fjalëve të Mbretit rendi për në Nev York, për ti mbushur mëndjen Mithat Frashërit që të vintë për tu takuar me Zogun. Të nesërmen e asaj dite që Kupi i rregulloi pashaportën, Frashëri u gjet i vdekur në dhomën e tij. Pas kësaj mërgata politike shqiptare u përça nga konfliktet e ndryshme që kishin filluar prej kohësh ndërmjet tyre, duke krijuar disa komitete, gjë e cila i krijoi mundësinë Enver Hoxhës, që ta mbante e ta forconte më tej pushtetin e tij komunist.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)