Në autobusin shqiptar kapen 31 kile heroinë

(26/11/2000)Bllokohen 31 kilogramë heroinë në një autobus që udhëtonte nga Turqia drejt Shqipërisë. Sasia e heroinës së pastër është gjetur e futur në tri tavolina, të cilat ndodheshin në bagazhin e autobusit. Ndërkohë, është ndaluar edhe pronari i tavolinave, një shtetas turk, emri i të cilit nuk është bërë i njohur. Droga Autobusi i një agjencie udhëtimesh turke, që bën linjën nga Turqia në Shqipëri dhe anasjelltas, është nisur ditën e premte pasdite nga Stambolli në drejtim të Tiranës. Rreth orës 22.00 të mbrëmjes, të së premtes, autobusi me pasagjerë ka hyrë në kufirin turko-bullgar dhe në bazë të rregullores, i është nënshtruar rregullave të kontrollit, në pikën doganore të quajtur “Kapitan Andreiev”. Pasi autoritetet doganore bullgare, kanë kontrolluar dokumentet e pasagjerëve të autobusit dhe çdo gjë ka rezultuar të jetë në rregull, radha për kontroll iu ka ardhur bagazheve. Çdo gjë që ka qenë aty ka kaluar në sitën e doganierëve; çanta, thasë, qese dhe çdo gjë tjetër. Por, kontrolli nuk është ndalur këtu. Pas kontrollit të të parave, doganierët kanë parë edhe tri tavilona me sirtarë, të cilët nuk kanë hezituar t’i hapnin. Sapo kanë hapur të parin, ata kanë parë disa qeska të vogla, që pas verifikimit, ka rezultuar se kanë brenda heroinë të pastër. Kështu me radhë kanë hapur sirtarët dhe kanë gjetur gjithsej 31 kilogramë heroinë të ndarë në 60 pako të vogla. Menjëherë ata kanë pyetur udhëtarët për tavolinat dhe vetëm njëri ka thënë se janë të tijat. Zëdhënësja e pikës doganore, Kalina Petrova, ka bërë të ditur për agjencinë “Reuters”, se pronari i tavolinave është një shtetas turk, i cili është arrestuar në moment. Më pas, ata kanë bllokuar edhe mallin e gjetur në sirtarët e tavolinave dhe arrestuar pronarin e tyre turk, ndërsa pas disa orësh vonese, autobusi është nisur në drejtim të Shqipërisë, me pasagjerët e tjerë. Trafiku Duket se Bullgaria ka qenë dhe vazhdon të mbetet pika kyçe e kalimit të trafiqeve, nga Evropa Lindore në atë qendrore e Perëndimore dhe anasjelltas. Thuajse gjithë mallrat kontrabandë dhe narkotikët, udhëkryqin e kanë nëpërmjet Bullgarisë. Por, duket se edhe policia e këtij vendi dhe autoritetet doganore, nuk kanë lënë pas dore kontrollin e imtësishëm të të gjitha mjeteve që lëvizin nëpër këtë shtet. Kështu, të premten, ata kanë bllokuar 31 kilogramë heroinë, duke e çuar shifrën në 1475 kilogramë drogë, të kapur në doganën e Kapiten Andreiev, duke shënuar kështu një shifër rekord në kapjen e drogës nga Azia me destinacion Evropën. Shtetasit turq, prej shumë kohësh, kanë qenë protagonistë të trafikur të drogës. Madje, ka pasur shumë raste, kur shtetas turq janë kapur me një sasi të konsiderushme droge, në makinat, çantat apo dyqanet e tyre. Rasti i fundit në Shqipëri ka qenë ai i turkut Xhevdet Çelik, të cilit, iu gjet një një sasi e konsiderushme mariuhane në butikun “Sonila” në Tiranë, të cilin ai e furnizonte me rroga nga Turqia.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Ultimatumi i ministrit të kabinetit të luftës Gantz për Netanyahun: Një plan për qeverisjen e Gazës ose jap dorëheqjen