Në pranga 4 falsifikatorë patentash

(13/12/2001) TIRANE Katër anëtarë të një rrjeti falsifikatorësh që mund të mbarojë në Greqi janë arrestuar dje, në flagrancë nga oficerët e antikrimit ekonomik financiar të kryeqytetit. Operacioni Rreth orës 13.30 minuta, teksa shoferi i autobuzit të linjës Tepelenë-Tiranë 40-vjeçari, Serjan Tuku po "shkëmbente mallin" me miqtë e tij, një agjent i policisë Antikrim ka ndërhyrë se ka kujtuar për ndonjë "pako drogë". Ka nisur kontrollin, por megjithëse nuk ka qenë drogë ai nuk "ka dalë bosh". Çanta ka pasur brenda saj mbi 200 patenta ndërkombëtare, që më pas kanë rezultuar falso si dhe mjaft formularë të shoqërisë së sigurimeve "Sigma", që edhe këto kanë rezultuar të falsifikuara. Grupi i gatshëm që ka mbërritur menjëherë në afërsi të stadiumit "Selman Stërmasi", ka mundur të shoqërojë për në qelitë e paraburgimit të drejtorisë së policisë së Tiranës, të gjithë grupin, veç shoferit tepelenas edhe tre të tjerët Enkelejd Caslli, Besnik Mezini dhe Vjetor Shahi, të tre banues në Tiranë. Pas shoqërimit, policia ka nisur nga seancat e pyetjeve dhe ka ushtruar edhe kontroll në banesën e tre kryeqytetasve. Burime të besueshme pranë sektorit të antikrimit ekonomiko-financiar thonë se, të arrestuarit nuk kanë pranuar të sqarojnë se ku prodhoheshin këto materiale. "Lejet e qarkullimit ndërkombëtar mund të jenë prodhuar në Greqi", thonë burimet policore, megjithatë kjo pritet të zbulohet gjatë hetimeve të mëtejshme që do të kryejë prokuroria. Patentat do të shiteshin në tregun kryeqytetas me çmime të "kripura" dhe sipas specialistëve ishin mjaft "afër origjinaleve". Seanca e pyetjeve ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, e paralelisht me to janë plotësuar edhe dokumentat e nevojshme për ta zhvendosur dosjen hetimore për në prokurorinë e Tiranës. Katër të arrestuarit në flagrancë, akuzohen për falsifikim të dokumentave zyrtare. Fenomeni Vetëm katër ditë më parë, zyra e antikrimit ekonomiko-financiar shpartalloi një rrjet falsifikatorësh dhe trafikantësh të vizave italiane. Ruxhdi Kasa, Armando Çela dhe Gerhard Feraizi u arrestuan me një "dyzinë" materialesh që kompromentonin rëndë situatën juridike të tye. Policia gjeti në makinën e Kasës disa dhjetra kopje të pasaportave të qytetarëve shqiptarë që kërkonin viza italiane, disa nga fletë-përgjigjet e ambasadës italiane që u kishte përcaktuar ditën e takimit në 12 dhe 13 dhjetor, disa dhjetra dokumenta të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetwsore të Tiranës, Durrësit etj. Ndërsa kohë më parë, kjo zyrë ka goditur një tjetër grup falsifikatorësh, të cilët dispononin vula të disa prej institucioneve kryesore të shtetit shqiptar.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie