Nisen nga Porti i Durrësit Zbulohen 29 kile kokainë

(12/2/2002)ITALI Njëzet e nëntë kilogramë kokainë, me vlerë rreth 3 miliardë euro, është sekuestruar në një autostradë në afërsi të Torinos në Itali, gjatë një aksioni të Guardia di Finanza. Edhe kësaj radhe droga kishte kaluar nga Porti i Durrësit. Personi që e transportonte drogën, K.A., 28 vjeç, është kosovar me nënshtetësi austriake. Ai është arrestuar menjëherë nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. I ndaluari po udhëtonte me një autoveturë tip Volkswagen, me targa austriake e po shkonte në drejtim të Veriut. Droga e kushtueshme ishte ndarë në 56 pako dhe ishte fshehur në dyert anësore. Sipas hetuesve, droga vinte nga Shqipëria dhe "korrieri" ishte nisur nga Porti i Durrësit. Kosovari kishte zbritur në Bari e mendohet që po shkonte në Piemonte. Nuk është hera e parë që nga Shqipëria drejt Italisë veç heroinës, kalon dhe kokaina, një nga drogat më të shtrenjta dhe më fitimprurëse. Kështu më 3 mars të vitit të kaluar DIA (Departamenti Investigativ Antimafia) ka dhënë alarmin që "krimi i organizuar shqiptar përbën rrezik për sigurinë e Italisë". Hetuesit italianë janë impenjuar që nga qershorit i '98-s për të zbuluar klanet shqiptare që drejtojnë trafiqet e drogës për në Itali e më tej. Ndërsa më 10 prill, po të vitit 2001, u arrestuan 34 persona nga shtete të ndryshme -mes tyre 7 shqiptarë- të cilët u akuzuan për trafikun ndërkombëtar të kokainës e marihuanës nga Shqipëria. Hetimet nisën që në gusht të '97-s për këtë çështje. Një nga rastet e rralla të bllokimit të drogës që në Durrës, ka qenë vjet, më 4 maj, kur u bllokuan 20 kilogramë heroinë e kokainë në një anije të vogël tregtare. Në atë rast u arrestua pronari dhe 8 pjesëtarët e ekuipazhit. Por dhjetëra ngarkesa me drogë kalojnë nga Porti i Durrësit e nuk zbulohen kurrë. Më 9 dhjetor 2001 në Bari u sekuestruan 10 kilogramë heroinë e kokainë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie