"Si jetuam të internuar në Gradishtë deri në 1991"

(9/1/2002) Dëshmia e 64 vjeçarit Tefik Çelo: "Në nëntorin e vitit 1944 kur gjyshi Mehdi Bej Frashëri me gjithë familjen iku në Itali, regjimi komunist ia konfiskoi vilën e tij aty ku sot është rezidenca e Ambasadës Ruse dhe qindra libra që u gjetën në dhomën e tij u dërguan në Bibliotekën Kombëtare. Pas kësaj edhe ne na nxorrën nga shtëpia e na përzuna nga Tirana dhe vilën tonë ia dhanë një Koloneli të Ushtrisë" -------------------------------------------------------------------------------- Dashnor Kaloçi Në pjesën e dytë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm i cili prezantohet në kuadrin e ciklit mbi Familjet e Mëdha të Shqipërisë, nëpërmjet rrëfimit të Tefik Çelos, nipit të Mehdi Bej Frashërit u njohëm me historinë e ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe familjes së tij që nga vitet 1911 kur ai u kthye nga Turqia e filloi karrierën e tij politike duke mbajtur funksionet e Ministrit, deputetit, Kryeministrit, e deri në vitin 1944 kur ai u emërua në postin e antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës. Po ashtu aty u njohëm edhe me ndihmesën që Mehdi Bej Frashëri u dha komunistëve duke i shpëtuar ata dhe bazën e tyre që ishte tek shtëpia e Koço Dilos në Rrugën e Dibrës kur gjermanët shkuan për kontroll ngaqë kishin informata të sakta se aty streoheshin eksponentët kryesorë të Partisë Komuniste, të cilët kishin vendosur për t'i bërë atentat Mehdi Beut. (vijon nga numri i kaluar) Po çfarë ndodhi me Shehriarin, vajzën e madhe të Mehdi Bej Frashërit e cila pas ikjes së babait dhe familjes së saj për në Itali mbeti e vetme në Tiranë? Çfarë qëndrimi mbajtën ndaj saj komunistët që erdhën në pushtet dhe cili qe fati i hanëme Shehriarit dhe i familjes gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë djali i saj Tefik Çelo dëshmon: "Në nëntorin e vitit 1944 pas largimit nga Shqipëria të gjyshit Mehdi Bej Frashërit, gjyshes Nejre dhe tre fëmijëve të tyre Vehbiut, Medihasë dhe Ragipit, në Shqipëri mbeti vetëm vajza e madhe e tyre Sheriari, që është nëna ime. Në atë kohë që ikën ata, babai im Remzi Çelo së bashku me nënën vendosën që të largoheshim nga shtëpia e Petrelasve në Rrugën e Dibrës ku kishim banuar me qera së bashku me familjen e gjyshit Mehdi Beut, dhe u vendosëm në një vilë të vogël aty ku sot është Qyteti i Studentit. Atë vilë që u bë pronë e përbashkët e dy prindërve të mij, ne e blemë me kursimet e babait i cili kishte punuar për shumë kohë si Sekretar në Legatën shqiptare të Selanikut, si dhe me disa të holla që i kishte trashëguar nëna ime nga i jati i saj Mehdi Bej Frashëri. Pas ikjes së gjyshit me gjithë familje, nëna u interesua për fatin e asaj pasurie të pakët që ata kishin lënë në shtëpinë e tyre, por nuk mundi që të merrte dot asgjë, për arsye se komunistët që erdhën në pushtet vendosën shtetëzimin e shtëpive të të arratisurve politikë dhe si rezultat i saj u shtetëzua dhe vila e Mehdi Beut, ku sot ndodhet rezidenca e Ambasadës Ruse. Interesimi i nënës sime Shehriarit, nuk kishte të bënte me ato pak plaçka që kishin ngelur aty, por sipas porosisë që i kishte lënë gjyshi, ajo donte të merrte vetëm bibliotekën ku ndodheshin qindra tituj librash të cilët Mehdi Beu i kishte ruajtur që nga koha e Turqisë. Por edhe Biblioteka u shtetëzua dhe për fat të mirë të gjithë librat e saj përfunduan në Bibliotëkën Kombëtare ku ndodhen dhe sot", kujton Tefik Çelo atë periudhë të vitit 1944-45 kur nëna e tij Shehriari mbeti e vetme në Shqipëri pas largimit të familjes së saj për në Itali dhe biblioteka e pasur me qindra libra që kishte lënë ish-Kryeministri i Shqipërisë, përfundoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare. Si na përzunë nga Tirana Por ç' ndodhi më pas me familjen e vajzës së Mehdi bej Frashërit? Lidhur me këtë Tefik Çelo dëshmon: "Regjimi komunist që erdhi në fuqi në nëntorin e vitit 1944, nuk e ngacmoi fare familjen tonë dhe deri nga viti 1946 ne qëndruam në vilën e vogël te Qyteti i Studentit pa pasur ndonjë problem të karakterit politik. Vetëm në vitin 1946 na njoftuan se Bashkia e Tiranës kishte marrë një vendim që në shtëpinë tonë do të vinte të banonte një ushtarak i lartë shumë i njohur që kishte qenë një nga herojtë e luftës dhe familja jonë do të shkonte të banonte në shtëpinë e tij që ishte diku në Lagjen Brrakë. Pas këtij vendimi ne nuk kishim se çfarë të bënim dhe babai shkoi ta shikonte atë shtëpi, por ato ditë ajo shtëpi u shemb nga që ishte shumë e vjetër dhe ne nuk hymë dot për të banuar aty. Megjithkëtë urdhri i Bashkisë së Tiranës u zbatua dhe ne ne nxorrën nga shtëpia ku u fut për të banuar familja e oficerit të lartë. Pas kësaj për familjen tonë nuk u muar ndonjë vendim se ku do të banonim, por na thanë që të shkonim ku të donim, në Përmet apo në ndonjë qytet tjetër, veçse nga Tirana duhet të largoheshim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të na nxjerr ne nga shtëpia që e kishim pronë tonën, padyshim që ishte si rrjedhojë e asaj që nëna ime ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit të cilin regjimi komunist e kishte shpallur si armik të popullit, ndonëse në të gjitha listat ku jepeshin emrat e atyre që quheshin Kriminelë të arratisur dhe që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shqipëri, emri i tij nuk figuronte asnjëherë. Edhe pse emri i gjyshit Mehdi Bej Frashërit nuk figuronte në listat e atyre që regjimi komunist i quante Kriminelë të Luftë dhe që u ndalohej kthimi në Shqipëri, në vitin 1945 u arrestuan dhe u dënuan me 5 vjet burg shoferi i tij Qazimi dhe me 25 vjet Sali Vata, Komandanti i Rojeve. Të ndodhur përpara kësaj situate, aty nga fundi i vitit 1946 familja jonë së bashku me shumë familje të tjera të cilat quheshin të deklasuara si Dostët, Vrionët etj, u larguam nga Tirana dhe u vendosëm diku në periferi të Durrësit ku banuam për katër vjet me rradhë. Pas katër vjetësh qëndrimi në Durrës, duke përfituar nga një ulje apo më mirë të them një zbutje e dallgës së luftës së klasave, aty nga viti 1950 familja jonë dhe shumë familje të tjera me të cilët kishim shkuar nga Tirana në Durrës, u kthyem përsëri në Tiranë. Pas kthimit në Tiranë duke qenë se nuk kishim asnjë shtëpi se ku të banonim, na mori në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Kavajës, Osman Baraku, ish-shoferi dhe njeriu më besnik i Mehdi Beut i cili në nëntorin e 1944 e kishte përcjellë gjyshin me gjithë familje deri në kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ato vite të para të pasluftës nëna vazhdoi të komunikonte me letra me gjyshin Mehdi bej Frashërin dhe me dy vëllezërit e saj Vehbiun e Ragipin e motrën e Medihanë. Letrat që na vinin nga Italia gjithmonë mbanin firmën e dajave apo tezes Medihasë sepse gjyshi Mehdi Beu asnjëherë nuk shkruante vetë. Në atë kohë regjimi komunist na lejonte që të merrnim dhe ndonjë pako të vogël me rroba apo me ushqime që na i dërgonin ata nga Italia, por më pas kjo gjë u ndalua rreptësisht dhe jo vetëm pako që nuk na i lejuan më, por na e ndaluan dhe komunikimin me letra", kujton Tefik Çelo periudhën e viteve të para të pasluftës kur familjes së tij pasi i shtetëzuan vilën e cila ndodhej aty ku sot është Qyteti i Studentit, e përzunë nga Tirana për në Durrës së bashku me shumë familje të tjera të atyre që regjimi komunist i quante klasa të përmbysura dhe nuk i lejonte që të merrnin letra nga njerzit e familjes që ishin arratisur nga Shqipëria. Internimi në fshatrat e Lushnjes Në atë shtëpi aty tek Rruga e Kavajës ne qëndruam deri në vitin 1953 kur pas një acarimi të situatës politike që erdhi pas vdekjes së Stalinit, na nxuarrën që andej dhe sipas një vendimi zyrtar të Komisionit të Internim-Dëbimeve na dëbuan nga Tirana duke na internuar në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës. Në ato kohë familja jonë u nda në dy pjesë, sepse babanë Remziun e internuan në fshatin Kuç të Kurveleshit së bashku me 80 persona të tjerë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, kurse nënën Shehrirain, së bashku me motrën time Mimikën i çuan në Shtyllas. Në atë kohë vetëm unë munda të qëndroj në Tiranë, pasi më mbajti në shtëpinë e tij ish-shoferi i gjyshit Osman Baraku dhe vazhdoja shkollën në Politeknikumin "7 Nëntori" (sot Harry Fultz) së bashku me fëmijët e tij. Pas disa vjetëve qëndrimi në kampet e internimit në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas të Fierit dhe Savër të Lushnjes, babai Remziu me nënën dhe motrën, në vitin 1957 u bashkuan në fshatin Gradishtë të Lushnjes ku ishte një nga kampet më të mëdhej të internimit në të cilin ndodheshin shumë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë si Dostët, Mirakajt, Gjonmarkajt, Demat, e shumë të tjerë. Nga familja ime vetëm unë munda që të shpëtoj pa shkuar që në fillim në ato kampe internimi, sepse pasi mbarova Politeknikumin në Tiranë, bëra një kurs për teknik të aparaturave mjeksore dhe duke fshehur biografinë e rregullova që të shkoja në spitalin e qytetit të Korçës si specialist i mirmbajtjes së aparateve të atij spitali. Gjatë asaj periudhe që punova në spitalin e Korçës ku për mua kujdesej Dr. Polena sikur të më kishte djalin e tij, unë bëja kujdes që të mos zbulohesha dhe nuk i tregoja asnjeriu që e kisha familjen në internim në Gradishtë të Lushnjes. Kur ikja nga Korça për në Gradishtë për të takuar njerzit e familjes, gjithmonë shkoja natën dhe pa u zbardhur dita ikja që andej që të mos më shikonte njeri. Pas disa kohësh që punova në atë spital, filluan dyshimet ndaj meje pas një letre që më erdhi nga nëna e cila mbante vulën e fshatit Gradishtë. Disa ditë pas kësaj teksa kisha shkuar pranë familjes aty në barakat e Gradishtës, natën erdhi për kontroll operativi i Sigurimit dhe më gjeti brenda. Ai pasi i bëri presion nënës që nuk kishte treguar se e kishte djalin e madh, lajmëroi në Degën e Brendshme të Lushnjes për atë që kishte zbuluar. Pas kësaj erdhi letra në Korçë (ku më zbuluan që e kisha familjen në internim) ku u muar vendim dhe më dërguan edhe mua pranë familjes në Gradishtë. Në kampin e Gradishtës ne dhe të gjithë familjet e tjera që ishin të internuara aty, banonim në disa baraka të vjetëra gjysëm të rrënuara dhe të mbuluara vende-vende me katrama. Në ato baraka ku ne jetonim bashkarisht me shumë familje të tjera, kishte, ish-ballistë, legalistë, komunistë të dënuar, gjermanë, kosovarë, prostituta jugosllave e të tjerë me të cilët punonim në punët më të rënda të bujqësisë në kanalet e moçalishtet e fushave të pafundme të Myzeqesë. Përveç asaj jetese në kushtet e mizerjes, ajo që na e bënte akoma e më të padurueshme jetën tonë aty, ishte apeli që bëhej tre herë në ditë ku ne duhet të paraqiteshim para punonjësve të Degës së Brendëshme ku shpesh vinte dhe vetë Kryetari i Degës Nuçi Tira, i cili e kishte porosi të veçantë nga Tirana që "të kujdesej" më shumë për ne të internuarit që ishim "armiq të pushtetit popullor", kujton Tefik Çelo periudhën e internimit të familjes së tij në kampet e internimit të Vlorës, Fierit e Lushnjes për të vetmin shkak se nëna e tij Sheriari ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës gjatë pushtimit gjerman, të cilin regjimi komunist në fuqi e kishte shpallur armik të popullit. Burgosja e Tefikut Por çfarë ngjau më pas me familjen e Tefik Çelos, pinjollit të vetëm të familjes së Mehdi Bej Frashërit që kishte mbetur në Shqipëri? Lidhur me këtë: Tefiku kujton: "Gjatë viteve të para të internimit unë u dënova me një vit e gjysëm burg, pasi u zura dhe qëllova një Operativ të Sigurimit i cili na ishte bërë tepër i padurueshëm. Pasi e qëllova atë më arrestuan e më dërguan në Degën e Brendshme të Lushnjes ku vetë Kryetari Nuçi Tira mori një dru të madh dhe filloi të më binte ku të mundëte.Nga të bërtiturat e mia dolën në ballkone të gjitha familjet e oficerëve që banonin aty pranë dhe një grua i foli Nuçit duke i thënë: "Mjaft e qëllove atë djalë se po turpëron jo vetëm veten tënde, por dhe të gjithë ne familjet e oficerëve". Pas fjalëve të asaj gruaje, Nuçi nuk më qëlloi më dhe kur më dënuan me një vit e gjysëm burg për rrahjen e Operativit, ai nuk më dërgoi në Burg, por më mbajti aty në Degën e Brendshme ku punoja me prapavijën. Në atë kohë që u dënova unë, familjen ma hoqën nga barakat e Gradishtës dhe ma dërguan thellë në kënetë ku jetesa ishte në kufijtë ekstrem të mizerjes", kujton Tefik Çelo ato vite kur ai u dënua me burg për rrahjen e Operativit të Sigurimit aty në internim ku familja e tij qëndroi nga viti 1953 deri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie