Si u arrestua Lulzim Caka në fshatin e vogël të Italisë

(27/12/2001)Pas lajmit të bujshëm të arrestimit të Lulëzim Cakës fillojnë të bëhen të njohura edhe detajet e ndalimit të tij. Sipas ANSA-s, bashkë më Lulëzim Cakën, u arrestuan edhe dy shqiptarë të tjerë, Artan Rezi 29 vjeç dhe Klodiana Selfaj, 20 vjeç nga Berati. Që të tre banonin në një shtëpi fshati, e cila është rrënuar dhe më pas braktisur. Tre "jabanxhinjtë" nuk ishin parë ndonjëherë të përziheshin me banorët e lokalitetit të Borgo Cervaro-s, i cili ndodhet rreth 10 km larg Foggia-s. Pak veta në këtë fshat e dinin që në shtëpinë e braktisur jetonin tre shqiptarë, të cilët nuk kishin denjuar madje të kërkonin ndonjë punë sikurse ndodhte rëndom. Mund të ketë qenë një moment "habie" i ndonjërit prej fshatarëve të Borgo Cervaro-s që ka parë të ketë dalë prej shtëpisë ndonjë prej "bujtësve", i cili ka mjaftuar për të sinjalizuar karabinierët, të cilat mbajtën shënim vendndodhjen. Në momentin e arrestimit, në banesën ku qëndronte Lulëzim Caka u gjet një pistoletë e kalibrit 7.62, 80 fishekë si dhe një silenciator automatiku. Lulëzim Caka i tha karabinierëve të autopatrullës që e prangosnin se quhej Bekim Arifi dhe se ishte 27 vjeç. Sipas ANSA-s, arrestimi i Cakës dhe dy patriotëve të tij u bë disa javë më parë. Aleanca e Cakës dhe Jaupit Dy emrat e tmerrshëm të Beratit, Lulëzim Caka dhe Kastriot Jaupi ndonëse vepronin të ndarë nga njëri-tjetri, kanë patur momentet e tyre të bashkëveprimit. Aleanca e tyre më e fortë u verifikua natën e 30 qershorit në fshatin Cukalat të Beratit. Të "fortët" e qytetit të gurtë. Ishte mesnatë e së premtes, kur pas një informacioni të agjentëve të kriminales forca të shumta policore të Prefekturës së Beratit (40 policë) rrethuan shtëpinë e kryeplakut të Cukalatit, Nuredin Bregu, në të cilën ishin strehuar Lulëzim Caka, Kastriot Jaupi dhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve dhe vëllai i Lulëzimit, Gjelosh Caka. Kolonel Ilirian Dida, atë kohë nëndrejtor i Policisë së Beratit, solli për të mbyllur rrethimin e shtëpisë edhe 100 forca të tjera policore, ndërkohë që me radio kërkoi përforcime me forca speciale nga Tirana. Katër furgonë, një autoblindë dhe një helikopter me trupat më të zgjedhura të Reneas mbërritën në Cukalat pas mesit të natës. Të gjitha këto nuk mjaftuan për të kapur dy super të kërkuarit, të cilët të mbuluar me zjarr nga shokët e tyre dhe duke përfituar nga errësira, arritën të çanin rrethimin e hekurt nga ana perëndimore e fshatit. Ishte hera e pestë që Lulëzim Caka arrinte t'i shpëtonte policisë. Një fakt i tillë hodhi hije të forta dyshimi mbi "blutë" e Beratit, nisur edhe nga fakti tjetër se, në rast se aksioni nuk do të dështonte, prangosja e dy super të kërkuarve do të shënonte edhe suksesin më të madh të policisë shqiptare në këto vitet e fundit. Dështimin e operacionit e paguan menjëherë drejtori i Policisë së Beratit, Ylli Tafili, i cili u pezullua nga detyra si dhe shefi i Komisariatit, Sokol Kolani, i cili u shkarkua.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie