Sulmohet shtëpia e drogës

BERAT(11/6/2000) Drogë mund të gjesh në pika të ndryshme të Beratit. Por, ndryshe nga sa ndodh za konisht, kësaj radhe policia nuk ka qenë e fundit që e ka marrë vesh atë. Për të goditur atë, që quhet baza më e rëndësishme e shpërndarjes së drogës, të shtunën paradite u organizua një operacion. Kreu i këtij aksioni, shefi i antidrogës Sali Kodra, bashkë me 4 policë të tjerë, rreth orës 11.30, rrethuan shtëpinë e njohur të të droguarit në lagjen "Dëshmorët e Kombit'. Por si përgjigje për thirrjen e tyre morën disa breshëri kallashnikovi nga ambientet e brendshme. Kaq mjaftoi që të vihej alarmi dhe gjithë policia të hidhej në aksion. Makina policie, furgona, madje edhe autoambulanca "pushtuan" rrugët e rrethuan brenda pak minutash shtëpinë. Por, të gjendur të rrethuar, të rinjtë brenda në banesë i hapën vet dyert. Menjëherë në pranga përfunduan 6 të rinj, të cilët deri tani mendohet se janë vetëm përdorues të drogës. Por fakti që nuk gjetën asnjë gram drogë në shtëpi, i bëri agjentët e policisë të dyshojnë se dikush i kishtë shpëtuar rrethimit. Rrjedhimisht aksioni vazhdoi derisa pranë Urës së Goricës u arrestua personi i shtatë. I marrë në pyetje në vendin ku u kap, ai tregoi menjëherë çantën që kishte fshehur me 15 pako me heroinë, të cilat u gjendën poshtë urës dhe u sekuestruan në vend. Por aksioni i policisë nuk ka mbaruar ende. Dyshohet se personi i shtatë, që është vënë në pranga, është jo vetëm përdorues, por edhe një nga tregtarët e drogës. Sipas një burimi në polici, "po hetohen të gjithë pjesëtarët e familjes-bazë, pasi kryefamiljari apo një nga pjesëtarët është dhe një nga organizatorët e rrjetit". Megjithatë, mendohet se deri tani asnjë nga krerët e trafikut të kësaj droge nuk është mes atyre që janë arrestuar. Në fillim Berati njihej vetëm si qytet tranzit për të kaluar drogat e të gjitha tipeve, por kryesisht hashash nga një qytet në tjetrin, por me kalimin e kohës tregtuesit e gjetën tregun e tyre edhe në këtë qytet. Policia i ka vërejtur prej kohësh dhe tashmë i njeh mirë bazat e drogës në qytet. Sipas burimeve, shtëpia e sulmuar ishte baza kryesore. Por përdorues ka edhe brenda mureve të spitalit të qytetit, në oborrin nga prapa maternitetit dhe pranë shkollës "Kristo Isak". Këto pika janë "ngacmuar" 3-4 herë nga policia, duke arrestuar e dënuar që nga '99-ta, 16 përdorues. Por aksionet vazhdojnë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)