Tetë dosjet që minojnë Qeverinë

(18/1/2002) TIRANE Viktimat e para antikorrupsion duket se janë të gjithë mbështetës të kryeministrit aktual Ilir Meta, dhe njëkohësisht disa nga zyrtarët më të lartë gjatë qeverisjes së tij. Të paktën ky është përfundimi që arrihet lehtë nga vëzhgimi i dosjeve penale të çelura kohët e fundit nga Prokuroria e Përgjithshme. Madje ky kontigjent duket se e rrezikon seriozisht qeverisjen aktuale. Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, anëtar i Komitetit të përgjithshëm drejtues të PS-së, një nga bashkëpunëtorët e hapur të Metës, Shkëlqim Meta; Një tjetër mbështetës i Metës, Luan Hajdaraga, edhe ky anëtar i komitetit të përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste; Një nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë Meta, Anastas Angjeli; Zëdhënësi i kryeministrit Meta, Thoma Gëllçi; ish-ministri i Kulturës, edhe ky bashkëpunëtor i Metës, Edi Rama. Të gjithë të sipërpërmendurit janë duke u hetuar, dhe në mos të gjithë një pjesë e tyre rrezikojnë burgun, ndërsa të tjerët do të vuajanë për shumë kohë, "gjyqin, moral, publik". Mëkatet e të akuzuarve Ndërsa ka pasur vetëm pak javë punë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Shkëlqim Meta, që e kishte përfituar atë post vetëm sepse kishte mbështetur Metën largohet nga ajo detyrë. Arsyeja: Firmos për të shkuar me leje një i dënuar për vrasje, i cili "shkel besën" dhe nuk kthehet sërish në qeli. Meta, shkel "me të dyja këmbët" ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret e brendshme të burgjeve!!! Së pari, sepse "të dënuarit për vepra të rënda penale (ku futen edhe vrasjet) nuk përfiton asnjëherë dhe në asnjë moment leje. Së dyti, që një i dënuar të përfitojë leje duhet të ketë kryer tre të katërtat e dënimit. Ndërsa "personazhi" për të cilin u bë "kokë turku" Meta nga 12 vjet burg që ishte dënuar kishte kryer vetëm 6 muaj burg. Nëse prokuroria vërteton akuzën e ngritur rishtazi, Meta rrezikon deri në shtatë vjet burg. Megjithatë përfundimet në rastin e politikanëve nuk kanë shumë rëndësi. Vjedhja e fondeve "Viktimat" më të shumta në numër janë ata që "akuzohen për shpërdorim të fondve publike". Për këtë akuzë dyshohen ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht zëvendësministër i Jashtëm, i cili ka qëndruar nën "presionin" e dosjes hetimore një vit të tërë. Madje për disa nga episodet e hetuara në atë kohë, siç ishte blerja e orizit, është mbyllur edhe gjykimi. Por, vetëm tre ditë më parë i njëjti prokuror (që aktualisht është kryeprokuror i kryeqytetit) ka deklaruar se "do të hetojë tenderin e blerjes së këpucëve, i organizuar në vitin 1998. Madje ka firmosur edhe një fletë-thirrje për Hajdaragën. Edhe ish-ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama dyshohet se "ka ngjyer gishtat" me fondet publike. Po hetohet për projektin "Kthim në Identitet" me një vlerë prej 914 milionë lekë, që lidhet me kompleksin historik të disa ministrive në qendër të Tiranës. Në të njëjtin grup të abuzuesve me fondet publike futet edhe ish-drejtori i Korporatës Elektro-Energjitike, Dritan Prifti. Vetëm pesë ditë më parë kryeprokurori Rakipi urdhëroi fillimin e hetimeve për blerjen e energjisë elektrike gjatë 2001-it, nëpërmjet tenderave të drejtpërdrejtë. Kësaj liste i shtohet edhe zëdhënësi i kryeministrit, Thoma Gëllçi. Sipas fakteve të bëra publike, mbi bazën e të cilave kanë nisur edhe hetimet kryesisht, Gëllçi ka "përfituar pako gjë", nëpërmjet botimit të revistës qeveritare "Drejt", një revistë mjaft luksoze e përtremuajshme. Ndërkohë, pavarësisht hetimeve më i "paprekshmi" duket se do të mbetet ish-ministri i Financave Anastas Angjeli. Numri një i financave, më i akuzuari ndër ministrat nga kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano akuzohet, se me veprimet ose mosveprimet e tij ka penguar krijimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore financiare, e cila do të hetonte krimet financiare.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie