"Unë, nënkoloneli që denoncova tek Enveri prapaskenat e Sigurimit"

(31/1/2002) Dëshmia e 76 vjeçarit Pandeli Përmeti, ish-kuadër i lartë i Sigurimit të Shtetit: "Në vitin 1967, kur unë isha me detyrën e Kryehetuesit të Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, i dërgova Enver Hoxhës një letër të gjatë prej 36 faqesh, ku i denoncova shumë nga inskenimet, grackat e prapaskenat e Sigurimit, duke i përmendur me emra të gjithë kuadrot e implikuar në ato ngjarje. Pas kësaj, më thirri Manush Myftiu i cili më tha që të tërhiqesha nga ato çështje, duke më premtuar se do të më ngrinin në detyrë" -------------------------------------------------------------------------------- Dashnor Kaloçi Aty nga viti 1967 kur isha me detyrë si Kryehetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, i shkrova Enver Hoxhës një letër të gjatë prej 36 faqesh të daktilografuara, duke i ngritur dhe denoncuar shumë nga intrigat, inskenimet dhe prapaskenat e Sigurimit të Shtetit nga të cilat ishin arrestuar, burgosur dhe pushkatuar me dhjetra persona të pafajshëm. Ndër problemet më kryesore që i ngrita Enver Hoxhës në atë letër të gjatë, ishin ato që kishin të bënin me ngjarjet e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, ngjarje e cila u inskenua nga vetë Sigurimi, arrestimet dhe goditja që iu bë Klerit Katolik në rrethin e Shkodrës në vitet 1950, ngjarja e Lushnjes me Hamit Matjanin, ngjarja e Vlorës ku u arrestuan një grup personash të cilët u akuzuan sikur kishin vënë eksploziv në një urë ku do të kalonte Hysni Kapo, si dhe disa ngjarje të tjera që kishin ndodhur në Tiranë. Për të gjitha këto ngjarje unë ia argumentoja me fakte dhe dokumenta se ato ishin të inskenuara nga vetë Sigurimi i shtetit dhe nga njerëz karrieristë e servilë të cilët i kishin bërë ato në mënyrë që të ngriheshin në përgjegjësira dhe të fitonin tituj e grada. Aty në atë letër unë i shpjegoja Enver Hoxhës të gjithë personat që i kishin inskenuar ato ngjarje si Sulejman Manoku, Nevzat Haznedari, Llambi Jegeni, Nazmi Brinja, Gole Bashari, Sotir Xhari, Ilia Gaqo, Agja Lamçe, Halil Pulo, Agron Kokona etj, si dhe shumë nga bashkëpuntorët tanë të Sigurimit. Po ashtu aty unë i përmëndja me emra dhe shumë nga personat që ishin arrestuar apo pushkatuar krejtësisht të pafajshëm si Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati, Pandeli Nova, Selman Kapaj, Hamit Osmani, Lamçe Kuqi, Rexhep Osmani etj. Atë letër unë ia dorzova në dorë shokut tim Raqi Ifticës, i cili në atë kohë nga Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ishte emëruar si Sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës. Por pasi Raqi Iftica ma mohoi në mbledhje që ia kisha dhënë atë letër, unë e nisa me postë në adresë të Enver Hoxhës. Pas disa kohësh më thërritën në Komitetin Qëndror, por unë nuk pranova të flisja me njeriun që më priti aty, duke iu kërkuar se doja të bisedoja vetëm me Enver Hoxhën. Pas kësaj ato probleme i ngrita dhe në një mbledhje ku mori pjesë si i deleguar dhe Manush Myftiu, i cili më tha që ta mbyllja atë çështje pasi ato probleme kishin ndodhur dhe nuk ishin mirë që të hapeshin më dhe në këmbim të kësaj ai më premtoi se do më ngrinën në detyrë. Unë nuk pranova kurrsesi që të tërhiqesha nga ato probleme edhe pasi Manush Myftiu më futi dy shokë të mi ngushtë që ta ma mbushin mëndjen për atë problem. Pas kësaj Sigurimi më inskenoi një skenar sikur unë iu kisha dhënë të burgosurve të puntorisë së burgut, çensurën e kontrollit postar që ishte tepër sekret dhe pasi munda të shpëtoja nga kjo akuzë që do të më dërgonte drejt pushkatimit, mua më liruan nga detyra dhe ndonëse isha invalid i Luftës, më dërguan punëtor me tre turne në Uzinën "Enver". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Gazetën, është 76 vjeçri Pandeli Përmeti, ish-kuadër i lartë i Sigurimit të Shtetit që nga viti 1945, me gradën e nënkolonelit, i cili rrëfen se si në vitin 1967 me anë të një letre të gjatë prej 36 faqesh, denoncoi tek Enver Hoxha shumë nga inskenimet dhe prapaskenat e Sigurimit të Shtetit prej të cilave u dënuan me dhjetra persona të pafajshëm. Po kush është Pandeli Përmeti dhe cila është e kaluara e tij? Si mundi ai që të futej në organet e Sigurimit të Shtetit dhe përse Mehmet Shehu e mori atë në Ministrinë e Brendëshme pasi i pa korespodencën me ish-Ministrin Koci Xoxe? Si u inskenua hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë dhe përse Pandeliu në atë kohë mundi që ta lironte të vetmin person nga 24 të arrestuarit që u akuzuan që ishin të implikuar në atë incident, pasi më parë ishte konsultuar dhe kishte marrë pëlqimin eMinistrit të Brendshëm Mehmet Shehu? Si u dha urdhëri për goditjen e Klerit Katolik në rrethin e Shkodrës dhe si mundi Pandeliu së bashku me Gjeneral-major Hilmi Seitin, që t'i mbyllnin shumë nga dosjet e klerikëve që akuzoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja duke i nxjerrë ata të pafajshëm? Si u inskenua ngjarja e Vlorës dhe kush ishin pesë personat që u arrestuan nën akuzën se kishin dashur që t'i vinin dinamitin urës ku do të kalonte Hysni Kapo? Kush ishin personat e Degës së Brendshmë të Vlorës që e inskenuan atë skenar dhe si mundi Pandeliu që t'i nxirrte të pafajshëm pesë fshatarët e akuzuar për terrorizëm, pas arrestimit dhe pushkatimit të Puntorit Operativ A. L. i cili u muar me atë çështje? Përse Pandeliu në vitin 1967 ia ngriti ato probleme Enver Hoxhës dhe përse Raqi Iftica të cilin ai e kishte shok të ngushtë, pasi ia mori përsipër që atë letër do t'ja dorzonte në dorë Enver Hoxhës, ia mohoi që ia kishte marrë atë Pandeliut? Cili ishte skenari i Sigurimit të Shtetit nga i cili Pandeliu u akuzua sikur u kishte dërguar të burgosurve politikë që punonin në puntorinë e burgut, çensurën e kontrollit postar që ishte tepër sekrete? Si mundi ai që të shpëtonte nga ajo akuzë prej së cilës e priste pushkatimi i sigurtë? Përse Manush Myftiu i kërkoi Pandeliut që t'i mbyllte ato probleme dhe cilët ishin personat që ai u ngarkoi të bindnin Pandeliun që ai të hiqte dorë nga problemet që i kishte ngritur Enver Hoxhës në letrën e tij? Përse pas asaj letre Pandeliun e larguan nga organet e Ministrisë së Brendshme duke e nxjerrë në lirim dhe e dërguan me detyrim që të punonte si puntor me tre turne në Uzinën "Enver" dhe roje nate? Si u organizua skenari me gruan e tij ish-partizane e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut, të cilën e hoqën nga puna dhe e përjashtuan nga partia? Cilat ishin presionet që iu bënë Pandeliut dhe përse e arrestuan djalin e tij Rolandin, i cili nga oficer në Aviacion, u dënua me katër vjet e gjysëm burg politik nën akuzën se kishte sharë kinezët? Lidhur me këto mistere e të tjera fakte, na njeh rrëfimi i ish-nënkolonelit Pandeli Përmeti i cili i ka përjetuar vetë ato ngjarje që nga viti 1945 kur u fut në organet e Sigurimit të Shtetit e deri në 1968 kur u largua andej si i padëshirueshëm, për shkak të letrës që i dërgoi udhëheqësit komunist Enver Hoxhës. Pandeliu: Si hyra në Sigurim Po si u fut Pandeli Përmeti në organet e Ministrisë së Brendëshme dhe përse Mehmet Shehu e thirri atë që të punonte në Ministrinë e Brendëshme? Lidhur me këtë ai kujton: "Duke parë të kaluarën time si atentator me njësitet guerile në qytetin e Korçës dhe më pas si partizan i Brigadës së Katërt ku dhe isha plagosur dy herë, në prillin e vitit 1944 më thërritën dhe më caktuan që të punoja në organet e Ministrisë së Brendshme duke më emëruar në fillim se Shef Seksioni në Sigurimin e Shtetit për Krahinën e Tretë e cila në atë kohë përfshinte të gjithë Veriun e Shqipërisë. Aty nga viti 1948 kur unë shërbeja si Kryetar i Degës së Brendëshme të rrethit të Mallakastrës, shkova për ta takuar Mehmet Shehun, në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, i cili në atë kohë pasi ishte goditur nga Koci Xoxe, ishte mbyllur aty dhe priste që të vinin për ta arrestuar? Unë ndonëse e dija gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Mehmeti, vajta për ta takuar sepse kisha respekt për atë që nga koha e Luftës dhe gruaja ime kishte qenë partizane në Brigadën e Parë. Kur vajta në shtëpinë e tij në Çorush, Mehmet Shehu u habit nga prania ime aty, sepse aty nuk kishte shkuar për ta takuar asnjë nga kuadrot kryesorë të rrethit të Mallakastrës. Atë ditë në shtëpinë e Mehmetit ishin mbledhur disa nga njerzit e afërm të tij dhe njeri prej tyre gjatë bisedës e pyeti se si do të vepronte ai po të vinin njerzit e Sigurimit për ta arrestuar. Mehmeti iu përgjigj atij duke i thënë: "Unë e kam një belçik këtu në shtëpi dhe do të luftoj me ta deri në pikën e fundit pa rënë i gjallë në duart e tyre' (vijon nesër)

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!