Zbulohet një arsenal armësh

(5/1/2002) LUSHNJE Zbulohet një arsenal i tërë armësh në një banesë të fshatit Bubullimë në rrethin e Lushnjes. Burime nga Drejtoria e Policisë së Fierit, kanë bërë të ditur se pas një aksioni në shtëpinë e Spiro Vaskalit, i vrarë që në vitin 1998, shtëpi në të cilën jetonin vetëm 2 motrat e tij, janë gjetur e bllokuar 2 pushkë, 65 granata, 28 mijë fishekë, 80 ndezësa unifikues, 100 kapsolla detonatorë, 36 pako tritoli 400 gramshe, të barabarta me 15 kilogram, 20 krëhëra automatiku dhe mitralozi me fishekë, 70 metër fitil zjarrpërcjellës dhe 40 shashka. Shkak për këtë zbulim janë bërë dy vajzat e shtëpisë, që sipas policisë fierake, janë gati të sëmura psikike. Të njëjtat burime policore kanë bërë të ditur se, dy motrat Vaskali, për motive të dobëta janë zënë me komshinjtë e tyre. Madje i kanë kërcënuar edhe se do t'i vrisnin. Por, komshinjtë e trembur, pasi e njihnin mirë këtë familje, kanë denoncuar në policinë e Lushnjes, e cila menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Dhe, pas një pune shumë intensive disa orëshe kontrolli në shtëpinë e vajzave, kanë bërë të mundur gjetjen e arsenalit, i cili ishte i futur në tokë, poshtë shtëpisë së tyre. Armët në këtë vend, sipas dëshmive të vajzave dhe dyshimeve të policisë, janë fshehur në vitin 1997, nga Spiro, 26 vjeç. Ky i fundit, është vrarë në vitin 1998, nga vëllai I tij, për motive ende të dobëta. Ndërsa autori i vrasjes është arrestuar, dy motrat kanë mbetuer vetëm në shtëpi dhe armët poshtë saj, deri në momentin që dy vajzat janë zënë me komshinjtë e tyre dhe i kanë kërcënuar me jetën. Sipas policisë fierake, gjetja e këtyre armëve ishte shumë e vështirë, pasi fshehja e tyre ishte sofistikuar. "Ato janë zbuluar rastësisht gjatë kontrollit, vetëm nga një pjesë toke, e cila duket si e gërmuar kohë më parë", kanë bërë të ditur burimet policore. Pas gjetjes, armët janë çuar në komisariatin e Lushnjes ku ndodhen edhe tani, ndërsa dy vajzat e shtëpisë janë lënë të lira, për faktin se armët ishin fshehur nga vëllai i tyre, tashmë i vdekur, si dhe për faktin se, sipas policisë ato janë me probleme mendore.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie