Zgjedhjet në 1945: Enver Hoxha mes 106 kandidatëve
Nga 106 kandidatë për deputetë që konkuruan në emër të Frontit Demokratik, Enver Hoxha mori numrin më të madh të votave kundër, pas Ollga Plumbit. Nga 17.564 zgjedhës të zonës në Tiranë, 2.151 votuan kundër tij
(7/3/2001)Nga 106 kandidatë për deputetë që konkuruan në emër të Frontit Demokratik, Enver Hoxha mori numrin më të madh të votave kundër, pas Ollga Plumbit. Nga 17.564 zgjedhës të zonës në Tiranë, 2.151 votuan kundër tij
Plot një vit e tre ditë mbas çlirimit të vendit, më 2 dhjetor të vitit 1945 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para të pasluftës. Për qeverinë e kryeministrit Enver Hoxha, i cili gjithashtu mbante dhe postet e Ministrit të Jashtëm , të Mbrojtjes, Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, Kryetarit të Frontit Demokratik dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, caktimi i datës së zgjedhjeve në fillim të dhjetorit, u pa si më i përshtatshëm për vetë situatën e brendëshme që po kalonte vendi, pasi pothuaj i gjithë viti 1945 kaloi me gjyqe të shumta politike ku u ekzekutuan apo u burgosën pjesa më e madhe e ish funksionarëve të lartë, politikaneve, deputetëve dhe ushtarakëve të qeverive shqiptare nga ajo e Ismail Qemalit e deri tek ato nën pushtimin nazi-fashist.
Debatet për ligjin elektoral
Nga fillimi i muajit nëntor të atij viti "Fronti Demokratik" që në fakt ishte Partia Komuniste, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale nëpërmjet organit të saj gazetës "Bashkimi" dhe Radio-Tiranës, duke caktuar dhe 2 dhjetorin si datën e zgjedhjeve. Projektligji elektoral i zgjedhjeve u miratua nga Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ) që kryesohej nga Enver Hoxha dhe gjatë miratimit që ju bë atij ligji pati debate të ashpëra, ku shumë antarë të KANÇ-it, kryesisë së Frontit dhe kandidatë për deputetë si Shefqet Beja, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Selaudin Toto etj e kundërshtuan ligjin e zgjedhjeve, pasi ai de facto ishte vetëm me kandidatët e Frontit dhe nuk linte asnjë shteg për opozitë. Në atë mbledhje Gjergj Kokoshi që ishte nga kundërshtarët më të rreptë të atij projekt-ligji në shenjë proteste doli nga rradhët e Fronti Demokratik dhe shpalli kandidaturën si i pavarur, duke qenë kandidati i vetëm jashtë Frontit në zgjedhjet e 2 dhjetorit.
Hoxhson dhe Fultz: krijoni opozitën
Që përpara miratimit të këtij ligji, qeveritë amerikane dhe britanike nëpërmjet përfaqsuesëve të tyre në Shqipëri gjeneralëve Xheikobs dhe Hoxhson i kërkuan Enver Hoxhës zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, si kusht për njohjen e qeverisë shqiptare. Këtë gjë amerikanët ja kërkuan përsëri zyrtarisht Enver Hoxhës më 10 nëntor 1945 me anë të Harri Fultzit e Hoxhsonit të cilët i përsëritën Enverit në cilësinë e Kryeministrit dhe Kryetarit të Frontit Demokratik, kërkesën e qeverisë së tyre që në këmbim të përfaqsive diplomatike qeveria shqiptare duhet të siguronte zgjedhje të lira dhe të fshehta, shtypin e lirë dhe ndjekjen e zgjedhjeve nga gazetarët e huaj. Lidhur me këtë në kujtimet e tija Enveri shkruan:" Anglo-amerikanët e përqëndruan vëmëndjen te krijimi i Opozitës. Kjo ishte e domosdoshme për ta se po afronte koha e fushatës elektorale . Ata u lidhën me elementë reaksionarë dhe tradhëtarë të maskuar në Frontin Demokratik, si Shefqet Beja, Riza Dani, Gjergj Kokoshi, Selaudin Toto, Sami Qeribashi, Suat Asllani e ndonjë tjetër. Disa nga këta do t` i udhëzonin të dilnin hapur në momentet e përshtatëshme, ndërsa të tjerët do të vazhdonin të qëndronin si njerzit e fshehur në "Kalin e Trojës", që në momentin oportun t` i lëshonin për të minuar nga brenda Frontin dhe për ta na goditur befasisht pas shpine. Ky ishte një plan i gjërë i hartuar nga Londra dhe aleatja e saj përtej Atllantikut. Dëgjonim zëra se reaksioni po përpiqej që të krijonte një parti që do të dilte kundër programit të Frontit. Dhe siç thotë populli, ku ka zë, s` është pa gjë. Nuk ishin pa domethënie pyetjet e gjeneralit Hoxhson në bisedën që patëm kur erdhi në Shqipëri. Ai më pyeti se a do të merrte pjesë ndonjë grup në zgjedhje jashtë Frontit. Këtë gja ai ma kërkoi pas asaj për partitë politike që ne nuk kishim lejuar të formoheshin. Unë ju përgjigja atij: Sipas shenjave të deritanishme zoti gjeneral, nuk ka dhe s` ka pse të ketë. Dhe a e dini pse? Sepse është lufta e popullit shqiptar që e zgjidhi këtë çështje. Opozitën e hoqi qafe lufta, revolucioni popullor, sepse ajo ra në prehërin e pushtuesëve dhe u kompromentua. Mbas përgjigjies sime ai më pyeti: Mirpo, zoti Hoxha nuk paska të paktën kandidatë indipendentë që të konkurojnë në fushatën elektorale? Unë ju përgjigja: Individë që nuk ju pëlqen politika e pushtetit popullor, mund të ketë zoti gjeneral dhe kjo është e llogjikëshme. Fronti te ne përfshin shumicën dërmuese të popullit shqiptar. Kjo është fitore e madhe për demokracinë. Nuk është e thënë se po s` pati opozitë nuk ka demokraci. Bile kjo është demokraci më e gjërë , është demokraci e shumicës. Pas kësaj gjenerali më tha: E kisha fjalën për kandidatët indipendentë. Unë ju përgjigja se ligji elektoral i lejonte kujtdo që të vinte kandidaturën dhe s` do ishte faji ynë në rast se ata nuk do gjenin 20 vetë që të ishin pro tyre për t` i përkrahur në zgjedhje. Pas kësaj gjenerali Hoxhson më tha: Te ju nuk ka shtyp tjetër, përveç se atij zyrtar. Unë ju përgjigja se ishte e vërtetë se tek ne nuk kishte shytp tjetër përveç atij zyrtar, por ama aty kishte të drejtë të shkruante kush të donte, përveç armiqëve të popullit shqiptar. Këtë që po më thoshte me diplomaci ky përaqsues i reaksionit të jashtëm, s` kaloi kohë dhe po i dëgjonim në forma të tjera , por tepër agresive, nga reaksioni i brendshëm, përfundon dëshminë e tij Enver Hoxha lidhur me bisedën që ai zhvilloi me gjeneralin britanik Hoxhson, i cili së bashku me përfaqsuesin e qeverisë amerikane në Shqipëri Harri Fultzin, i kërkuan Enverit zgjedhje të lira dhe demokratike ku të përfaqsohej dhe opozita. Deri në atë kohë qeverinë shqiptare e kishin njohur vetëm Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Polonia. Megjithë presionet e përfaqsuesëve të qeverive anglo-amerikane për ligjin elektoral dhe zgjedhjet e lira e të fshehta, Enver Hoxha nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim, pasi më 19 nëtor qeveria sovjetike nëpërm jet kolonelit Sokolov i ofroi atij përfaqsinë diplomatike në Tiranë. Ndonëse ligji elektoral nuk e ndalonte kandidimin e deputetëve të pavarur, ajo pothuaj ishte e pamundur. Kështu avokati i njohur Koço Dilo që tentoi të dilte si i tillë, pas një presioni dhe kërcënimesh që ju bënë nga ana e Sigurimit dhe njerëzve të Frontit, u detyrua që jepte dorheqjen.
Kush ishin kandidatët e Frontit
Ligji elektoral i miratuar nga KANÇ-çi, vendosi që Parlamenti i parë shqiptar i pasluftës që do të dilte nga zgjedhjet e 2 dhjetorit do të përbëhej nga 108 deputetë që do dilnin nga Qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Peshkopisë, Kukësit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Vlorës. Lista e kandidatëve të Frontit përbëhej kryesisht nga personalitetet e luftës që kryesohej nga Gjeneral-kolonel Enver Hoxha, Gjeneral-leitnant Koci Xoxe dhe tre gjeneralët-majorët Spiro Mojsiu, Myslym Peza dhe Dali Ndreu. Pas këtyre kishte dhe ushtarëkë të tjerë që përbënin numrin më të madh të deputetëvetë si kolonelët Hysni Kapo, Haxhi Lleshi, Kristo Themelko, Islam Radovicka, Shefqet Peçi, si dhe disa nënkolonelë. Përveç ushtarakëve në listën e kandidatëve ishin dhe disa intelektualë të njohur Prof. Skënder Luarasi, Prof. Kol Prela. Prof Aleksandër Xhuvani, Prof Sali Mborja, Prof. Sejfulla Malëshova. Prof. Siri Shapllo, Prof. Kadri Baboçi dhe Dr. Ymer Dishnica. Dr. Enver Sazani, Dr.Petraq Popa. Dr. Medar Shtylla. Në listën e kandidatëve binin në sy dhe një numër nacionalistësh që nuk ishin komunistë por që kishin luftuar apo kishin përkrahur Frontin, siç ishin Baba Faja Martaneshi, Sheh Karbunara, Baba Fejzo Dervishi, Myslym Peza, Mestan Ujaniku, Hysen Zaloshnja etj. Nga 108 kandidatët e Frontit Demokratik, ishin vetëm dy gra Ollga Plumbi që kandidonte në Tiranë dhe Liri Gega në Vlorë. Në listën e kandidatëve potencialë binte në sy mungesa e Mehmet Shehut i cili asokohe studjonte në Bashkimin Sovjetik në Akademinë e Shtatmadhorisë. Shumica e kandidatëve të Frontit, duke përjashtuar Enver Hoxhën që kandidoi në Tiranë, kandiduan nëpër qytetet e tyre. Kështu në Tiranë përveç Hoxhës, ishin dhe Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Hasan Reçi dhe Ollga Plumbi. Në Korçë kandidonin Koci Xoxe, Pilo Peristeri, Koço Tashko, Kristo Themelko etj, Në Durrës, Nako Spiro, Enver Sazani, Spiro Mojsiu etj, Në Vlorë Hysni Kapo, Spiro Koleka, Liri Gega, Bilbil Klosi, Shefqet Musaraj etj, në Gjirokastër Omer Nishani, Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova, Në Shkodër Tuk Jakova, Mark Ndoja, Zef Malaj e Gjovalin Luka.
Si u zhvillua fushata dhe zgjedhjet
Fushata elektorale e zgjedhjeve të 2 dhjetorit u hap që në fillimin e majit nëntor. Kandidatëve të vetëm të Frontit ju bëhej një propagandë e madhe në Radio-Tirana dhe në gazetën "Bashkimi" e cila çdo ditë publikonte me foto dhe shkrime kandidatët e saj. Po kështu të gjithë kandidatët e Frontit hapën zyrat e tyre elektorale me shtabe të caktura më parë që përbëheshin kryesisht prej dhjetë personash që ishin publikuar në gazetën "Bashkimi". Përveç Radio-Tiranës dhe "Bashkimit" për kandidaët e Frontit ishte i angazhuar i gjithë shteti komunist me gjithë arsenalin propagandistik që kishte në dispozicion duke bërë mitingje pa mbarim dhe presione nga më të ndryshmet për t` i detyruar njerzit që të votonin për kandidatët e Frontit. Nisur nga presioni i anglo-amerikanëve Enver Hoxha u detyrua që të lejonte disa gazetarë të huaj nga perëndimi siç ishte korespodenti i "Deli-Telegraf" e ndonjë tjetër për të cilët ai me cilësinë e Kryeministrit dha një konferencë shtypi në Hotel "Dajti" ku kishte dhe rezidencën qeveria. Në atë konferencë Enver Hoxha pasi falenderoi gazetarët për pjesmarrjen e tyre, i bëri një rezyme luftës antifashiste nacional-çlirimtare të Frontit, pa thënë asnjë fjalë për ligjin elektoral dhe Partinë Komuniste që kandidonte e vetme nën maskën e Frontit. Ndonëse atmosfera parazgjedhore ishte e gjitha e kontrolluar nga ana e Frontit, në shumë qytete dhe qarqe të vendit pati reagime të ndryshme, kundra politikës që po ndiqte qeveria komuniste. Kështu në qytetin e Shkodrës një grup të rinjsh gjimnazistë dhe seminaristë të kolegjit françeskan krijuan grupimin antikomunist "Bashkimi Shqiptar" të cilët shpërndanin trakte me përmbajtje antikomuniste. Pjestarët e këtij grupi u arrestuan pothuaj të gjithë pak ditë para zgjedhjeve dhe 5 prej tyre u pushkatuan. Po kështu disa nacionalistë që ishin të arratisur në mal, si Muharrem Bajraktari dhe Gjeneral Prenk Previzi i bënë protesta përfaqsive perendimore që ishin në Tiranë. Më 2 dhjetor u zhvillua proçesi zgjedhor, nën një situatë që kontrollohej plotësisht nga qeveria në fuqi. Në qëndrat e votimit ishin të vendosura dy kuti, ku njëra përfaqsonte Frontin Demokratik, kurse tjetra kundërsharët e saj. Votimi u bë me gogla gome dhe votuesit i hidhnin goglat në atë kuti që dëshironin. Në atë proçes zgjedhor pati shumë abuzime nga që komisionet ishin vetëm me përfaqsues të Frontit dhe numrimin e votave e bënë pa prezencën e ndonjë opozite. Kështu në shumë qendra votimi kryesisht të zonave të Veriut që quheshin reaksionare, kutitë e kandidatëve të Frontit që mbetën bosh, gjatë numërimit u mbushën me ato që ishin kundër tyre.
Rezultati i zgjedhjeve
Disa ditë pas proçesit zgjedhor Komisjoni Qëndror i zgjedhjeve i përbërë nga Kryetari Andrea Sahatçi, Sekretari Andrea Nathanaili, dhe antarët Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata shpallën rezultatet e votimeve. Kështu sipas këtij komisjoni nga 603.566 zgjedhës që ishin të regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354 zgjedhës që përbënin 90,02 %. Nga këta zgjedhës 506319 votuan për kandidatët e Frontit Demokratik dhe 36.758 vota u hodhën në kutinë pa kandidat, kurse 227 vota u hodhën në favor të një kandidati të pavarur. Kështu për kandidatët e Frontit votuan 93.18 %, kundër tyre 6.77 % dhe 007 % për kandidatin e pavarur. Nga 108 kandidatët e Frontit Demokratik numërin më të madh të votave kundra e kishte Ollga Plumbi në Tiranë, e cila nga 18.242 votues 2.269 votuan kundër saj. Pas Ollga Plumbit më shumë vota kundër mori Enver Hoxha. Kështu nga 17564 votues, 2.151 votuan kundër tij. Sidoqoftë këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga ata deputetë u zgjodh një Asamble Kushtetuese e cila rreth 40 ditë më vonë më 11 janar 1946 në sallën ku sot është Akademia e Arteve, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.
//Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?
-
Po
52.9%
-
Jo
39.9%
-
Nuk e di
7.2%
Vota total: 4501
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Shfaqet sëmundja e zgjebes në Pogradec! Nga 7 raste, 3 janë në konviktin turk
2 Nëntor, 13:05
-
Gjirokastër/ Makina e Policisë përplaset me një automjet tjetër! Plagoset shefi i stacionit kufitar të Kakavijës
2 Nëntor, 13:02
-
Përmbytje në Spanjë, Sanchez: Do të dërgojmë edhe 10 mijë ushtarë në Valencia! Mbi 200 të vdekur, 1900 të zhdukur
2 Nëntor, 13:01
-
FOTOLAJM/ Rama shijon diellin e Korçës mbas Hallouinit
2 Nëntor, 12:53
-
'Çarje në muskul', Rey Manaj dëmtohet sërish dhe mungon për Sivasspor
2 Nëntor, 12:51
-
Rama: Vlora, bregdeti me shëtitoren më të gjatë në mesdhe! Gati të vijojmë Lungomare 4 në zonën e Orikumit
2 Nëntor, 12:50
-
Ligue 1/ Monaco në 'rënie të lirë', Angers e mposht 0-1! Lille dhe Lyon barazojnë me gola
2 Nëntor, 12:24
-
Atentati me 3 të vrarë në Shkodër, Shqiptarja.com siguron foton e Izmir Sakices! Në kërkim policor edhe për atentatin ndaj 'Audi-t' të blinduar në Bushat
2 Nëntor, 12:13
-
Opozita marshim proteste në Shkodër: Qytetërimi asht ma i fortë se krimi! Po na vrasin, duhet reagim (FOTO+VIDEO)
2 Nëntor, 12:10
-
Përplasi për vdekje këmbësorin në aksin Milot-Morinë, arrestohet 24 vjeçari nga Kosova
2 Nëntor, 11:47
-
Incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë në Tbilisi, UEFA gjobit FSHF-në me 26 mijë e 875 euro
2 Nëntor, 11:46
-
Veliaj në Torino, takon kryebashkiakun Lo Russo! Nis bashkëpunimi mes dy qyteteve, për Tiranën Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës në 2025
2 Nëntor, 11:31