Biseda mes drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 8 në Tiranë dhe personelit mjekësor, e shpërndarë dje nga Partia Demokratike, ku tregohen mungesa të theksuara në mjetet të disponueshme për parandalimin e koronavirusit, ngre pyetje të rëndësishme lidhur me atë se si sistemi shëndetësor po përgatitet të pengojë epideminë e koronavirusit ditën kur ajo të mbërrijë edhe në Shqipëri.

Konferencat e përditshme për shtyp që organizon Ministria e Shëndetësisë tregojnë pak për këtë nivel përgatitjeje dhe të vazhdosh të përsëritësh që çdo gjë është nën kontroll, nuk do të thotë që kjo është e vërtetë. Përvoja botërore ka treguar se kontrollet e pasagjerëve në pikat kufitare nuk shërbejnë për asgjë. Të dhënat e publikuara mbi analizat e kryera vlen akoma me pak, pasi në Itali, për të identifikuar 4.600 të sëmurë, u kryen 37.000 analiza mbi po kaq raste të dyshuara. Është e qartë se me vetëm 60 analiza të kryera në Shqipëri rezultati do të jetë zero. Kjo nuk do të thotë që strategjia e ndjekur nga autoritetet shqiptare është e gabuar: infodemia e shpërthyer në Itali, me analiza kudo dhe me një transparencë absolute për të dhënat e grumbulluara, po i shkakton dëme të jashtëzakonshme ekonomisë, ndërkohë që, për shembull, në Francë e Gjermani bëjnë shumë pak analiza dhe, për pasojë, zbulojnë shumë pak raste, duke pasur një përfitim shumë të madh ekonomik, si dhe nuk shkaktojnë panik tek popullata.  

Por, të mos e kërkosh koronavirusin, kjo nuk do të thotë që e ke bllokuar. Masat parandaluese, në fakt, gjithsesi duhet të merren, spitalet dhe personeli mjekësor duhet të jenë gati dhe popullata duhet të dijë se çfarë të bëjë çdo ditë për të penguar përhapjen e virusit, i cili ndoshta ndodhet tashmë mes nesh, edhe pse nuk është identifikuar ende. Ja pra që ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve themelore për të siguruar opinionin publik dhe për të treguar se është me të vërtetë në rregull me detyrat e shtëpisë për të përballuar koronavirusin:

1) Sa shtretër në reanimacion janë të zënë nga të sëmurë të tjerë dhe sa janë të disponueshëm, qoftë në strukturat publike, qoftë edhe në ato private? A ekziston një plan për t’i shtuar ata në rast nevoje? Sa respiratorë automatikë kanë spitalet publike dhe ato private?

2) Perse vetem ne 10 perqind te rasteve te analizuara eshte bere duoble-check, nderkohe qe double-check eshte standart i OBSH-se per te gjitha analizat e koronavirusit ne bote?

3) Sa janë shtretërit e disponueshëm në repartet infektive në Shqipëri?

4) Sa çadra janë të gatshme për tu vendosur jashtë objekteve të ndihmës së shpejtë  për trajtimin e parë (triage), në mënyrë që të shmanget çdo kontakt mes të sëmurëve të dyshuar me koronavirus, të cilët (gabimisht) vijnë në spital dhe të sëmurëve të tjerë që presin të vizitohen?

5) Çfarë pajisjesh që shmangin ngjitjen e sëmundjes kanë në dispozicion mjekët dhe infermierët ne spitalet dhe nëpër ambulanca? A kanë, veç maskave, edhe doreza, syze dhe kominoshe dhe a i kane në sasi te mjaftueshme?

6) A është e vërtetë, sikurse denoncohet në atë regjistrim audio, që mjekët dhe infermierët në kontakt me të sëmurët, në periferi, nuk disponojnë material dezinfektues? Sa është sasia rezervë e lëngjeve dezinfektuese, syzeve, dorezave dhe kominosheve në dispozicion të mjekëve e infermierëve?

7) Për të trajtuar të sëmurët me koronavirus përdoren ilaçe që janë të destinuar normalisht për të kuruar SIDA-n, Ebola-s ose malarien: ministria e Shëndetësisë ka porositur sasi të mjaftueshme të këtyre ilaçeve për të përballuar një emergjencë të mundshme? Dhe çfarë sasish janë aktualisht të disponueshme?

8) Sa pajisje për të analizuar koronavirusin (Test Kits) disponojnë laboratorët e analizave? Dhe sa laboratorë në vend janë të stërvitur për të kryer testimet?

9) A janë mjekët e familjes, të cilët në të gjithë Evropën përdoren si pika e parë e kontaktit (telefonik) për të diagnostikuar rastet e dyshuara, të stërvitur se si duhet të veprojnë përballë kësaj emergjence?

10) A ekzistojnë nëpër spitale dhe struktura publike shpërndarës të dezinfektantëve, në mënyrë që të promovohet maksimalisht përdorimi i tyre, duke kufizuar rrezikun e ngjitjes?

11) Përse nuk është bërë asnjë fushatë komunikimi masiv dhe i vazhdueshem në media për të edukuar popullatën lidhur me veprimet që duhet të bëjnë për të shmangur infektimin? (le të jetë e qetë ministrja: televizionet janë të detyruar të transmetojnë falas spotet në dobi të publikut, kështu që kjo fushatë nuk do të kishte asnjë kosto për buxhetin e ministrisë së saj). Report Tv është i vetmi televizion qe ka prodhuar dhe transmeton cdo ore një spot edukativ te tille, por një nismë individuale nuk mjafton.

Të besosh se koronavirusi është thjesht një marrëzi që do të kalojë me mbërritjen e pranverës, siç tha presidenti amerikan Donald Trump, nuk autorizon asnjë institucion shtetëror ta trajtojë këtë emergjencë shëndetësore botërore me indiferencë apo superioritet sepse edhe vete SHBA kane vene ne dispozicion mbi 8 miliard dollar për të përballuar epideminë. Optimizmi personal nuk duhet të kushtëzojë detyrimet institucionale. Ndryshe nga tragjedia e tërmetit, për koronavirusin nuk mund të presim asnjë ndihmë nga jashtë. Shqipëria ka avantazhin e madh që ende nuk ka asnjë vatër koronavirusi: një avantazh, që ministrja e Shëndetësisë duhet ta shfrytëzojë për të qenë e përgatitur ditën e betejës.