Kjo që po ndodh rrugëve të Tiranës nuk është një rrufe në qiell të pastër, por është një zhvillim që mund të parashikohej qysh në ditët e para të revolucionit Flamingo. Për të kuptuar se ku mund të na çojë kjo histori, duhet të kujtojmë si nisi dhe si evoluoi kjo lëvizje gjatë katër muajve të fundit.
Që në qershor, kur protesta kundër projekteve në Sazan e Zvërnec nisi të merrte karakter politik, në një shkrim që botova asokohe ngrita disa pyetje: kush e drejtonte, çfarë kërkonte të arrinte dhe kush mbante përgjegjësi për vendimet e saj? Na thuhej se protesta nuk kishte drejtues dhe se vendoste populli. Madje, ky model popullor organizimi paraqitej si virtyti më i madh i lëvizjes, pasi po të kishte kokë protesta, “pushteti diktatorial do t’ia priste menjëherë”.
Argumentuam se një protestë mund të lindë spontanisht, por nuk mund të mbetet pafundësisht e tillë, sidomos kur kërkon të ndryshojë pushtetin. Pa drejtim, pa objektiva të përcaktuar dhe pa njerëz që marrin përgjegjësi, ajo mund të shndërrohej lehtësisht në një grumbullim pakënaqësish që secili e përdor sipas interesit të vet. Për këtë rrezik shkruam po ashtu gjerë e gjatë te artikulli “Panairi i pakënaqësive”.
Dhe pikërisht kështu ndodhi. Nga kundërshtimi i dy projekteve konkrete u kalua te largimi i Edi Ramës, pastaj te refuzimi i gjithë klasës politike të 35 viteve të fundit dhe në fund te kundërshtimi i vetë sistemit kushtetues e politik. U fol për kuvende kombëtare, për demokraci të drejtpërdrejtë, për përfaqësues të zgjedhur me short etj. Por askush nuk shpjegoi bindshëm se kush do t'i zgjidhte këta përfaqësues, çfarë legjitimiteti do të kishin dhe si do ta ushtronin pushtetin. Përpjekjet për t'i dhënë lëvizjes një formë politike nuk prodhuan as program, as drejtim dhe as alternativë.
Ndërkohë, protesta u zbeh. Njerëzit nisën të largohen dhe nga lëvizja që pretendonte se përfaqësonte popullin mbeti veç një bërthamë e vogël. Ata e vazhduan me vendosmëri protestën, në shi e në diell, ditë pas dite, deri më 13 tetor. Me gjithë mbështetjen e disa mediave, protesta e humbi tërheqjen e saj dhe nisi të bëhej e bezdisshme edhe për një pjesë të opinionit publik. Këtë gjë e kuptuan edhe vetë protestuesit, të cilët lëshonin kërcënime poshtë e lartë si “ta shikoni në tetor çfarë do të bëhet, sa të vijnë studentët”. Këta qëndrestarë të protestës përbënin kryesisht pjesën më radikale të saj. Të rinj që nuk kërkonin më thjesht ndryshimin e qeverisë, por përmbysjen e sistemit, pra një revolucion rrënjësor. Një bërthamë me bindje radikale antisistem, ku dallohen edhe qëndrime të së majtës ekstreme.
Dhe pikërisht kur protesta dukej se po shuhej, më 14 tetor ndodhi ajo që pamë të gjithë. Nën emrin e studentëve, në rrugët e Tiranës dolën grupe të maskuara që prej thuajse 72 orësh sulmojnë institucione, thyejnë, djegin e bastisin prona publike dhe private. Dyshimi im është se studentët u përdorën si mbulesë për një përshkallëzim të dhunshëm që nuk kishte më shumë lidhje me kërkesat e tyre. Nuk besoj se grupet e maskuara që djegin e shkatërrojnë Tiranën përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre. Mund të ketë ndonjë syresh mes tyre, por kjo nuk është fryma studentore. Tiranën e kanë marrë në dorë grupe huliganësh që nuk dihet kush i drejton e financon dhe çfarë qëllimesh kanë. Prandaj, të thuash se kjo është një tërësisht revoltë e studentëve jo vetëm që është e gabuar por edhe keqdashëse.
Ndërkohë shohim se vazhdon të ndiqet e njëjta strategji organizimi. Nuk ka drejtues të shpallur, nuk ka kërkesa politike të artikuluara dhe askush nuk merr përgjegjësi për dhunën. Largimi i Edi Ramës është objektiv, por jo synimi përfundimtar politik. Pas maskave dhe kapuçëve fshihen të rinj që shkatërrojnë e djegin gjithçka, ndërsa dhuna justifikohet me shpjegimin se rinisë i ka vajtur thika në palcë. Nga ana tjetër, nëse djegia e qytetit dhe sulmi ndaj institucioneve normalizohen si model sjelljeje, atëherë nuk kemi më të bëjmë me protestë demokratike, por me anarki. Në fillim na thanë se revolta nuk kishte drejtues. Tani rezulton se nuk ka as përgjegjës.
Këtu qëndron problemi që duhet të na shqetësojë më shumë. Me kë do të negociojë shteti? Kush mund të ulet në një tryezë, të paraqesë kërkesa dhe të marrë përsipër zbatimin e një marrëveshjeje? Por, a mund të negociohet me maska dhe kapuçë? Aq më pak me një lëvizje, e cila ka disa muaj që bërtet se nuk e njeh legjitimitetin e institucioneve kushtetuese.
Mungesa e drejtimit, që fillimisht shitej si demokraci e pastër popullore, sot po bëhet pengesë për çdo zgjidhje, paçka se kjo lëvizje nuk e dëshiron fare dialogun. Dihet se dialogu kërkon kompromis, ndërsa kompromisi kërkon të njohësh palën tjetër si bashkëbisedues. Kur refuzon sistemin dhe njëkohësisht nuk pranon të përfaqësohesh, konflikti mbetet pa rrugëdalje. Kësisoj, dhuna sjell krizë, kriza përdoret për të justifikuar dhunën dhe kështu mund të vazhdohet pafundësisht.
Rreth protestës janë afruar ndërkohë edhe aktorë politikë, parti e partiçka opozitare dhe kundërshtarë të kryeministrit Rama, të bashkuar nga dëshira për ta larguar atë. Kam përshtypjen se disa prej tyre, të verbuar nga armiqësia ndaj z. Rama dhe etja për pushtet mund të jenë futur në një histori që nuk e kontrollojnë dot dhe që nesër mund t'u dalë edhe atyre nga duart.
Por, a është vërtet largimi i Edi Ramës qëllimi përfundimtar i revoltës? Apo ai është vetëm dashi i kurbanit për një krizë shumë më të madhe të mëvonshme?
Sa më shumë e ndjek këtë zhvillim, aq më tepër më krijohet përshtypja se mund të jemi përballë një procesi me synime më afatgjata. Nuk kam prova për ndonjë skenar të fshehtë dhe nuk dua të ndërtoj teori konspirative. Por, kur një lëvizje kalon nga kundërshtimi i qeverisë te mohimi i sistemit politik dhe përfundon te dhuna, është e arsyeshme të pyesim se çfarë kërkohet të arrihet në të vërtetë.
Afërmendsh që Shqipëria nuk është bërë Zvicër gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Korrupsioni, varfëria, emigracioni dhe problemet e tjera të vendit janë reale. Por po aq reale janë edhe arritjet e këtyre viteve. Përparimi në procesin e integrimit europian nuk është një certifikatë që ia ka dhënë vetes qeveria shqiptare. Hapja e negociatave, përmbushja e kritereve dhe mbyllja e disa prej kapitujve janë vlerësuar e miratuar nga institucionet e Bashkimit Europian. Kjo nuk do të thotë se gjithçka shkon mirë, por se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, të njohur ndërkombëtarisht.
Pikërisht në këtë moment Shqipëria rrezikon të futet në një krizë të rëndë të brendshme. A mund të jetë rastësi? Ndoshta. Por kush do të përfitonte nga një Shqipëri e destabilizuar, me institucione të paralizuara dhe me integrimin europian të vënë në pikëpyetje? Kjo pyetje nuk mund të shmanget vetëm nga frika se mos na akuzojnë për teori konspirative.
Le të supozojmë se Edi Rama sot jep dorëheqjen. Çfarë ndodh më pas?
Kuvendi mbetet po ai. Po ashtu edhe Presidenti i Republikës. Partia Socialiste vazhdon të ketë shumicën parlamentare dhe çdo qeveri e re, qoftë edhe teknike, duhet të marrë votëbesimin e Kuvendit e dekretimin e Presidentit. A do ta pranonte krahu antisistem i revoltës një qeveri që buron nga institucionet që ai kërkon të përmbysë? Nëse jo, atëherë largimi i Ramës nuk e zgjidh krizën. Përkundrazi, mund ta thellojë atë.
Këtu qëndron rreziku i vërtetë. Nëse një kryeministër largohet sepse grupe të dhunshme djegin kryeqytetin dhe sulmojnë institucionet, çfarë mund të kërkojnë nesër përsëri me dhunë? Ndoshta mosnjohjen apo largimin e qeverisë tjetër? Tjetrës e tjetrës me radhë? Madje, nuk do të ishte çudi që të mos pranonin as një kryeministër të dalë nga radhët e atyre që sot i mbështesin.
Prandaj, mendoj se në këto kushte kryeministri Rama nuk duhet të japë dorëheqjen. Jo për të shpëtuar pushtetin e tij, por sepse një dorëheqje e imponuar nga dhuna do të krijonte një precedent tepër të rrezikshëm, pasi nuk kemi të bëjmë me një krizë qeverisëse, as me mungesë votëbesimi. Kemi katër muaj që dëgjojmë që populli ka dalë në shesh, sovrani po flet etj. etj.. Por a është vërtet kështu? Kush e përfaqëson sovranin? Mos vallë këta dorëflakadanët janë mandatuar nga populli të flasin në emër të tij? Le të mendojmë për një çast se u çmend edhe Partia Socialiste dhe i bën thirrje votuesve të saj të dalin në mbështetje në shesh. Po atëherë? Ndoshta kjo mund të jetë ajo që dëshirojnë shefat e huliganëve, kaos e konflikt civil. Kjo të kujton atë sloganin e vjetër të armiqve të Shqipërisë, që shqiptarët nuk dinë të qeverisen...
Prandaj, një dorëheqje e imponuar nga dhuna do të ishte një kapitullim i autoritetit të shtetit përballë atyre që kërkojnë ta zëvendësojnë votën me dhunën e rrugës. Madje, në kuptimin politik e moral, do ta konsideroja një tradhti ndaj interesave kombëtare dorëheqjen e kujtdo kryeministri në këto kushte. Përgjegjësia e një kryeministri nuk është vetëm të dijë kur të largohet, por edhe të mos e lërë vendin në dorë të anarkisë. Kjo nuk e vendos atë mbi ligjin dhe as e përjashton nga përgjegjësia për qeverisjen e tij.
Nuk është e thënë që gjithçka të përfundojë si në vitin 1997. Rrethanat janë të ndryshme. Por ama “një fantazmë po sillet nëpër Tiranë, fantazma antisistem”, që mund të kthehet në krizë të autoritetit të shtetit demokratik. Kur shteti humbet autoritetin, nuk është më vota ajo që përcakton zhvillimet, por kush arrin të imponohet në rrugë.
Shqipëria ka mjaft probleme për të zgjidhur. Por zgjidhja nuk mund të jetë shembja e rregullave demokratike. Aq më pak në një kohë kur vendi ka një mundësi reale për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nuk pretendoj se di kush qëndron pas dhunës që po ushtrohet. Duhet të hetohet seriozisht kush e organizon, kush e financon dhe kush përfiton prej saj. Por që kjo punë qelbet erë, qelbet! Duhet të ndahet qartë e drejta e qytetarëve për të protestuar nga veprimet e atyre që shkatërrojnë qytetin. Po aq e rëndësishme është që shteti të bëjë detyrën e vet, të mbrojë qytetarët dhe institucionet.
Prandaj, të flasim një herë troç, dreqi ta hajë! Problemi nuk është më vetëm nëse Edi Rama duhet të qëndrojë apo të largohet. Problemi është se po përballemi me një lëvizje të dhunshme antisistem që rrezikon të na fusë në spirale kaosi. Nëse nuk gjendet një mënyrë për të ndalur dhunën rrezikojmë të hyjmë në një krizë politike ku largimi i Edi Ramës do të ishte vetëm fillimi, jo fundi i saj.
Prandaj, mos lejoni që mllefet personale apo politike ndaj Edi Ramës t'ju errësojnë arsyen. Hapni sytë dhe shihni se çfarë po mbështesni! Në përpjekje për të rrëzuar një kryeministër që nuk e doni, mos u bëni pa e kuptuar mbështetës të një anarkie që nesër mund të mos dimë si ta ndalim. Një kryeministër sot është, nesër nuk është. Shqipëria do të mbetet këtu, bashkë me pasojat e asaj që po bëjmë sot.
-
Shume fjale per te thene asgje!
Përgjigju











Komente
Komento