A jetohet shëndetshëm pa lekë? Altin Joka: Ja 6 'mjekët' më të mirë të shëndetit

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për atë që njihet si “shëndet i lirë”, apo të kujdesurit për shëndetin në mënyrë ekonomike, pa shumë kosto.

”Për shkak të kostove të larta të ushqimeve të shëndetshme, duket sikur një pjesë e popullatës është përjashtuar nga shëndeti i përgjithshëm” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se ne e kemi kufizuar shëndetin vetëm në disa pika, vetëm tek stërvitja dhe aktiviteti fizik sidomos nëpër palestra dhe vetëm tek pjata apo ushqimi që duhet të konsumojmë gjatë ditës. Këtu është bazuar gjithë shëndeti ynë, por faktikisht shëndeti ynë nuk rrotullohet vetëm tek kjo, janë disa shtylla fondamentale të shëndetit, të cilat janë si themelet e një banese” u shpreh Joka në fillim të bisedës duke theksuar se shëndeti nuk varet nga paraja, por nga përkushtimi që ne bëjmë çdo ditë.  

Por cilat janë shtyllat bazë prej të cilave varet shëndeti ynë?

“Së pari shëndeti ynë varet nga ajri i pastër, pasi ajri sot është një përzjerje e padukshme gazrash dhe sipas studimeve, niveli i ndotjes sot në qendra qytetesh është shumë i lartë. Triliona qeliza tona të trupit janë të lidhura me pjesën e oksigjenimit. Kur kemi probleme me ajrin dhe cilësinë e tij, kemi dhimbje koke, pengim të frymëmarrjes, bllokim të sinuseve, ngjirje të zërit, lodhje, tharje fyti, marramendje, probleme me aneminë, deri tek problemet e tiroideve apo gjendrave endokrine. Ajri i pastër gjendet me bollëk në male, ujëvara, liqene, rrëzë pyjeve, në dete. Sipas studimeve, ka dalë se ambientet e mbyllura brenda, pra banesat tona, e kanë ajrin më të ndotur se ambienti jashtë, ndaj dhe këshillohet mbajtja e luleve apo bimëve të ndryshme, të cilat mund të largojnë një pjesë të toksinave nga banesat tona. Një tjetër pikë e rëndësishme është që ne duhet të rregullojmë nivelin e frymëmarrjes nëpërmjet ushtrimeve disa herë në ditë duke rregulluar kështu disa procese metabolike shumë të rëndësishme për shëndetin, energjinë dhe imunitetin tonë”.

Shtylla e dytë bazë për një shëndet të mirë është uji, pa të cilin ne nuk mund të jetojmë dot.

“75 % e pupullatës në botë janë të dehidratuar. Hidratimi sjell një plakje më të ngadaltë, sjell shëndet më të mirë, pakëson depresionin e sjell më pak probleme shëndetësore kronike. Por, shumica e njerëzve e pijnë ujin gabim, e pijnë në temperaturë shumë të ftohtë apo me akull, ndërkohë që uji duhet të konsumohet në një temperaturë nga 10 deri në 15 gradë. Gjithashtu uji nuk duhet të pihet nxitueshëm, ne duhet të ulemi kur pijmë ujë, duhet të pihet ngadalë dhe gradualisht, jo përnjëherë që të godasë organe si mëlçia. Sot uji nuk është më i mineralizuar, ndaj dhe këshillohet që të shtojmë disa thërrime kripe apo akoma më mirë t’i shtojmë dhe disa erëza brenda si rozmarina, borziloku, mente, etj. Dhe e fundit është se ne duhet të konsumojmë sa më shumë ujë të strukturuar duke e lënë në frigorifer në 2-3 gradë për disa orë dhe pjesën e cipës së akullit duhet ta heqim, pasi ky ujë është më i pastër dhe më i mirë” theksoi specialisti i mjekësisë holistike Altin Joka.

Më pas Joka u ndal dhe në elementë të tjerë të rëndësishëm për shëndetin, siç është Dielli, një nga agjentët më të mirë shërues që mund të ekzistojë. ”Dielli është një kurë e mirë që nxit prodhimin e vitaminës D, kaq shumë e nevojshme për trupin, ne duhet të qendrojmë jashtë 3-4 orë gjatë ditës, pasi ekspozimi në dritën e diellit sjell rritjen e qelizave të bardha të gjakut, antitrupat tanë të forcimit imunitar. Drita ultra-vjollcë ka efekte në organet e brendshme si stomaku, pankreasi, mëlçia, veshkat, lufton kancerin, pasi përshpejton metabolizmin e trupit për të eleminuar të gjitha toksinat. Gjithashtu dielli ul nivelin e kolesterolit dhe diabetit, ndihmon artritin dhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore”.

Një tjetër pikë tepër e rëndësishme është gjumi, shplodhja e trupit. Pagjumësia, një gjumë jo cilësor dhe i pamjaftueshëm kanë dëmtuar rëndë shëndetin tonë, kjo është e lidhur dhe me jetesën moderne, teknologjinë, ekranet, celularët, etj. Trupi që të shërohet do pushim, ndaj dhe gjumi është një nga elementet më të rëndësishëm për trupin tonë. Pyetjes sesa orë gjumë duhet të bëjmë në ditë, Joka i përgjigjet duke thëne se kjo varet nga grupmosha.

“Për fëmijët deri në 6 vjeç duhet të jetë 14 orë gjumë në ditë, për fëmijët që sapo kanë filluar moshën e parë të adoleshencës duhet të jetë 12 orë gjumë, për 18- vjeçarët duhet të jetë 10 orë gjumë, për të rriturit 8-9 orë dhe mbi moshën 60- vjeçare  mesatarisht rreth 7 orë gjumë”.  

Ushtrimi dhe aktiviteti fizik gjithashtu ndikojnë shumë në një shëndet të mirë, pasi pasiviteti sjell vdekjen e sigurtë dhe të ngadaltë të trupave tanë. Një tjetër pikë e rëndësishme ku u ndal Joka, është dhe qëndrimi larg stresit, i cili ndikon në cilësinë e jetës, pa harruar dhe të ushqyerit e shëndetshëm.

“Sot pa abuzohet me termin ‘ne nuk kemi mundësi dhe para të ushqehemi shëndetshëm’. Kjo është e gabuar, pasi ushqimi i shëndetshëm në rradhë të parë nuk është dieta perfekte, ne kemi nevojë për balancë dhe ekuilibër në ushqimet tona, kemi nevojë që të bazohemi 80 % në ushqime bimore dhe 20 % në ushqime shtazore. Duhet të ushqehemi ngadalë, në vakte të vogla dhe jo të ngrihemi të fryrë nga tavolina” ishin këto disa nga këshillat që ndau nutricionisti Altin Joka në studion e “Rreze Dielli”.

 

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë