Specialsiti i mjekësisë holistike Altin Joka, shpjegon ndryshimet që pëson trupi i grave gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, duke dhënë këshilla për ushqyerjen dhe rutinën e përditshme.
Joka ka folur në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv për perimenopauzën dhe menopauzën, dy faza që sjellin ndryshime të mëdha në trupin e grave dhe ndikojnë në mënyrën e tyre të jetesës. Ai analizoi në detaje mënyrën se si reagon trupi gjatë këtyre periudhave, si dhe dha disa këshilla për menaxhimin e tyre.
“Duhet të shikohen hormonet, pasi gjumi, ushqyerja, stresi dhe ngarkesa kanë një ndikim të madh. Në perimenopauzë, hormonet bëhen shumë të paparashikueshme. Ovulacionet ndryshojnë dhe fillojnë çrregullimet e menstruacioneve. Ndryshon edhe mënyra se si shpërndahet yndyra në trup. Grumbullimi i dhjamit zhvendoset drejt barkut dhe bëhet më i madh, prandaj gratë kanë fryrje. Muskujt pakësohen në dendësi, ndaj një nivel i lartë i proteinave dhe aktiviteti fizik janë thelbësorë”, u shpreh Joka.
Çfarë ndodh konkretisht në trupin e grave gjatë menopauzës?
Sipas Jokës,, gjatë kësaj periudhe ndodhin ndryshime të shumta në organizëm, të cilat prekin metabolizmin, gjumin, kockat dhe sistemin tretës.
Rezistenca ndaj insulinës favorizohet, duke sjellë probleme me metabolizmin, si dhe probleme kardiovaskulare. Gjumi bëhet më i parehatshëm, pasi ndryshimet hormonale ndikojnë në cilësinë e tij dhe rritet niveli i kortizolit.
Ndryshime pëson edhe metabolizmi i kockave, ndërsa bie niveli i silicit, kalciumit dhe vitaminës D. Edhe zorra dhe mikrobioma ndikohen gjatë kësaj periudhe, duke shfaqur probleme si kapsllëku, intolerancat dhe fryrjet.
Joka theksoi gjithashtu se gratë përjetojnë stres kur kalojnë në perimenopauzë. Sipas tij, në këtë ndikojnë edhe ndryshimet në stilin e jetesës, mungesa e lëvizjes, konsumi i lartë i kafeinës dhe cigareve, përdorimi i kontraceptivëve, si dhe kimikatet që merren nëpërmjet ushqimit. Ai u ndal edhe te ndikimi i kimikateve që gjenden në produktet kozmetike dhe në paketimet plastike, të cilat, sipas tij, mund të ndikojnë në organizëm duke bllokuar gjëndrat endokrine. Joka përmendi gjithashtu hormonet, përfshirë progesteronin dhe testosteronin.
Çfarë masash duhet të merrni në rutinën e përditshme?
Altin Joka dha disa këshilla për gratë që kalojnë në perimenopauzë dhe menopauzë, duke vënë theksin te kujdesi për trupin, ushqyerja dhe aktiviteti fizik.
Ai këshilloi rigjenerimin e trupit dhe kujdesin ndaj kushteve në dhomën e gjumit, si dhe sugjeroi që gratë të vishen lehtë dhe të tregojnë kujdes me kafenë dhe alkoolin.
“Duhet të keni kujdes me pijet e nxehta dhe ushqimet pikante, duke parë se si reagon trupi juaj. Bëhuni mjeke të vetes. Lëvizni dhe ushtrohuni. Synoni të mbani një peshë të rregullt. Hani fibra, proteina, minerale dhe antioksidantë. Shmangni njerëzit negativë dhe qetësoni veten. Mund të bëni edhe hipnozë klinike. Mbroni ritmin cirkadian dhe atë të gjumit. Mos e ushqeni ankthin kur keni frikë nga ankthet. Merrni edhe suplemente në formën e çajrave, ushqeni zorrën dhe muskujt”, u shpreh Joka.
Ai paralajmëroi gjithashtu për kujdesin që duhet treguar me dietat, pasi ato mund të ulin nivelin e muskujve në trup.
Cilat ushqime duhen shmangur dhe cilat rekomandohen?
Joka ndau edhe disa sugjerime për ushqimet që duhen kufizuar dhe ato që duhet të përfshihen në regjimin ushqimor gjatë perimenopauzës dhe menopauzës.
Sipas tij, brumërat dhe karbohidratet që merren nga mielli, kafeina, pijet e nxehta, sheqernat dhe alkooli janë ndër produktet që duhen shmangur.
Ndër ushqimet që ai sugjeroi të përfshihen në regjimin ushqimor janë ato me përmbajtje të mirë kalciumi, tërshëra, thjerrëzat, qiqrat, bizelet dhe fasulet.Gjithashtu, ai përmendi brokolin, lakrën, perimet jeshile, agrumet, frutat e pyllit, frutat e plota, peshkun e vogël, vezët, kosin natyral dhe mishin e kafshëve të rritura në kullota.
Në listën e produkteve të sugjeruara përfshihen edhe vaji i lirit, vaji i kokosit, vaji i ullirit, arrat dhe frutat e thata, si dhe ushqimet që përmbajnë vitamina C dhe K. Joka këshilloi gjithashtu konsumimin e sallatave të freskëta dhe frutave.
Çajrat dhe bimët e sugjeruara gjatë menopauzës
Në fund, natyropati Altin Joka u ndal te disa çajra dhe bimë që, sipas tij, mund të jenë të dobishme gjatë kësaj periudhe. Ai përmendi jamballin, tërfilin e kuq, bambunë, sherebelën dhe algat e detit, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e ushqimeve që përmbajnë vitaminë B6 për hormonet. Joka përmendi edhe vajin e basanit, të cilin e vlerësoi si një tjetër produkt të dobishëm.











Komente
Komento