Kryeministri Edi Rama u pyet nëse ndien përgjegjësi politike për emërimet e bëra nga qeveria, me fokus edhe te emërimi i ish drejtoreshës së SHISH, Vlora Hysenit, dhe nëse po krijohet një standard ku pushteti delegohet pa u përballur me pasoja.
Në përgjigjen e tij, Rama tha se përgjegjësia politike nuk lidhet me veprimet individuale të personave të emëruar, por me vijimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Rama paralajmëroi se ata që tradhëtojnë qëllimin e përbashkët do të përballen me drejtësinë e pavarur.
Pyetje: Ju ritheksuat në Rinas se përgjegjësia mbetet individuale. A ndjeni përgjegjësi politike për emërimet e bëra dhe a po krijohet një standard për pasardhësit tuaj, për kryeministrat e ardhshëm, që të marrin vendime politike, të bëjnë delegime të pushtetit, por të mos përballen me pasoja politike dhe publike?
Rama: Kjo e përgjegjësisë politike është një histori, një avaz më saktë, i përsëritur në pafundësi në mjedisin e diskutimit publik këtu. Dhe unë nuk pretendoj që t’iu bëj të ndryshoni kuptim për përgjegjësinë politike, por vetëm mund t’iu përsëris; përgjegjësia ime politike është një dhe vetëm një, që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjithë atyre ngacmimeve që i bëhen organizmit të shtetit nga veprime që bien ndesh me ligjin, të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit sepse kemi qenë në këtë vend, edhe pse ju jeni më të rinj, por keni qenë në moshën e mjaftueshme për të gjykuar individualisht kur gjërat që shohim sot dhe gjërat që ndodhin sot, as nuk mund të imagjinoheshin dhe ky vendi për të cilin po flas, nuk ka qenë në shekullin e kaluar, por ka qenë vetëm deri përpara sa ne të ndërmerrnim gjithë këtë përpjekje transformuese dhe të bënin reformën në drejtësi.
Kështu që nëse pyetja juaj nënkupton që për përgjegjësitë individuale të njërit apo të tjetrit, duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë iu them që atë sistem e kemi ndryshuar. Nëse ju mendoni që kur një emërim bëhet atëherë që në atë moment lind përgjegjësia e atij që emëron, si rezultat i faktit se i emëruari gjatë rrugës mund të bëjë gabim në raport me vijën e sjelljes, atëherë përsëri kjo është një mënyrë e të pari si në kohën e komunizmit. Ndërkohë që sot jetojmë në demokraci dhe ajo që kemi detyrë të bëjmë, është të ndajmë me publikun qëllimet, të tregojmë se çfarë duam të bëjmë me mbështetjen e publikut dhe me fondet që mblidhen nga taksat, të japim llogari për mënyrën se si e bëjmë dhe pastaj cilido që tradhton qëllimin e shpallur dhe të përbashkët, duhet të përballet me pasojat në anën tjetër të sistemit, që është pushteti i pavarur gjyqësor. Kështu funksionon demokracia, që të mos ju lodh me shumë të tjera, Franca është një vend demokratik, është një vend padiskutueshmërisht i fortë nga pikëpamja institucionale; në Francë ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra; presidenti nuk mori asnjë përgjegjësi tjetër përveçse përgjegjësisë që t’i kërkonte drejtësisë që të bënte punën e vet. Në fund fare, procesi ministrin e nxori të pafajshëm dhe ai vazhdon të jetë në detyrë. E çfarë diskutojmë ne këtu? Këto janë mënyra dhe janë qasje të cilat secili i bën sipas vendit, ama në rastin tonë një gjë është e sigurtë, askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për tu përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e pushtetit gjyqësor, në sferën e hetimit apo të gjykimit të pavarur. Këtu fillon dhe këtu mbaron ajo që është përgjegjësia ime politike, të tjerat pastaj janë të gjitha diskutime që kanë meritën e tyre, por që nuk kanë asnjë interes për mua.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit/ Rama: Kush tradhton, të përballet me drejtësinë, reforma s'ndalet! Von der Leyen: Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, provë se sistemi funksionon









