A mund të zëvendësojnë robotët njerëzit në kërkimet nënujore?

A mund të zëvendësojnë robotët njerëzit në kërkimet nënujore?

A mund të zëvendësohen njerëzit nga robotët kur bëhet fjalë për operacione në det? Mjetet ujore pa ekuipazh po zhvillohen gjithnjë e më shumë, por ekspertët thonë se synimi i tyre është të krijojnë më shumë alternativa, jo të eliminojnë mundësitë për njerëzit.

Otter, një anije pa ekuipazh e kompanisë norvegjeze Maritime Robotics, lundron mbi sipërfaqen e detit, duke manovruar përmes sensorëve të saj.

Ajo inspekton fundin e detit duke mbledhur informacion që më pas mund të përdoret për projekte mjedisore dhe ndërtimi.

"Ky është një mjet ujor pa ekuipazh, plotësisht elektrik, që duke përdorur teknologjinë sonare, mbledh të dhëna nga fundi i detit dhe i kombinon ato me të dhënat e GPS-it, që të mund të shohim fundin e detit", shpjegon Thomas Rygh, Menaxher i Produkteve i kompanisë Maritime Robotics.

Me zhvillimin e robotëve dhe anijeve të tilla pa ekuipazh, kompanive nuk do t’u duhet më të dërgojnë njerëz për operacione të tilla.

“Më parë, duheshin anije të mëdha dhe pajisje të rënda për të mbledhur këto lloj të dhënash. Duhej një kapiten, ekuipazh dhe një kohë e gjatë, si edhe shpenzime të konsiderueshme. Tani duhet thjesht një operator që mund ta drejtojë nga distanca, duke mbledhur dhe analizuar të gjitha të dhënat", thotë zoti Rygh.

Otter ishte një nga anijet e paraqitura në mars në Londër në konferencën “Oceanology International” ku ekspozohen mjetet më të reja të teknologjisë oqeanike.

Dhe anijet autonome po shihen gjithnjë e më shpesh në qarkullim. Greensea IQ ka prodhuar mjete të tilla prej 18 vjetësh, gjatë të cilave kërkesa për to ka ardhur duke u rritur.

Robotët Bayonet që prodhon kjo kompani janë projektuar për t’u përdorur në kushtet e paqëndrueshme të zonës ujore pranë vijës bregdetare ku dallgët janë të forta.

Por a do të thotë zhvillimi i kësaj teknologjie, që njerëzit do të zëvendësohen nga robotika? Jo domosdoshmërisht.

"Koncepti se robotët do të na zëvendësojnë në aktivitetet e përditshme, është fantastiko-shkencor. Robotët dhe mjetet pa ekuipazh ndryshojnë natyrën e punës sonë, krijojnë mundësinë për mënyra të reja pune. Robotët nuk po marrin punën tonë, ata po krijojnë më shumë vende pune, më shumë mënyra për të mbledhur të dhëna, më shumë mënyra për të eksploruar oqeanet", thotë Ben Kinnaman, shef ekzekutiv i kompanisë Greensea IQ.

Madje ai është i bindur se kjo teknologji nënkupton që njerëzit të eksplorojnë thellësinë e detit në mënyra që do të ishin të pamundura pa ndihmën e saj.

“Kemi bërë më shumë përparim dy vitet e fundit tek njohuritë për oqeanin, për ndryshimin e klimës dhe ndikimin e tij tek oqeanet, sesa në dy dekadat e fundit dhe kjo falë mundësisë për të krahasuar. Është diçka e mrekullueshme", thotë zoti Kinnaman.

Sa më të imët bëhen sensorët, aq më shumë zvogëlohen përmasat e robotëve nënujorë. I tillë është rasti i një mjeti të një kompanie kineze që komandohet virtualisht dhe që është sa një qen i vogël.

Kompania thotë se synimi është që ai të veprojë në krah të palombarëve.

“Unëdo të thoja që ato nuk zëvendësojnë palombarët, por ua bëjnë punën më të lehtë, më të sigurt dhe më efikase”, thotë Dennis He, Drejtor i Shitjeve i kompanisë Chasing Innovation Technology.

Dhe kjo teknologji po bëhet shumë më e përballueshme, që do të thotë që kompanitë e mëdha ndërkombëtare nuk janë të vetmet që mund të investojnë në produkte të tilla.

Nëse në të kaluarën kostoja e tyre do të arrinte në 1 milionë dollarë, tani kompanitë duan ta reduktojnë atë dhe në të ardhmen t’i përdorin për misione që paraqesin rrezikshmëri për njerëzit./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut