A po shkon e Djathta drejt radikalëve dhe nevoja e protestave?!

A po shkon e Djathta drejt radikalëve dhe nevoja e protestave?!

Protesa e qytetarëve për rritjen e çmimeve

Ditët e protestave në Shqipëri po tregojnë realisht se njerëzit kanë nevojë të shkarkohen për rritjen e pafre të çmimeve, por ashtu edhe për përballjen e qeverisë Rama. Argumenti i drejtë i tij se: si vend i NATO-s, Shqipëria nuk mund të protestonte për pasojat e luftës, nuk e justifikon megjithatë përballjen para njerëzve dhe sidomos cinizmin e qeverisë së tij.

Kjo e fundit, duke iu referuar dhe paketës së prezantuar nga Rama, ka ndërmarrë disa masa për të frenuar disi këtë lajthitje, por përballja e qytetarëve para dyqaneve, sa i përket shportës mbetet e pagojë. Pas banaqeve qëndrojnë tregtarët dhe shitësit e vegjël që ngrenë supet, sikur thonë: Nuk e shini se çfarë po ndodh! Është e lehtë në këto momente të japësh receta por është krejt e vështirë të përballesh me të keqen. Këtë e thotë Rama, këtë e thonë tregtarët, këtë e thonë protestuesit, këtë e thonë njerëzit e thjeshtë që mbajnë veshin vetëm te lajmet e Ukrainës. Për ironi të gjithë atyre parimeve demokratike, shpalosur në çdo narrativë, kjo situatë i ka vendosur dërrmën demokracisë, globalizmit dhe mbi të gjitha Rendit. Bash, Rendin Ndërkombëtar që tashmë të gjithë po binden se e bëjnë thjesht humoret e Superfuqive, kurse populli i thjeshtë është dekori ose emri që artikulohet më shumë prej tyre.

Duke ardhur më shumë në mjedisin tonë: Ndërsa të Majtët kanë heshtur por edhe janë të bashkuar kundër agresionit duke e fryrë dhe duke treguar se pasojat kanë mbërritur këtu, ka një cinizëm nga e Djathta apo ata që thonë nën zë: Po ne ç’na duhet lufta! Ndërkohë që për studentët e rretheve që përshkojnë kilometra të tëra, kjo jo thjesht ka rëndësi të madhe por po bën atë që në historinë e qeverisjes së Ramës ka ndodhur vetëm tre herë: njëherë me protestën për Armët Kimike (që pastaj u përfol se palë të treta përfituan); pastaj me studentët që e shkundi qeverisjen Rama deri kur politika vendosi që të futej në sinorët e të rinjve duke ua instrumentalizuar; kjo e fundit, që duket bajagi e motivuar dhe mbledh një fashë të gjerë. Për fat të keq, opozita nuk po e gjen dot veten, megjithë përpjekjet dhe ndërhyrjen e madhe, kurse një pjesë e shoqërisë civile që është e lidhur me të po mundohet të ruajë një lloj neutraliteti, paçka se në foltoret provizore më shumë individët bien në sëmundjen e zakonshme: Lufta për protagonizëm! Kryeqeveritari Rama ndihet pas kaq shumë kohësh i lodhur, mu si para pandemisë, kjo edhe në mungesë të arsyetimit dhe reagimit prej opozitës, sepse përballë nuk ka slogane boshe por nevoja jetike të prekshme. Masat e prezantuara prej tij do duhen pak kohë të tregojnë impaktin, ndërkohë spekulantët po rendin të turbullojnë. Sqarimet baroke të Ramës në rrjetet sociale, në vend që të fashisin duket se po shërbejnë si karburant, rezervat e të cilit gjendet dhe nga përballja e vakët e disa prej ministreve të tij, që nuk i largohen dot retorikës cinike dhe me një gjatësi vale jo normale me shqetësimet.

Nëse Meta i mblodhi militantët muaj më parë me një kauzë që ishte më shumë politike, tashmë fytyrat e shumicës në protestë janë të rinj dhe kërkesat janë thjesht ekonomike. Në frymën e kolegëve të tyre të huaj ngado ata kërkojnë të drejta, por më shumë se çdo gjë tjetër një lloj mbrojtje. Kjo e bën opozitën, që në ditët e fundit është në gjendje grotesku, të ndihet realisht në faj. Kjo sepse ashtu si Rama tani edhe ata para tij, Nano, Meta, Berisha, nuk menduan asnjëherë sesi mund ta bënin një model ekonomik funksional në vend, apo më thjesht sesi të bëhej rentabël në përpunim rafineria e Ballshit, ashtu si paratë e shpenzuara mund të kanalizoheshin shumë më mirë. Tashmë, thjesht cepave bëjnë sikur po e ushqejnë protestën…po jo duke e organizuar.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari