A "prodhon" Shqipëria shkencë?

A "prodhon" Shqipëria shkencë?
Pas disa vitesh shkëputjeje, rikthehet në botim Buletini i shkencave Mjekësore, organi i vetëm pasqyrues i kërkimit shkencor mjekësor në Shqipëri. Si vjen ky
fillim i ri?
Që në nisje, në vitin 1959, Buletini i Shkencave Mjekësore, organ i Fakultetit të Mjekësisë, ka luajtur realisht rolin e një forumi të vërtetë të edukimit dhe të rritjes së pandërprerë të nivelit e cilësisë së kujdesit shëndetësor përmes prezantimit të kërkimeve të kënaqshme e vlefshme shkencore të kryera nga pedagogët e mjekët tanë dhe të arritjeve më të mira të shkencës mjekësore të kohës.

Me këtë rast unë do doja të falenderoja sinqerisht e thellësisht të gjithë ekipet e mëparshme botuese për kontributin në shndërrimin e Buletinit në një instrument të vyer komunikimi ndërmjet klinicistëve dhe kolegëve të tyre të fokusuar e të përkushtuar njëherazi edhe në kërkimin shkencor. Këtë vit, që përkon fatmirësisht me 60 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë si dhe 100 vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar, ekipi i ri botues mendoi të bëjë disa ndryshime cilësore. Konkretisht janë përfshirë tashmë shkrimet editoriale e përmbledhëse, ato origjinale, idetë dhe
opinionet, prezantimet e rasteve klinike apo të imazheve instruktive, të udhërrëfyesve më të mirë të praktikës mjekësore, informacionet prej konferencave, seminareve apo simpoziumeve
shkencore, abstraktet e artikujve të rëndësishëm nga revistat e huaja më cilësore, politikat e kujdesit shëndetësor e të menaxhimit, ato të etikës e të drejtave të pacientëve, e po ashtu, është mundësuar dhe një hapësirë e veçantë për punimet apo tezat studimore të specializantëve e të studentëve.

Nga ana tjetër, me idenë e prezantimit gjithmonë e më të gjerë të punimeve tona
në revistat e njohura e të indeksuara ndërkombëtare, redaksia vendosi që shkrimet të pranohen paskëtaj në gjuhën Angleze. Së fundi, më vjen mirë të njoftoj se çdo numër i buletinit
do të ofrojë mundësinë e plotësimit të krediteve tashmë të kërkuar të karrierës profesionale të mjekëve pas përgjigjeve të sakta të pyetësorit të posaçëm të ndërtuar nga redaksia

Kudo nëpër botë, qendrat spitalore terciare janë jo vetëm universitare, por edhe "laboratore" ku gjenerohet kërkimi shkencor  me rezultate që ndryshojnë vazhdimisht
perspektivën e mjekësisë. Si do t'i shërbeje ky organ mjekësisë shqiptare?

Sfida të vërteta shumëplanëshe që kanë të bëjnë me problemet e mprehta shëndetësore të moshës së thyer (jetëgjatësia gjithmonë në rritje), zhvillimin e vrullshëm të njohurive e
të teknologjisë, situatat e shumësëmundshmërisë së njëkohshme e me "kurthet" e vërteta diagnostike, shtimin e "frikshëm" të problemeve të shëndetit mendor, polifarmacinë potencialisht të rrezikshme, shërbimin shëndetësor të fokusuar tek pacienti, nevojën për rehabilitim, mënjanimin në maksimum të gabimeve mjekësore dhe financimin e pamjaftueshëm të sistemit shëndetësor (paratë janë e do të jenë kudo e kurdoherë të pamjaftueshme), kanë rritur ndjeshëm presionin dhe nevojën e edukimit cilësor të profesionistëve të shëndetit në mbarë botën.

Sfidat në fjalë kërkojnë zgjidhje pikërisht në kohën kur shërbimi shëndetësor po bëhet gjithmonë e më shumë i automatizuar erigid dhe kur shkencës i kërkohet të sigurojë një fleksibilitet të lartë të
sistemit. Cilësia e kujdesit shëndetësor, e përkufizuar dhe e certifikuar nëpërmjet shkallës së sigurisë shkencore të saj, vlerësohet tanimë si strategjia e duhur dhe e kërkuar për të përmirësuar kujdesin ndaj të sëmurit në shërbimin primar apo atë spitalor. Në këtë kuptim, Buletini i Shkencave Mjekësore do të luajë pa dyshim rolin të rëndësishëm si në thellimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor, ashtu dhe në sigurimin e cilësisë aq të dëshiruar të shërbimit mjekësor të bazuar në shkencë. Tendencat e fundit të zhvillimeve profesionale i mëshojnë krijimit të figurës së mjekut klinicist që është në të njëjtën kohë edhe shkencëtar.
A ekziston në vendin tonë ky binom? A prodhon shkencë Shqipëria?
Megjithë dëshirën e madhe, kërkimi shkencor është fatkeqësisht kudo në udhëkryq. Problemi kryesor besoj se është ai i ndarjes gjithmonë e më të madhe të kërkimit në shkencat biomjekësore bazike me praktikën e përditshme klinike. Kjo ndarje është pasuar natyrshëm me qëndrime e përqasje të dyanëshme, në fokusimin më së shumti të klinicistëve në zgjidhjet e detyrueshme e në kohë të problemeve serioze të praktikës së përditshme mjekësore, duke përdorur gjerësisht në funksion të saj udhërrëfyesit praktikë, në një kohë që mjekët-kërkues i  shmangen natyrshëm gjykimit të nxituar dhe veprimeve të pakonfirmuara. Për më tepër, klinicistët duhet të përballojnë e të përmbushin detyra të tjera të pashmangshme, sikurse ato të karakterit administrativ
e të edukimit të studentëve. Sa më lart, shkurtimi i ndjeshëm i kohës së nevojshme për kërkim shkencor, ca më tepër kur shoqërohet me financimin e pamjaftueshëm apo infrastrukturën
e paplotësuar dhe me përfshirjen në aktivitetin privat në kohën e mbetur, ndikojnë pa dyshim së tepërmi në zvogëlimin e stafeve të mjekëve-kërkues/shkencëtar. Nga ana tjetër, kërkesat për nivel e cilësi të lartë të kërkimit shkencor, krejtësisht të arsyeshme e të justifikuara, kërkojnë pa dyshim ekipe kërkimore shumëdisiplinore, të përbërë konkretisht nga fizikantë, bioinformatistë,
gjenetistë, kimistë, biologë dhe infrastrukturë të sofistikuar. Së fundi duhet nënvizuar se axhendat e kërkimeve shkencore deformohen jo rrallë nga dëshirat e veçanta të biznesit, prioritet akademike dhe presionet e natyrave të tjera që nuk kanë të bëjnë aspak me nevojat e vërteta të mjekësisë klinike.

Risia
Krijohet bordi i kërkimit shkencor. Unë mendoj se është koha për një vlerësim të hapur e të çiltër mbi të gjitha problemet që lidhen me nxitjen, frymëzimin, mbështetjen, financimin, certifikimin dhe implementimin e kërkimit shkencor në Fakultetin e Mjekësisë, pra për një reformë të vërtetë në këtë fushë të rëndësishme të jetës akademike. Konkretisht, përfshirja e parimeve themelore të kërkimit shkencor në kurrikulën e Fakultetit të Mjekësisë (sikurse domosdoshmëria, metodologjia, mendimi kritik, etj. ), krijimi i stafit profesionalisht të justifikuar për drejtimin e kurrikulës klinike shkencore me kandidatët e përfshirë në kërkimin shkencor, përzgjedhja e duhur dhe mbështetja e plotë e udhëheqësve shkencorë, avokatia për financimin e logjikshëm, sigurimi i infrastrukturës
së nevojshme, monitorimi i pandërprerë i ecurisë së aktivitetit shkencor dhe formimi i bordit të kërkimit shkencor, strukturë që duhet të përcaktojë fushat prioritare të shëndetësisë sonë e të integrojë e të harmonizojë sa të jetë e mundur më shumë axhendat shkencore, do shërbenin pa dyshim në përfshirjen gjithmonë e më të madhe të mjekëve e pedagogëve në aktivitetin kërkimor
dhe do rritnin ndjeshëm nivelin e tij.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë