A shtriheshin zotërimet
e Kastriotëve deri në Prizren?

A shtriheshin zotërimet<br />e Kastriotëve deri në Prizren?
Studimet dhe botimet për mesjetën shqiptare paraqesin interes të veçantë, zgjojnë kureshtjen e studiuesve, historianëve dhe lexuesve në njërën anë, ndërsa në anën tjetër janë të mirëseardhura duke ofruar të dhëna, ide, vlerësime dhe materiale me interes, të cilat në të shumtën e rasteve hapin debate ose mbyllin të tilla, ndikojnë në përforcimin e njohurive sa të lashta dhe të largëta dhe saktësojnë zhvillimet ose personalitetet që ishin protagonistë të tyre, duke mos qenë të pakapshme për pjesën dërrmuese të atyre që studiojnë, lexojnë apo konsultojnë vepra të tilla.

Analizat dhe sintezat e mirëfillta shkencore për mesjetën shqiptare të mbështetura kryesisht në lëndë burimore janë të rralla e akoma më të rralla janë monongrafitë e specializuara për treva të caktuara apo lokalitete të veçanta sado të njohura dhe gjurmëlënëse të kenë qenë ato në historinë tonë kombëtare. Puna është sfiduese për medievistin që vendos të studiojë periudhën mesjetare të shekujve XI-XV, jo vetëm për shkak se kërkohet përgatitje e lartë profesionale, specializim i thelluar në njohjen e gjuhëve të kohës si të latinishtes, greqishtes, sllavishtes mesjetare (qirilicës, bosançicës e glagolicës) e në vijim edhe osmanishtes, për të depërtuar në thellësitë burimologjike arkivore jo shumë të pasura, e të panjohura.

Të mbledhura me kujdes e kur janë të botuara mirë sipas kritereve shkencore të editimeve kritike (këtu nuk po të flasim për kriteret e botimeve që lënë shumë për të dëshiruar, tendenciozitetin dhe njëanshmërinë e autorëve që botojnë ato burime), edhe pse mund të mos përbëjnë një mozaik të plotë e gjithëpërfshirës, munden gjithsesi të jenë deri diku të mjaftueshme për të ndërlidhur fijet e shumta të zhvillimeve të hovshme politike, ushtarake ekonomike, sociale, tregtare etj, në Gadishullin Ballkanik në përgjithësi, e në veçanti në trojet etnike shqiptare.
 
Studiuesit apo historianit të mesjetës që shkruan për “Prizrenin në mesjetë në shek. XI-XV” i duhet njohje përfekte e kushteve dhe rrethanave të kohës, maturi dhe paanshmëri, por edhe profesionalizëm i lartë, për vetë faktin se lënda burimologjike e kohës, qoftë e botuar apo  e pabotuar për këtë periudhë kohore, duhet ballafaquar, analizuar e studiuar edhe me burime të tjera alternative të cilat janë të shumëllojshme në shumësinë e veprave, studimeve që njihen për njëanshmëri dhe tendenciozitet, sidomos nga autorët sllavë, apo ata që mbështesin teoritë e tyre.

Në mungesë të një studimi shumëvjeçar kërkimoro-shkencor, për të shkundur pluhurin shekullor që rëndon mbi ato dorëshkrime e dokumente origjianle të kohës, që sot ruhen nëpër arkivat e qyteteve bregdetare të Adriaktikut nga Selaniku deri në Trieste dhe të qendrave të rëndësishme e vendimarrëse të kohës (e kemi fjalën për shekujt XI-XV) si Vatikani, Venediku, Barcelona, Zagrebi, Vjena, Budapesti, Raguza (Dubrovniku i sotëm), Zara, Kotorri dhe disa komuna të rëndësishme italiane si Napoli, Siena, Mantova, Milano etj., edhe sintezat historike kanë vlerë të rëndësishme, kur janë të punuara me kujdes duke qëmtuar kryesisht lëndën e botuar e të mundshme për ta konsultuar (sepse siç dihet është shumë e vështirë të konsultohet tërë lënda e botuar e cila nuk ndodhet e gjitha e grumbulluar në një bibliotekë apo arkiv, por është e shpërndarë gjithandej) siç është rasti me monografinë e autorit dr.

Bedri Muhandri: Prizreni në mesjetë në shek. XI-XV. Prishtinë, 2013 (ISBN 078-9951-424-58-5). Studimi i një literature të shumtë të botuar në dy shekujt e fundit kryesisht nga studiues të huaj e rrallëherë edhe nga shqiptarë ka qenë bazë për monografinë e dr. B. Muhadrit i cili me mjeshtri ka ballafaquar teoritë, hipotezat dhe qëndrimet e ndryshme në të shumtën kundërthënëse për temën e tij.

Autori, në një farë mënyre përmes një apeli shfaq qëllimin e veprës së tij kur pohon: “Historiografia shqiptare, me forcën e argumenteve, paraqet vazhdimësinë e elementit shqiptar etnik të arbërve në qytetin e Prizrenit me rrethinë, ku arbërit në mesjetë ishin banorë të përhershëm, pothuajse në të gjitha vendbanimet, d.m.th. në fshatra e qytete” (f. 236), duke orientuar studiuesin e lexuesin për qëndrimet e tij të përafërta me historiografinë shqiptare rreth mesjetës dhe njëkohësisht duke dhënë një si paralajmërim se nuk bën përpjekje për të tejkaluar klishetë e krijuara brenda disa kornizava paragjykuese që ende mbeten të “paprekura” nga studiues, medievist e historinanë të rinj, kryesisht të specializuar dhe formuar intelektualisht nëpër univeristete të njohura ndërkombëtare, por që ende ndjehet një mungesë guximi për të shpërthyer disa “mure të heshtjes” që për fat të keq të huajt po i bëjnë këto veprime, por në mënyrë jo shumë korrkete, jo shumë profesionale dhe pa mbështetje të qëndrueshme shkencore.

Monografia “Prizreni në mesjetë në shek. XI-XV” është e ndarë në pesë kapituj: kapitulli i parë: “Prizreni në rrjedhat historike nga shek. XI deri në vitet 70-të të shek. XIV”, f. 17-64; kapitulli i dytë: “Prizreni në rrjedha hisotrike nga vitet 70-ta të shek. XIV deri në fund të shek. XV”, f. 65-98, kreu i tretë: “Popullsia arbërore në Prizren dhe rrethinë gjatë shek. XI-XV”, f. 99-149; kreu i katërt: “Zhvillimi i ekonomik i Prizrenit gjatë shek. XI-XV”, f. 151-191” dhe kreu i pestë “Prizreni seli ipeshkvore dhe qendër e trashëgimisë mesjetare Arbërore në Kosovë në periudhën e mesjetës” f. 193-232. Në fund ka edhe përfundim në anglisht: “Conclusion”, f. 239-244, e “Burimet dhe literatura” në f. 245-256, me gjithsej 120 zëra bibliografikë, që për mendimin tonë për një monografi me pretendime të larta shkencore është shumë përmbledhëse dhe jo shterruese.

Në kapitullin e parë dhe të dytë, përmes një vazhdimësie kronologjike të ngjarjeve të kohës autori përshkuaran dimensionin politik duke i bashkangjitur edhe situatën ekonomike dhe faktorët tjerë relevantë kë kohës. Këtu në veçanti kemi një përpjekje për të shtjelluar kronologjikisht ngjarjet dhe zhvillimet historike për gjatë shekujve për të përfunduar në shekullin XV, duke ndjekur zhvillimet e shumta. Autori me mjeshtri kap vetëm ngjarjet kryesore ato me domethënëse që në rrafshin vertikal janë të pashkëputura nga tërësia e zhvillimeve në rajon duke mos përjashtuar as botën arbërore, e cila si pjesë e kësaj tërësie ka lënë gjurmë të dukshme dhe të pashlyera. Ndërsa në rrafshin horizontal me një ndjeshmëri të skajshme dhe gjuhë të rrjedhshme autori zbërthen sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet popullsia vendore autoktone shqiptare përballë pushtuesve sllavë.

Këtu kemi një pohim shumë interesant që shpresojmë se autori në të ardhmen do të merret thellësisht me të, sepse është shumë e diskutuar në botën shkencore: vendosja e sllavëve në Ballkan dhe shtrija e tyre territoriale. Dr. Bedri Muhadri shkruan për vendosjen e sllavëve në Ballkan (f. 28): “Në fillim të shekullit VII perandori Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe serbëve. Ka mundësi që disa prejt tyre të jenë përhapur deri në Peleponez.

Por popullimi më i dendur i fiseve serbe u bë në shek. XII,
” për të vazhduar pastaj në f. 37: “ Sipas kohës së rrjedhave të ngjarjeve historike Prizreni për herë të parë bie nën sundimin e Nemanjidëve (serbëve, m.a.) në vitin 1189-1190” pra me sa duket autori nxjerr përfundimin se deri në fund të shekullit XII kemi vetëm një vendosje sporadike të sllavëve (kroatëve e serbëve) në perëndim të Gadishullit Ballkanik, me këtë rast edhe në territoret e banuara me shqiptarë, ndërkohë që është i prerë kur pohon se në Prizren, ata u vendosën vetëm në vitet 1189-1190!

Një vëmendje të veçantë autori dr. Bedri Muhadri i ka kushtuar edhe “Popullsisë arbërore në Prizren dhe në rrethinën e saj gjatë shek. XI-XV”, në kapitullin e tretë, duke studiuar burimet dhe literaturën ekzistuese dhe njëkohësisht duke nxjerrë përfundime të tijat, të cilat sigurisht që janë të vlefshme dhe të rëndësishme për njoftime jo vetëm në shekujt XI-XV, por që vazhdojnë deri në shekullin XVII ku autori shfrytëzon defterët turq dhe relacionet e relatorëve nga Vatikani qofshin këta shqiptarë apo të huaj.

Me majft interes do të ishte sikur autori B. Muhadri të thellohej edhe më shumë në toponimet (emrat e vendeve) mesjetare që gjenden në dokumentet burimore te kohës duke i parë ato në origjial, pra duke konsultuar origjinalet e botuara me faksimile, transkriptime dhe transliterime dhe jo duke shfrytëzuar përkthimet e tyre në gjuhën shqipe që lënë shumë për të dëshiruar, sepse në to ka gabime të shumta, pasaktësi dhe shtrembërime, që nuk i kanë dokumentet burimore origjinale.

E njëtja gjë vlen edhe për emrat personalë (antroponimet) të “elementit arbëror” (f. 106-107) të cilët shpesh na dalin të ngatërruar, pa një saktësi përcaktuese, p.sh. Rado Kovaçi, Rade Krasavishti, Dobroslav argjendari, që sipas nesh nuk do të thotë se janë domosdoshmërisht shqiptarë! Me siguri që në optikën e studimeve të ardhëshme, të studiuesit dr. B. Muhadri ky argument do të na sjellë fakte të reja dhe shumë të çmuara të cilat e kanë vështirë t’i sjellin autorët e tjerë qoftë për shkak të gjuhës, qoftë për shkak të terrenit dhe njohjes së pamjaftueshme të rrethanave të tjera për të cilat ka favore autori ynë.

Ashtu si të gjithë medievistët shqiptarë, edhe dr. B. Muhadri merr në shqyrtim periudhën para- dhe pas-Skenderbegiane, por kësaj radhe në mënyrë shumë specifike nga një këndvështrim interesant dhe shumë sfidues. Ballafaqimet e bëra pothuajse për gjatë gjithë monografisë së tij, autori i mbështet kryesisht në dy autorë jo shumë seriozë që shkruajnë për “Kastriotët në Dardani dhe Gj. K. Skenderbeu dhe Kosova” më shumë duke hedhur hipoteza sesa duke u mbështetur në burime të sigurta burimologjike, dorëshkrime apo dokumente të njohura.

Një konkludim i guximshëm nga ana e Bedri Muhadrit është edhe ai “për zotërimin e Prizrenit nga ana e Gjon Kastriotit (...) më 1420 ku thuhet se do t’i mbronte tregtarët raguzanë brenda vendit të tij që nga ‘Shufadaja në bregdet e deri në Prizren’” (f. 27). Në fakt në dokumentin origjinal që ruhet në Akrivin e Dubrovnikut (HAD) që është i shkruar në sllavisht (shih faksimilin që po e botojmë) shkruhet saktësisht: “në tokën time deri në Shufada” e jo deri “në Prizren”. Po të ishte e vërtetë pohimi i mësipërm, që Gjon Kastrioti ishte zot në një territor kaq të rëndësishëm dhe kaq të gjërë, në këtë kohë (vitet ’20 të shekullit XV) roli i tij do të ishte shumë më i madh se sa tregohet në të vërtetë sipas burimeve arkivore të botuara e të pabotuara.

Është e njohur nga burimet dokumentare se sundimi i territoreve të Gjon Kastriotit në këtë kohë ishte shumë më i ngushtë dhe se shtrirjen e pushtetit të tij në Prizren duhet ta marrim me shumë rezerva! Po ashtu mendojmë se pohimi i autorit në f. 97, se “Skenderbeu ka qenë gjithnjë i pranishëm në Dardani”, duhet parë me shumë kujdes, sepse në vijim, f. 98, kemi pohimin tjetër kundërthënës: “Prizreni është pushtuar nga ana e osmanve përfundimisht më 1459”! Pra na del se nuk “ka qenë gjithnjë i pranishëm në Dardani” Skenderbeu! Jemi të bindur se autori dr. B. Muhadri këto përfundime të tij në të ardhmen do t’i rishikojë dhe thellojë, duke ballafaquar burimet që ka shfrytëzuar me burime të tjera të pashfrytëzuara, do të thellohet edhe më shumë në dokumentet që pritet të botohen përveç atyre që janë botuar dhe janë të njohura nga kjo periudhë, duke i studiuar ato në origjinal, ose të paktën në botime serioze të editimeve kritike të këtyre burimeve.

Në kreun vijues, autori dr. B. Muhadri na paraqet me mjeshtri jetën dhe zhvillimin ekonomik, panairet, rolin dhe rëndësinë e tyre, zejet e shumta si pjesë e një trashëgimie të lashtë atutoktone vendore duke dhënë mjaft informacione interanste të mbështetura kryesisht te autorë shqiptarë e sllavë, sistemin monetar, doganat dhe rëndësinë e tyre si dhe ndikimin i mirëqenjes shoqërore tek banorët e trevës së Prizrenit në shekujt XI-XV. Në këtë kapitull janë botuar edhe 3 faksimile të vetme në këtë monografi të vlershme, si ilustrime të dokumenteve origjinale nga Arkivi i Dubrovnikut me të cilat autori dëshmon rëndësinë që kishte Prizreni për Raguzën (Dubrovnikun e sotëm) në këto kohë, sepse që nga viti 1332 në këtë qytet gjejmë konsullin raguzas që kishte të drejta të kufizuara, të saktësuara nga autori në f. 159: “Konsulli nuk ka guxuar të tregtojë, por i është dashur të qëndrojë aty ku gjendej mbreti i Serbisë me selinë e tij. Prandaj, konsulli i Raguzës nga 8 marsi 1332, duhet të qëndronte më së shumti në qytetin e Prizrenit”.

Në kreun e pestë “Prizreni seli ipeshkvore dhe qendër e trashëgimisë mesjetare Arbërore në Kosovë në periudhën e mesjetës” flitet për “peshkopët dhe mitropolitët e Ipeshkvisë së Prizrenit” ku sipas nesh, ndoshta do të duhej një vëmendje më e madhe ndaj burimeve të botuara, sidomos të atyre autorëve dhe veprave të tyre të patejkaluara edhe sot e kësaj dite, që shquhen për seriozitet dhe skrupulozitet si: C. Eubel, Hierachia Catholica, v. I-III; B. Gams, Series epicoporum; D. Farlati, Illyricum Sacrum, v. I-IX, M. Le Quien, Oriens Christianus..., A. Theiner, Vetera monumenta, G. Valentini, Acta Albaniae Veneta,..., etj., për të përforcuar qëndrueshmërinë e ideve të tij në njërën anë, dhe në anën tjetër për të saktësuar hierakinë kishtare të ipeshkëve (jo të kryeipeshkëve, sepse në këtë kohë Prizreni nuk ishte kyeipshkvi), për të ndriçuar emërtimet e kishave, kuvendeve, manastireve, abacive dhe katedraleve të kësaj treve si dhe për të ballafaquar me fakte të pamohueshme dëshminë e pranisë së të krishterëve shqiptarë që nga koha e apostujve duke treguar po ashtu me argumente edhe kohën e ngritjes së objekteve të kultit serb qoftë mbi rrënojat e objekteve të kultit të krishterë apo në territore të reja të përcaktuara nga vetë klerikët serbë.

Do ishte një kontribut i paçmueshëm sikur të silleshin të gjitha emërtimet e kishave si shqiptare (ato ritit të krishterë përendimor) ashtu edhe sllave në të dyja format: ashtu siç janë në origjinal dhe në trankriptim shqip, ndihmesë kjo kjo e madhe jo vetëm për medievistët, por edhe për shumë specialistë të fushave të tjera që merrem me tema të tilla. Kjo do të zgjonte një interes të veçantë te studiuesit e huaj, sepse gjendja e tanishme e kësaj problematike len shumë për të dëshiruar, është shumë e ngatërruar, ka pasktësi dhe dublime për të njëjtin objekt kulti.

Në përfundim do të thonim se kjo monografi është ndoshta prezantimi më transparent dhe më i paanshëm që i bëhet një periudhe jashtëzakonisht të vështirë e komplekse siç është mesjeta shqiptare në përgjithësi, e në veçanti Prizrenit gjatë shekujve XI-XV. Është një vepër që duhet gjithsesi të lexohet e të studiohet jo vetëm nga studiuesit, medievistët, studentët e historisë e të interesuarit e tjerë për këtë periudhë të historisë, por edhe nga të gjithë ata që dëshirojnë të kuptojnë më mirë zhvillimet e mesjetës e largët plot intriga e të panjohura, jo vetëm për Prizrenin, po edhe për të gjithë territoret etnike shqiptare.

Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë