Aboneja për pensionistët, Veliaj: Çdo muaj është falas, ashtu si për studentët! U kursejmë 192 mijë lekë në vit gjysheve dhe gjyshërve

TIRANË - Nga 1 janari 2025, të gjithë pensionistët e Tiranës janë pajisur me abone të përgjithshme falas dhe po udhëtojnë pa pagesë në linjat urbane të kryeqytetit. Ata pensionistë, të cilët nuk janë pajisur ende me abone falas, mjafton të paraqiten pranë njësisë së tyre administrative për t’u regjistruar (ky proces bëhet vetëm një herë) dhe pastaj, çdo muaj mund të tërheqin abonenë në njërën prej pesë pikave të shpërndarjes të caktuara nga Bashkia e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi sot me njërën prej linjave të transportit urban dhe bisedoi me udhëtarë pensionistë, të cilëve u shpjegoi edhe procedurat që duhet të ndjekin për t’u pajisur me abone.

“Më vjen mirë që, nga ky vit, Bashkia e Tiranës subvencionon edhe abonenë e pensionistit, për gjyshet dhe gjyshërit tanë, njësoj siç bën prej më shumë se një viti për studentët. Ky subvencionim është 16 mijë lekë [të vjetra] në muaj ose 192 mijë lekë në vit. Për t’u pajisur me abone fillimisht duhet të regjistrohesh në njësinë administrative dhe pasi futesh në sistemin e rimbursimit, paraqitesh pranë kioskës më të afërt, me fotografi, për të marrë abonenë”, sqaroi Veliaj.

Duke i uruar gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës një vit sa më të mbarë, Veliaj apeloi që pensionistët s’ka nevojë të mbajnë radhë, pasi bashkia do të shpërndajë mjaftueshëm abone dhe kioskat do të vazhdojnë të jenë të hapura.

“Ka abone për të gjithë! Sa më shumë të tërhiqen, aq më shumë do bëjë rimbursim bashkia. Nuk ka nevojë as të presim në radhë, as të dalim herët në mëngjes. E di që gjithmonë gjërat e reja zgjojnë kërshëri dhe kemi merakun se mos mbarojnë, por është pa limit. Aboneja është një karton që mund ta shtypim për aq sa është nevoja, mjafton që të lidhet me një person fizik real, i cili është paraqitur dhe ka interes. Gëzuar të gjithëve, udhëtime të mbara te nipat e mbesat, dhe ju uroj shëndet e vetëm të mira!”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje pensionistëve, të cilët nuk e kanë tërhequr ende abonenë e tyre, të paraqiten në pikat e përcaktuara nga Bashkia e Tiranës, për ta marrë atë falas.

“Ftoj edhe pensionist e tjerë, që ndoshta kanë qenë më pushime këtë fundvit, që të shkojnë te njësia adminsitrative, të regjistrojnë emrin dhe pasi futen në sistem, automatikisht u del emri në listë për të tërhequr abonetë”, përfundoi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:35
Ushqimi falas në shkollat e Tiranës, Veliaj: Njësoj siç kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet

Ky vit i ri do të sjellë një transformim rrënjësor sa i takon trajtimit të nxënësve në shkollat publike të kryeqytetit. Ashtu si për shtresën e pensionistëve, të cilët nga 1 janari 2025 po udhëtojnë falas me autobus në Tiranë, pjesën më të madhe të buxhetit për të rinjtë këtë vit do ta marrë ushqimi falas në shkolla.

Kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se si do të funksionojë kjo nismë e mirëpritur për shumë prindër në shkollat e kryeqytetit.

"Duam ta bëjmë ushqimin falas për fëmijët në shkollat 9-vjeçare. Ky është një ndryshim shumë i madh sepse fëmijët do të ushqehen njësoj. Në çerdhe dhe në kopshte të gjithë fëmijët ushqehen nga një menu. Do të thotë se marrin vitamina, karbohidrate, të gjitha kaloritë. Tani edhe në 9-vjeçare do konsumojnë të njëjtën menu. Pra, vërtet janë kuzhiniere te ndryshme, por menuja është njësoj. Kjo do të thotë se fëmija merr të njëjtin shërbim”, tha Veliaj.

Ora 16:31
Hetimi në SPAK/ Veliaj: S’dorëzohem përballë letrave anonime! Përballja me kundërshtarët te kutia e votimit

I bindur se letrën anonime prej të cilës SPAK ka nisur një hetim e kanë bërë kundërshtarët e tij politikë, Erion Veliaj, nuk kursen për ta një mesazh në ditët e para të vitit, teksa zhvillonte një takim me pensionistët e kryeqytetit.

Qytetari: Bravo të qoftë! Gjithmonë na ke mbështetur! E ke bërë dritë Tiranën dhe po punon me mish e me shpirt.

Veliaj: Nuk dorëzohem, mos ki merak! E di për çfarë ma thua, por nuk dorëzohem.

Qytetar: Në asnjë mënyrë!

Veliaj: Po të duan, le ta marrin me votë, por me hile e anonime jo...

Duke kujtuar investimet dhe punët që ka bërë për Tiranën, Veliaj i sfidon kundërshtarët të përballen në kutinë e votimit.

‘Nuk dorëzohem unë me këta personazhe, se nuk e meritojnë! U them këtyre shokëve të mi - se kemi shokë edhe nga e djathta, kemi qenë në një shkollë bashkë - po më thatë që keni ndërtuar një shkollë të re, e lë unë këtë punë që tani, se do të thotë që dini të bëni një punë. Por, të mos kesh bërë asnjë shkollë e t’i thuash tjetrit që ka ndërtuar 45, rri tani ti, hajde me letra anonime! Ua thashë, iku ai sistemi i letrave anonime. Po jeni burra, shkoni te fleta e votimt, nëse keni vota dhe mbështetje në popull. Megjithatë, duhet ecur përpara. Sot, Tirana plot me turistë, nuk mbaron!’

Herën e fundit që Veliaj ka qenë në SPAK,  më 26 dhjetor, është marrë në pyetje për gati 5 orë lidhur me një fluturim në vitin 2004, iniciuar nga denoncuesi i vetëquajtur Nesti Angoni, i cili nuk figuron në regjistrat e gjendjes civile.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 06/01/2025 03:46

    Z.Veliaj,fitimi i votes,nuk d.m.th se e ke te fituar ceshtjen dhe ne dhomen e gjykates.

    Përgjigju
  • Meri: 05/01/2025 19:00

    Diçka shumë e mirë,pak lehtësim për moshën e tre.Nji gjë nuk kuptoj:pse vazhdoni të flisni me lek të vjetra,pse nuk lexohet leku ashtu si është i shkruar?.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani

Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani