Deputeti i partisë “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi abstenoi rezolutën e PS përmes së cilës Irani shpallet shtet sponsor i terrorizmit. Në fjalimin e tij në Kuvend, Muçi dënoi represionin e regjimit iranian ndaj të rinjve e të rejave që janë ngritur në protesta para nisjes së konfliktit, por rezolutën e socialistëve e quajti hipokrizi.

Ai e akuzoi PS se po mban standarde të dyfishta. Sipas tij, është hipokrizi të dënosh Teheranin, ndërkohë që kryeministri Edi Rama “iu ul në gjunjë kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu”, i cili ka urdhër arrest për krime kundër njerëzimit dhe krime kundër lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Për mazhorancën kishte kritika, duke thënë se para se të sillte këtë rezolutë, duhet të kishte dënuar gjenocidin serb në Kosovë.  

Muçi tha se përmes kësaj rezolute duhej të kërkohej edhe fundi i këtij konflikti që destabilizon jo vetëm lindjen e Mesme, por të gjithë botën, duke theksuar se nuk është një luftë e nisur nga BE e NATO.

“Po na propozoni një rezolutë për shpallen e Iranit si shtet që mbështet terrorizmin, ndërkohë që vendet e BE kanë shpallur Gardën Revolucionare si organizatë terroriste për hir të atyre të rinjve e të rejave që kanë protestuar ne sheshet e Teheranit dhe janë përballur me represionin e regjimit. Do ishte në nderin tuaj që në anën e duhur të ishit jo vetëm kur është në interesin e me të fortëve, por edhe kur bëhet fjalë për të mallkuarit e kësaj bote. S’ka hipokrizi më të madhe të na paraqesin këtë rezolutë, ndërkohë që kryeministri juaj shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Netanjahut një njeri që ka urdhër arrest për krime kundër njerëzimit dhe krime kundër lufte dhe që e përdori Izraelin për të masakruar 70 mijë civilë palestinezë. Kjo rezolutë duhet të përmbante edhe një kërkesë për dhënien fund të këtij konflikti pa asnjë logjikë, pas objektiva, por me pasoja të rënda ekonomike dhe destabiluzuese për rajonin dhe botën. Është një luftë jo e nisur nga BE, NATO dhe s’ka marrë miratimin as të Këshillit të Sigurisë dhe as Kongresit Amerikan.  Ne e kemi denoncuar represionin e shtetit Iranian, por që të jemi seriozë do duhej që para se të paraqisnit këtë rezolutë, duhej të kishit miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj Kosovës”, tha Muçi.


Lajmi kryesor:

Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, miratohet me 79 vota pro rezoluta e PS! PD bojkoton: Nuk ishte në rend dite