Zbardhet abuzimi i përmbaruesit, Baftjar Nela, pas denoncimit të 3 banorëve të një pallati në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore në njësinë administrative të Dajtit. Ai akuzohet për abuzim me detyrën si dhe të korrupsioni aktiv, pasi ka kërkuar para nga denoncuesit, për të mos iu sekuestruar banesat që ai kishte vënë në masën e sekuestros.
 
Banorët, janë njoftuar prej përmbaruesit Nela se apartamentet e tyre ishin sekuestruar për llogari të një kreditori që lidhej me një detyrim të kompanisë ndërtuese “ALBASE” sh.p.k; Kjo kompani ishte debitore tek një person i tretë të cilit i ishte dëmtuar banesa, gjatë punimeve për ndërtimin e objektit dhe për këtë shkak, gjykata kishte shpallur ndërtuesin debitor tek pronari i shtëpisë së dëmtuar.
 
Sipas burimeve të policisë, Nela kishte vendosur sekuestron e banesave, të cilat ishin në emër të kompanisë “Albase”, por të shitura me kontratë porosie tek denoncuesit. Ndërkaq rreth 70 njësi të tjera banimi dhe tregtare të cilat ishin në të njëjtin objekt, si dhe llogari bankare, dhe automjete që ishin në emër të ndërtuesit, nuk ishin vënën nën sekuestro.
 
Sipas hetuesve, Nela kishte zgjedhur të sekuestronte këto apartamente të cilat ishin vlerësuar nga eksperti kontabël në vlerën e rreth 5.8 milionë lekëve, ndërsa banorët i kishin blerë ato në shifrën e 100 mijë eurove, kjo sipas kontratave përkatëse. Pas hetimit të kryer, policia ka zbuluar se Nela, nuk ka ekzekutuar vendimin e gjykatës në lidhje me kthimin e shumës së parave kreditorit.
 
Ai akuzohet se ka lejuar debitorin duke mos bllokuar llogaritë bankare të bëjë transaksione në vlera të mëdha monetare në llogari të shoqërisë në banka. Po kështu edhe në lidhje me një automjet, të debitorit, edhe pse ka pasur një shkresë dhe dokumentacion nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit, përmbaruesi nuk e ka sekuestruar. Po kështu hetuesit thonë se, Nela ka kryer bllokimin në mënyrë përzgjedhëse, mbi tre apartamentet ndërkohë që pallati ka pasur edhe shumë banesa të tjera, si dhe vlera e debisë ishte disa herë më e vogël se ajo e apartamenteve.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)